Guraziu: Pse ka heshtur edhe Gjykata Speciale?!

  • 22 May 2018 - 12:05
Guraziu: Pse ka heshtur edhe Gjykata Speciale?!

 Analisti Ragip Guraziu vlerëson se kompromiset në dëm të shtetit të Kosovës, në këtë proces bisedimesh, janë bërë dhe po rrezikojnë të përmbyllen si të tilla për shkakun se Presidenti Hashim Thaçi tani e ka kuptuar se kjo është karriera e tij e fundit politike.

"Tani siç po flitet, ka përgatitur terrenin Hashim Thaçi, që t'i shkojë deri në fund sipërmarrjes, me gjasë të fundit në karrierën e tij politike, pasi që arriti të përçajë politikën kosovare, e bëri pikë e pesë opozitën dhe i ka futur në sistemin korruptiv ish-rivalët e ashpër që e sulmonin kur ishte në opozitë. Po si shpjegohet ndryshe, kur që tani më kur letrat janë hapur për fazën e fundit të dialogut me Serbinë, "çuditërisht", ka heshtur edhe Gjykata Speciale, e ngritur pas shumë presioneve, për të gjykuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, siç përmenden në raportin e Dik Martit, e që ka shtyrë edhe publikimin e aktakuzave të para ndryshimi e zëvendësimi i prokurorit kryesor, ndërsa a janë arsyet e vetme që po e shtyjnë veprimin e Gjykatës vetëm politike, duhet të besojmë se po", vlerë- soi ai."Kur kemi parasysh se janë bërë pazare të pista nga Hashim Thaçi në prapaskenat e takimeve me Vuçiqin dhe me ndërmjetësimin e udbashëve, që janë në fushatë ofensive aktualisht, e të cilat mund ta çojnë Kosovën drejt një kompromisi përtej Pakos së Ahtisarit, që edhe ashtu ishte një kompromis tepër i dhimbshëm për vendin, për këto Thaçi nuk e ka mandatin e qytetarëve dhe po këta qytetarë të Kosovës nuk mendojnë që ta pranojnë një bosnjëzim të vendit, vetëm e vetëm që një "lider i paqenë kurrë", cilido qoftë ai, të amnistohet nga drejtësia...", vlerësoi Guraziu për "Kosova Sot". 

"Nuk shkon kjo, që për interesa puro personale vendi të paguajë një kosto që do të rëndojë mbi breza të tërë. Kompromisi që po përflitet, në fakt është një goditje e rëndë për Republikën e Kosovës, duke goditur rëndë të ardhmen e saj në stabilitetin shtetëror, në sovranitetin dhe integritetin territorial", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot

(Kosova Sot)