Pesë presidentët më të varfër amerikanë

  • 22 May 2018 - 21:00
Pesë presidentët më të varfër amerikanë

JO TË GJITHË ISHIN APO U BËNË TË KAMUR 

Harry S. Truman

Presidenti i 33-të i SHBA-së kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij me probleme financiare. Ai kishte një edukim modest dhe vite të tëra të investimeve të këqija. Pasi që i kaloi mandati presidencial, Truman dhe gruaja e tij Bess shkuan për të jetuar në shtëpinë e vjehrrës së presidentit. Për shkak të gjendjes së vështirë, Truman ishte ndër presidentët e parë amerikanë që mori pension, sa për të mos vdekur urie. 

Ulysses S. Grant

Presidenti i 18-të i Amerikës, Ulysses S. Grant, vdiq trokë. Ai humbi 100,000 dollarë, pasi që u mashtrua nga partneri biznesor i të birit, Ferdinand Ward, gjë që e çoi atë në falimentim. Por, edhe para kësaj, Grant njihej për faktin se shpenzonte më shumë para sesa që kishte. Por, pasardhësit ia panë atij hairin pas vdekjes, meqë memoaret e tij u shitën për rreth gjysmë milioni dollarë. 

William Henry Harrison

Fati i keq mund ta ketë pasur fajin për problemet financiare të William Henry Harrisonit, presidentit dritëshkurtër të nëntë të SHBA-së. Një karrierë në ushtri, e më pas në shërbim civil, nuk ia mundësoi atij që të grumbullonte pasuri. Ai varej nga të ardhurat e arave të tij. Kur vdiq, një muaj pas inaugurimit, ai faktikisht nuk kishte qindarkë në xhep. Kongresi ia ndau gruas së tij një pension vjetor. 

Thomas Jefferson

Për pjesën më të madhe të jetës së tij, Thomas Jefferson ishte njëri ndër presidentët më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Ai kishte lindur i pasur, kishte rreth 200 skllevër dhe, në një moment, pasuria e tij ishte e barabartë me 212 milionë dollarë. Por, më pas, autori i Deklaratës së pavarësisë dhe themeluesi i Universitetit të Virxhinias, u zhyt deri në fyt në borxhe. Vajzës së tij nuk i la kurrfarë pasurie, prandaj, pas vdekjes së tij, ajo u detyrua që të jetonte nga bamirësia e të tjerëve. 

James A. Garfield

Presidenti i 20-të amerikan kishte lindur i varfër. Ai kishte bërë punë ndër më të ndryshmet që të mund të studionte. Pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi shërbimit civil dhe kurrë nuk bëri ndonjë pasuri. Kur u vra, në vitin 1881, ai ishte plotësisht xhepzbrazur.

 

(Kosova Sot)