Paralajmërimi i fundit për SUNDIMTARËT E KOSOVËS

  • 22 May 2018 - 08:05
Paralajmërimi i fundit për SUNDIMTARËT E KOSOVËS

Nuk ka Evropë pa sundim të ligjit

"I gjithë ky sinjal po tregon se BE-ja nuk do të falë të gjithë ata që favorizojnë një kastë kriminele politike, por do të marrë hapa drejt izolimit të tyre në jetën politike. E gjithë kjo na tregon se BE-ja është e shqetësuar me demokracinë dhe liderët politikë në Kosovë dhe do të ketë një lloj plani apo strategjie për t'i ndaluar ata", potencoi analisti politik Ali Hertica për gazetën "Kosova Sot"

Bashkimi Evropian ua bën me dije liderëve të Ballkanit Perëndimor se veprimet e tyre më shumë ngjajnë me sistemet autokratike sesa me demokracinë dhe se ata më tutje nuk do të mbyllin njërin sy ndaj veprimeve negative në regjion në emër të 'stabilitetit', sikur në të kaluarën. Por, analistët politikë mbesin në dilemë se a do të vazhdojë BE-ja që t'i amnistojë dhe të favorizojë klasën politike të inkriminuar në Kosovë. Ata vlerësojnë se shtetet e BEsë janë të shqetësuara me demokracinë e brishtë që po mbretëron në Kosovë dhe kanë përgatitur një plan e ia kanë dhënë lidershipit të Kosovës. Aty thuhet se Ballkani Perëndimor është larg respektimit të vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit, duke krijuar hapësirë për kundërshtarët e demokracisë dhe krahun e djathtë neofashist. Sipas analistëve, në të ardhmen e afërt BE-ja nuk do të përkrahë edhe më tutje liderët e inkriminuar në emër të stabilitetit politik, por do të kërkojë veprime konkrete në shërbim të qytetarëve dhe vendeve respektive.

Mungesa e perspektivës

Analisti politik Arsim Haziri për "Kosova Sot" tha se familja evropiane do të duhej të tregohej qysh herët mërigoroze dhe kushtëzuese ndaj politikës së Ballkanit Perëndimor, e cila shkon në shpërputhje me vlerat produktive, të cilat i ka kultivuar BE-ja. "Kosova, vendi me pavarësinë më të re, fatkeqësisht përballet me mungesë perspektive të përgjithshme dhe kjo agjendë është shtyrë nga disa liderë, të cilët edhe masivisht janë mbështetur nga vetë BE-ja", u shpreh ai "BE-ja ka qenë dashur të ushtrojë tjera rregulla e presione, në mënyrë që Kosova të mos identifikohet si vend i krijimit të akteve negative. Kjo linjë, pra negative, ka gjetur vend edhe në Serbi e Maqedoni, të cilat gjithnjë e më tej kanë aplikuar politika diskriminuese dhe seleksionuese në kontekstin fetar. Madje tek shteti fqinj, Serbia, BE-ja gjithnjë pothuajse në mënyrë të vetëdijshme ka përkrahur politikën e saj fashiste, madje Kosovën është duke e përdorur si mundësi për avancimin e Serbisë", vlerësoi Haziri. "Krejt çka konsideroj në relacion me BE-në është trajtimi i gjithë shteteve të Ballkanit në mënyrë të barabartë, pasi vetë themelimi i saj konsiston në barazi dhe liri, duke mos iu nënshtruar asnjëherë cenimit", vijoi më tej ai. Ndërsa eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, juristi Blerim Burjani, për gazetën'Kosova Sot", tha se nuk ka parti që udhëheq në Kosovë si duhet dhe në pajtim me rregullat e demokracisë, ky sundim partiak me elemente kriminale ka sjellë në mënyrë të konsiderueshme probleme në të gjithë sektorët shtetërorë, duke filluar nga sundimi anarkik dhe zhvatja e buxhetit. "BE-ja nuk mund të ndërhyjë në vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të përcaktuar udhëheqjen e as për të orientuar elektoratin, ngase kjo është një e drejtë ekskluzive e qytetarëve të Kosovës që nuk janë të vetëdijshëm së çfarë të bëjnë, ngase me këtë klasë politike kriminale dhe anarkike nuk shkohet përpara dhe Kosova ka probleme të mëdha në integrim në BE", theksoi ai.

"BE-ja do të jetë e ashpër ndaj të gjithë atyre që janë shkelësit e demokracisë dhe dominojë si autokratë në shoqërinë moderne", tha Ali Hertica për "Kosova Sot" 

"Nevojitet një vetëdijesim dhe emancipim i votuesit dhe i popullit kosovar që t'i zgjedhin të besuarit e vet adekuatë dhe kjo duhet që të ndodhë në radhë të parë në partitë politike kur janë zgjedhjet partiake, por edhe në zgjedhjet e rregullta nacionale dhe ato lokale", tha Ilir Fetahu për "Kosova Sot"

"Kosova duhet që të ndryshojë me një klasë të re politike, përndryshe mbetet në geto, e izoluar, në mënyrë të heshtur dhe gjithmonë me një vlerësim të njëjtë të BE-së", theksoi Blerim Burjani

Liderët e shantazhuar

Analisti politik Ali Hertica për gazetën "Kosova Sot" tha se veprimet, të cilat sot liderizmi i Ballkanit po i shfaq në skenën politike, i ngjajnë sistemit autokratik dhe jo një demokracie moderne, ku asnjë lider evropian nuk do të jetë tolerant ndaj këtyre matrapazëve politike me veprime të tyre negative për demokracinë moderne dhe shoqërinë liberale dhe për të kaluarën e tyre negative në regjion për stabilitetin paqësor. "I gjithë ky sinjal po tregon se BE-ja nuk do të falë të gjithë ata që favorizojnë një kastë kriminele politike, por do të marrë hapa drejt izolimit të tyre në jetën politike. E gjithë kjo na tregon se BEja është e shqetësuar me demokracinë dhe liderët politikë në Kosovë dhe do të ketë një lloj plani apo strategjie për t'i ndaluar këta", potencoi ai."Është e paraqitur edhe një skemë, e cila tregon se liderët e Ballkanit Perëndimor janë larg vlerave të demokracisë moderne dhe sistemi ligjor thuajse nuk funksionon fare për të krijuar drejtësi, por u jep hapësirë të manovrojnë banditë dhe grupe kriminale që janë në kundërshtim me ligjin dhe demokracinë", vlerësoi Hertica. Ndërsa analisti politik, Ilir Fetahu, tha për "Kosova Sot" se deklarimet e liderëve të BE-së kanë qenë të shpeshta se nuk do të tolerohet klasa e inkriminuar në Ballkan. "Por konsideroj se kjo më tepër është një presion dhe shantazh që u bëhet liderëve tanë dhe atyre të Ballkanit, sepse fundja edhe Evropa nuk është shumë e interesuar që të bëjë ndryshime radikale në këtë rajon ngase lidershipin në Kosovë i ka në dorë dhe i ka të verifikuar dhe e ka më lehtë që agjendat e veta t'i shtyjë me këta njerëz sesa në Kosovë të vjen një klasë politike e edukuar dhe shkolluar dhe pa hipoteka që e shohin të drejtën qytetare dhe të drejtën e Kosovës karshi BE-së", theksoi ai. Sipas tij, është populli i Kosovës ai që kësaj klase politike duhet që t'ia tregojë vendin.

Qytetarët kërkojnë elitë të re politike

Qytetarët tanë janë tejet të zhgënjyer me burokracinë e klasës politike të Kosovës. Ata po ashtu janë të mendimit se shtetet e BE-së janë të shqetësuara me demokracinë në Kosovë, prandaj kanë përgatitur një plan dhe ia kanë dhënë lidershipit të Kosovë dhe thuhet se Ballkani Perëndimor është larg respektimit të vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit, duke krijuar hapësirë për kundërshtarët e demokracisë dhe krahun e djathtë neofashist. Qytetari Albert Maloku thotë për "Kosova Sot" se pajtohet me vlerësimet e BE-së, sepse me të drejtë ata janë të brengosur me situatën në Kosovë, ngase kaluan 19 vite nga lufta dhe qytetarët tanë posaçërisht rinia jonë nuk e ka parë dhe nuk e gëzoi lirinë që e pritën me padurim."E tëra kjo po ndodh nga mosliberalizimi i vizave që vjen si rezultat i mosfunksionimit të shtetit ligjor", tha ai. Ndërsa qytetari kosovar që tash e 19 vjet jeton në SHBA, Rabit Abdylli, për gazetën "Kosova Sot" tha se po sheh se njerëzit janë të zhgënjyer me këto parti politike dhe liderët e tyre. "Andaj këta liderë dhe partitë e tyre duhet dërguar në shtëpi dhe t'u lëshojnë radhën të rinjve që po shkollohen në Kosovë dhe jashtë vendit. Edhe vërejtjet e BE-së janë me vend ngase ky lidership i tashëm i Kosovës është shpenzuar", vlerësoi ai. Sipas Abdylit, Kosova ka nevojë për forca të reja politike dhe këta politikanë duhet të shkojnë në shtëpi.

(Kosova Sot)