Devollët&CO të ballafaqohen me DREJTËSINË PËR AFERAT MILIONËSHE

  • 22 May 2018 - 08:10
Devollët&CO të ballafaqohen me DREJTËSINË PËR AFERAT MILIONËSHE

Grapci: Prokuroria e Kosovës duhet të ndriçojë sa më parë edhe rastin e kompanisë "Z-Mobile", e cila e ka sjellë PTK-në në prag të falimentimit

P as rastit të kompanisë " HIB- Petrolit", pronari i kësaj kompanie Kujtim Bucaliu,u dënua se me vetëdije ka mashtruar blerësin, Komunën e Prishtinës, duke vepruar në kundërshtim me kontratën, duke vënë në qarkullim produktin e naftës që nuk i përgjigjet konformitetit lidhur me lëndët djegëse, me ç'rast i kanë shkaktuar Komunës së Prishtinës dëm në vlerë të madhe. Pronari Bucaliu u dënua me dënim unik, prej 4 vjet burgim, si dhe dënim me gjobë në vlerë 15 mijë euro. Por, njohësit e ekonomisë dhe përfaqësuesit e naftëtarëve, thonë se nuk ka ndodhur vetëm ky rast, prandaj drejtësia e Kosovës duhet që të veprojë edhe ndaj plot rasteve të tjera që po abuzojnë me ligjin dhe që janë në lidhje të afërta e në bashkëpunim me politikanët e korruptuar, pasi të njëjtët janë duke bërë kërdinë në shëndetin publik dhe në ekonominë e tregut, përfshirë rastet e krundeve për kafshë që janë shitur si miell human për bukë nga Shkëlqim Devolli. Veç saj, është edhe mishi i prishur që është shitur nga kompanitë e deputetit Ramiz Kelmendi, por edhe shumë skandale të tjera që po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, duke u kurorëzuar me monopolet kriminale të homologimit e kontrata kriminale me " Z-Mobile",që e bankrotoi ish-gjigandin ekonomik Telekomin e Kosovës. Me gjithë pyetjet e gazetës drejtuar në adresat elektronike të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Prokurorisë Speciale si dhe afaristëve Shkëlqim dhe Blerim Devolli, Ramiz Kelmendi, si dhe Kujtim Bucaliut, të njëjtët nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën.

"Qeveria 'Haradinaj' duhet që të bëjë edhe më shumë për plotësimin e infrastrukturës ligjore dhe teknike në reformimin dhe forcimin e sistemit të drejtësisë", tha Xhevdet Neziraj për "Kosova Sot"

"Vëllezërit Devolli duhet që të dënohen me dënime maksimale dhe me gjobë maksimale, kurse njëjtë duhet që të dënohet edhe afaristi Ramiz Kelmendi, ndërsa kompania e tij duhet që të mbyllet", tha Dardan Grapci për "Kosova Sot" 

Shkelësit e ligjit të ndëshkohen

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot" tha se jo vetëm ky rast, por të gjitha rastet që kanë të bëjnë me shkeljet ligjore, e sidomos këto veprime që njerëzit i bëjnë me vetëdije, duke e dëmtuar jetën e qytetarëve të vendit dhe buxhetin e shtetit, janë për t'u përshëndetur. "Askush në këtë vend nuk duhet të ndihet i qetë kur të shkelet ligji, e sidomos kur ligji shkelet me vetëdije dhe për përfitime të individëve", vlerësoi ai. "Shteti ligjor duhet që të veprojë, pa marrë parasysh se kush është dhe asnjëherë nuk duhet të dorëzohet para shkelësve të ligjit. Është për të përshëndetur çdo veprim të Qeverisë dhe Gjyqësorit që kur veprojnë për raste të tilla me ata që bien në kundërshtim me ligjin. Prandaj të gjitha institucionet duhet të punojnë për sundimin e ligjit, sepse sundimi i ligjit është parakusht për mundësinë e zhvillimit të gjithmbarshëm, e sidomos për një ekonomi të fuqishme", vlerësoi ai. "Vendi ynë ka ligje të mira, që janë plotësisht me standardet evropiane,por ne kemi problemin me zbatimin e këtyre ligjeve në praktikë, e për zbatimin e ligjeve nuk duhet që të ketë kompromise dhe sidomos me ata që me vetëdije bëjnë shkelje të ligjit, duke i shkaktuar dëme edhe shëndetit të qytetarëve të vendit, por edhe buxhetit të vendit", potencoi Neziraj.

Pas çdo skandali ekonomik, politika e inkriminuar

Eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot", tha se është obligim i gjykatave në vend që të vendosin drejtësinë e merituar për secilin biznes, qytetar apo njerëz të politikës. "Më skandaloze duhet të jetë që në Qeverinë e tanishme kemi ministra me aktakuza, ku dihet që këta për punën që bëjnë paguhen nga taksapaguesit kosovarë dhe këtu duhet që gjykatat në vend të jenë më vigjilente. E them këtë, sepse edhe skandalet me furnizimet me derivate jocilësore, drithërat dhe mish po këto biznese janë ose biznese të lidhura me politikën ose biznese të politikanëve, që tanimë është fakt", vijoi më tej Kadriaj. "Është për të ardhur keq sa ka degraduar biznesi në Kosovë, ku bizneset më të mëdha janë të zhytura në aferat korruptive që natyrisht këto shkelje i kanë bërë në bashkëpunim me njerëz të pushtetit, që pista e hetimit nuk do të duhej të ndalej vetëm tek biznesi, sepse Kosova derivatet, mishin dhe drithërat i importon, kështu që shkelja e parë ka ndodhur në Doganën e Kosovës", u shpreh ai.

GURAZIU:TË HETOHEN RASTET E KRUNDEVE PËR KAFSHË QË PO SHITEN SI MIELL HUMAN PËR BUKË NGA SHKËLQIM DEVOLLI, MISHI I PRISHUR QË SHITET NGA KOMPANITË E DEPUTETIT RAMIZ KELMENDI…

Analisti Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot", se kërdia që po bëhet në shëndetin publik dhe në ekonominë e tregut nuk ka të ndalur, andaj drejtësia duhet patjetër të veprojë. "Drejtësia duhet të veprojë edhe ndaj plot rasteve të tjera që po abuzojnë me ligjin dhe këtë po e bëjnë në bashkëpunim me politikanët e korruptuar, duke bërë kërdinë në shëndetin publik dhe në ekonominë e tregut", theksoi ai. "Pas rastit të kompanisë 'HIB-Petrolit', atëherë çka pret drejtësia dhe prokuroria, dhe ku jemi ne tani me sektorin ekonomik që nga matrapazët dhe kriminelët ekonomikë, që në bashkëpunim me politikanët e korruptuar, e shtrinë përtokë ekonominë e Kosovës", ka thënë ai. "Në hetime duhet përfshirë rastet e krundeve për kafshë që po shiten si miell human për bukë nga Shkëlqim Devolli, mishi i prishur që shitet nga kompanitë e deputetit Ramiz Kelmendi, por edhe shumë skandale të tjera që po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, duke u kurorëzuar me monopolet kriminale të homologimit, si edhe kontrata kriminale me 'Z-Mobile', që e bankrotoi ish-gjigandin ekonomik Telekomin", vlerësoi Guraziu. "Tani nuk duhet pritur më, por duhet drejtësia të veprojë edhe ndaj plot rasteve të tjera që po abuzojnë me ligjin dhe në bashkëpunim me politikanët e korruptuar janë duke bërë kërdinë në shëndetin publik dhe në ekonominë e tregut", theksoi Ragip Guraziu për "Kosova Sot". 

Rastet e rënda përfundojnë me dënime simbolike

Ekonomisti Dardan Grapci, për "Kosova Sot", tha se, ndonëse drejtësinë e kemi shumë të ngadaltë dhe duhet që të jetë më azhure, prapëseprapë ka shumë raste që në fund personat përgjegjës edhe po gjobiten apo po dënohen thuajse disa vjet pas rastit. "E keqja është se ata po dënohen me dënime simbolike dhe në burg si dhe me financa po ashtu simbolike, krahasuar me kompanitë që janë me qarkullim milionësh. "Drejtësia në Kosovë duhet që të veprojë edhe me rastet e tjera, por jo në këtë mënyrë, siç ka përfunduar i pronarit të 'HIB-Petrol'-it. Kjo për shkak se duhet ditur se mafio-oligarku Shkëlqim Devolli ka futur miell për kafshë dhe i njëjti më pas është shitur si miell për ushqim të qytetarëve", vijoi më tej ai."Veç saj, është edhe rasti i 'ETC'-së, që është kompania e deputetit të Kuvendit të Kosovës Ramiz Kelmendi, e cila dita- ditës po e shton numrin e skandaleve, duke shitur edhe mish me afat të skaduar ose te prishur, ndërkohë që dënimet ishin simbolike", theksoi ai. Ndërkaq, sipas Grapcit, Prokuroria e Kosovës duhet të ndriçojë sa më parë edhe rastin e kompanisë " Z-Mobile", e cila i ka bërë shumë dëme PTK-së dhe ekonomisë në vend duke e sjellë atë në prag të falimentimit.

Pa qeverisje me duar të pastra, nuk ka ardhmëri ekonomike

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës , Ramadan Maloku, për gazetën Kosova Sot", tha se drejtësia e vendit në asnjë mënyrë nuk duhet që të jetë selektive, ngase para ligjit duhet që të jenë të gjithë të barabartë. "Kur e them këtë mendoj se, veç rastit të 'HIB Petrolit', ku pronari i kësaj kompanie u dënua me dënim unik, prej 4 vjet burgim si dhe dënim me gjobë në vlerë 15 mijë eurove, pati edhe shumë raste të tjera", u shpreh ai. "Drejtësia duhet që të veprojë edhe ndaj plot rasteve të tjera që po abuzojnë me ligjin, sepse ligji dhe shteti nuk guxojnë që të jenë për dikë nënë e për dikë njerkë. Ngase, të paktën kështu pati premtuar kryeministri i tashëm, Ramush Haradinaj", vijoi më tej Maloku. "Pa një qeverisje me duar të pastra nuk ka ardhmëri për Kosovën", ka vlerësuar ai. Sipas tij, drejtësia në Kosovën e pasluftës ka qenë pika më e dobët, që ka dëmtuar tej mase edhe zhvillimin ekonomik, duke larguar investitorët seriozë.

(Kosova Sot)