Kosova ngre Memorial për ushtarët e rënë të KFOR-it

  • 22 May 2018 - 17:20
Kosova ngre Memorial për ushtarët e rënë të KFOR-it

Qeveria e Kosovës ka filluar ndërtimin e një memoriali në Prishtinë në shenjë respekti për ushtarët e KFOR-it që kanë vdekur që nga viti 1999 kur NATO hyri në Kosovë.

Rreth 160 ushtarë të vendeve anëtare dhe jo anëtare të NATO-s kanë vdekur në 19 vitet e fundit kryesisht në aksidente. Në vitin 2006, në një aksident ajror afër kufirit Hungari-Sllovaki kanë vdekur 42 ushtarë sllovakë derisa po ktheheshin në vendin e tyre pas shërbimit në Kosovë.

“Kjo ka për qëllim dhënien ose tregimin e respektit dhe falënderimit të Qeverisë dhe popullit të Kosovës për NATO-n dhe për shtetet veç e veç që kanë kontribuar në arritjen dhe ruajtjen e sigurisë në Kosovë gjatë krejt këtyre gati dy dekadave”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëvendësministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë, Burim Ramadani.

Përurimi i memorialit do të bëhet me datë 12 qershor në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Në vitin 1999 kur lufta përfundoi, NATO kishte mbi 50 mijë paqeruajtës, ndërsa sot janë rreth 4,500.

 

(Kosova Sot)