Diplomacia e dështuar ekonomike nuk e sjell dot një investitor

  • 21 May 2018 - 07:43
Diplomacia e dështuar ekonomike nuk e sjell dot një investitor

Ambasadat, të mbushura me familjarë dhe njerëz të politikës

E kspertë të ekonomisë dhe përfaqë- sues të bizneseve vlerësojnë se Kosova ka dështuar plotësisht që të ketë një "diplomaci të fortë e të mirë- filltë ekonomike" me të cilën do të arrinte që të përfitonte në fushën e ekonomisë dhe do të nxiste zhvillimin e vendit. Ata vlerësojnë se të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës kanë dështuar plotësisht që të nxisin thithjen e investimeve në Kosovë nga shtetet ku ata punojnë, por në fakt nuk sjellin asnjë dobi e rezultat në mbështetje të zhvillimit të vendit të tyre, që ua paguan jo vetëm qëndrimin atje. Deputeti i koalicionit qeverisës në Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti (Nisma Social Demokrate), theksoi për "Kosova Sot" se zyrtarët tanë nëpër ambasadat tona, që janë të ngarkuar për çështje ekonomike, janë njerëz të dështuar, sepse kot po e shfrytëzojnë buxhetin e Kosovës duke marrë paga të majme dhe duke mos e kryer detyrën si duhet."Asnjë diplomat i ngarkuar për çështje ekonomike, i akredituar në diplomacinë tonë, në ambasadat tona, nuk e ka kryer detyrën si duhet, duke sjellë ndonjë investitor, kurse pagat e tyre janë marramendëse dhe ata më tepër po merren me çështje të tjera jashtë përgjegjësisë që i kanë me ligj dhe është një mëkat i madh që të paguhen nga taksapaguesit e Kosovës dhe nuk i kryejnë detyrat si duhet", është shprehur ai. Sipas Hotit, MPJ-ja duhet që të ndërhyjë urgjentisht, por me një klimë politike çfarë është tash dhe me ndërhyrjet që janë duke u bërë në MPJ, nuk pritet diçka e mirë. Ai thotë se Kosova duhet që të ketë shumë më tepër atashe ekonomike në përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullata, por edhe ata që janë nuk kanë bërë ndonjë punë të hairit. 

Istogu: Diplomacia e mirëfilltë ekonomike ka dështuar të kryejë punën e vet

Eksperti i ekonomisë, Zekim Istogu, theksoi për "Kosova Sot" se janë dy aspekte ku diplomacia e mirëfilltë ekonomike ka dështuar të kryejë punën e vet në interes të zhvillimit ekonomik të Kosovës. "I para ka të bëjë me dështimin në eliminimin barrierave tregtare, me të cilat ballafaqohet sektori privat në Kosovë, sidomos sektori i tregtisë dhe ai i prodhimit. E Dyta, është mosprezantimin i Kosovës dhe resurseve të saja në forumet ndërkombëtare të biznesit. Jemi dëshmitarë që prodhuesit kosovarë po ballafaqohen me vështirësi në plasimin e mallit në tregun ndërkombëtar, si pasojë procedurave të padefinuara mirë në eksportin e mallrave, ndryshimin e çmimit referent, barrierat e ndryshme jotarifore, apo edhe politikat e pafavorshme fiskale", është shprehur ai. Sipas tij, probleme të kësaj natyre paraqiten sidomos me vendet fqinje, ku Kosova kryesisht plason prodhimet bujqësore sezonale."Në disa raste këto barriera janë të nivelit politik dhe trajtimi i tyre është tepër i ngadaltë. Në rastet tjera është krejtësisht mosangazhimi institucional për tejkalimin e problemeve të tilla, që në shumë raste janë të nivelit teknik. Në çdo vit në kemi probleme me plasimin e prodhimeve kosovare në Shqipëri. Çdoherë kur bizneset ngrenë zërin për këto probleme, diplomacia jonë mjaftohet me takime kurtuazie e me deklarata për media për çështjet në fjalë, pa vazhduar me hapa tjerë për të eliminuar problemet në praktike", është shprehur ai. Sipas Istogut, probleme të tilla po paraqiten edhe me vendet tjera."Fakti se misionet diplomatike kanë role të gjithanshme në prezantimin e shtetit në të gjitha sferat e jetës si duket nuk është kuptuar si duhet nga shumica e misioneve tona diplomatike jashtë vendit kjo çështje. "Ky është një dështim i madh. Përveç milionave që taksapaguesit kosovarë paguajnë për aktivitetet e misioneve, Kosova po humb miliona të tjerë nga neglizhenca dhe paaftësia e stafit tonë diplomatik, në promovimin e vlerave tona dhe joshen e investitorëve të huaj në Kosovë", është shprehur ai. Istogu thekson se më keq se kaq janë arroganca e stafit diplomatik, shpenzimet enorme dhe vizitat pa asnjë plan dhe nevojë të stafit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por edhe ministrive të tjera, sidomos në vendet e BE-së, kanë lënë një shije të keqe jo vetëm te nikoqirët, por edhe te diaspora jonë, e cila është shumë e fuqishme dhe krijon miliarda euro qarkullim dhe shumëfishon investimet në vendet ku veprojnë."Biznesmenët nuk parapëlqejnë takimet me diplomatë të përgjumur, ata presin plane e veprime konkrete edhe në praktikë, gjë të cilën misionet tona as për së afërmi nuk ua ofrojnë. Deri sot nuk njihet asnjë rast ku investitorë ndërkombëtarë kanë sjellë kapitalin në Kosovë si rezultat i lobimit dhe prezantimit e resurseve tona në forumet e ndryshme ekonomike. Misionet tona diplomatike janë të paafta të thithin investime të huaja në Kosovë. E përgjigjja është e thjeshtë: I tërë stafi në misionet tona diplomatike nga nëpunësi i thjeshtë është i përzgjedhur mbi kriterin e nepotizmit, lojalizimit, ryshfetit dhe pazareve politike ndërpartiake. Praktikisht në përzgjedhje nuk ka asnjë kriter profesional", thekson Istogu. Sipas tij, ky është një dështimi total i diplomacisë sonë, e cila nuk është e përfaqësuar në nivelin e ekspertëve dhe nuk ka kapacitete intelektuale për të adresuar dhe zgjedhur problemet e biznesit, as për të thithur investimet nga jashtë. 

Meha: E pritshme që diplomacia ekonomike ka dështuar në prurje të investimeve

Eksperti i integrimeve evropiane në fushën e ekonomisë, Xhevat Meha, theksoi për "Kosova Sot" se diplomacia ekonomike e Kosovës ka dështuar në prurjen e investimeve dhe kjo është e pritshme."Pse e pritshme? Diplomacia ekonomike është vetëm njëra nga hallkat e sistemeve që funksionojnë në Kosovë. Një hallkë si e vetme edhe po të dojë nuk mund të funksionojë si e vetme", është shprehur Meha. Ai shton se çështja është se në të gjitha hallkat e sistemeve në Kosovë Serbia ka arritur pa ndonjë vështirësi të instalojë agjenturën e vet dhe t'i fusë nën kontroll të gjitha institucionet e Kosovës."Nuk mund të pritet diplomaci ekonomike e suksesshme pa e çmontuar së pari rrjetin e këtyre spiunëve, të cilët kanë ndërtuar struktura shumë të fuqishme në Kosovë", është shprehur ai. Analisti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot" theksoi se është koha për diplomaci ekonomike, që do të ndikonte edhe në diplomacinë politike, por me këtë qeveri dhe me Behgjet Pacollin në krye të diplomacisë nuk pritet të ndodhtë asgjë."Së pari, ai po e bind çdo ditë opinionin që nuk është për atë punë dhe deri më sot nuk mund t'i kujtohet asnjë sukses që nga marrja e mandatit, vetëm shkrep foto me diplomatë të huaj sa për t'i hedhur pluhur në sy opinionit, por njëherësh ky po e shfrytëzon pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme për lobim të biznesit të vet", është shprehur ai. Kadriaj thotë se rasti më i freskët është ai i nënshkrimit të kontratës me Emiratet e Bashkuara Arabe për ndërtimin e Spitalit Pediatrik në QKUK. "Pra, profili i tij i krijuar nuk mund të bëjë diplomaci ekonomike. Së pari paraqitja dhe elokuenca e tij e dobët në paraqitje, që nuk reflekton tek shtetet tjera, por njëherësh profili i tij si biznesmen nuk mund të akceptojë që të japë, por vetëm të marrë ose të japë duke e llogaritur kthimin e leverdishëm. Nëse me ministrat e mëhershëm të punëve të jashtme ka ngecur lobimi për Kosovë me Behgjet Pacollin i është kthyer ora mbrapa. Falë ndikimit të miqve ndërkombëtarë që e ndalën lobimin e diplomacisë serbe, se përndryshe filluan të diskutohet edhe tërheqja e njohjeve për Kosovën", është shprehur ai. 

Neziraj: Ambasadat, me persona joprofesionistë

Ish-deputeti Xhevdet Neziraj për gazetën "Kosova Sot" thotë se dështimi i një diplomacie të fortë e të mirëfilltë ekonomike ka ndodhur në emërimin e ambasadorëve dhe stafit të ambasadave ku janë zgjedhur njerëz në baza të vijave partiake, familjare dhe persona joprofesionistë në lëmin që ata kryejnë shërbime. Ai thotë se po të shikojmë përbërjen e të emëruarve në ambasadat tona që nga ambasadori dhe stafi tjetër përcjellës nuk është vështirë që të dihet se ata njerëz cilës parti i përkasin. "Është e kuptueshme se Ambasada si mision më i lartë diplomatik në një shtet të huaj, e që kryesohet nga ambasadori, duhet të jetë një figurë e fuqishme politike dhe diplomatike dhe edhe nëse ka qenë anëtar i ndonjë subjekti politik nuk është me rëndësi, por jo edhe që të dërgojnë njerëz vetëm se janë familjarë të tyre ose të dëgjueshëm për subjektet e tyre", është shprehur ai. Neziraj thotë se në ambasadat tona duhet që të dërgohen njerëz shumë profesionistë që merren edhe me çështjet ekonomike dhe që njohin mirë se çka duhet të veprohet për thithjen e investimeve të huaja që janë shumë të domosdoshme për zhvillimin e vendit tonë. "Nuk ka rëndësi se cilit subjekt politik të vendit i takon, por të emërohen njerëzit më të mirë edhe profesionistë të fushave përkatëse, sidomos vendit tonë i duhet një diplomaci ekonomike shumë e fuqishme, me qëllim të prezantimit të pasurive të vendit tonë që do të ishin atraktive për investitorët e vendeve të huaja", është shprehur ai. Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për "Kosova Sot" theksoi se diplomacia ekonomike në Kosovë nuk ka ekzistuar e as nuk ekziston, sepse për të pasur një shtet diplomaci, ai shtet duhet të ketë ekonomi të mirë. Sipas Grapcit, Kosova ka dështuar në diplomacinë ekonomike, duke i mbrojtur individët politikë dhe biznesmenët. 

(Kosova Sot)