Aliu: Vetëm nga zori dhe dëshpërimi, qytetarët po ikin nga Kosova

  • 23 May 2018 - 12:38
Aliu: Vetëm nga zori dhe dëshpërimi, qytetarët po ikin nga Kosova

Analisti politik, Bislim Aliu thekson se me të vërtetë, vetëm nga zori dhe nga dëshpërimi, qytetarët po ikin nga Kosova, duke mos pasur as edhe shpresën më të vogël, se një ditë do të bëhet më mirë.

"Dhe, për këtë kemi ardhur në një gjendje katastrofale, kur realisht pritet që në vitin e ardhshëm ta godasë Kosovën edhe një eksod i ri masiv, meqë ka humbur edhe shpresa e fundit te qytetarët dhe kjo do të sjellë pasoja të rënda dhe afatgjate", u shpreh ai.

Letra prekëse e djalit të dëshmorit Sipas Aliut, rasti i Petrit Dervishit, djalë i një dëshmori nga Kopiliqi i Skenderajt, i cili përmes një letre babës së vdekur, i kërkon falje se po e lëshon Kosovën dhe po e merr rrugën  e mërgimit, është ilustrim i kësaj gjendje të rëndë. "Ai në këtë letër thotë: "Kosova është vendi më i mirë për të jetuar për të korruptuarit, dallaveraxhinjtë, mashtruesit, gënjeshtarët, por jo të rinjtë, të cilët me diploma në xhep enden rrugëve të qyteteve, të pashpresë duke kërkuar së koti punë dhe për të pasur së paku një jetë normale, një kulm mbi kokë dhe bukë për të ngrënë", vijoi më tej ai. "

Vetëm në Kosovën tonë mund të ndodhë që pushtetarët dhe shefat e mëdhenj që më se 20 vjet merren me politikë e pushtet dhe gjoja të vetmet të ardhura i kanë pasur këto paga, që sillen prej 700 deri në 1500 euro, e kanë arritur të 'akumulojnë" pasuri dhjetëra milionëshe, ndërsa populli vuan edhe për bukë goje dhe s'ka rrugëdalje tjetër përpos mërgimit dhe ikjes nga Kosova", theksoi Aliu për "Kosova Sot".  

"A thua, deri kur Kosova do të vazhdojë të sundohet nga mafiooligarkët dhe nëntoka kriminale, deri kur Kosova do të jetë vend i të korruptuarve, dallaveraxhinjve, mashtruesve e gënjeshtarëve", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)