Presidenti s'e dekreton ende Radomir Labanin për gjyqtar, kërkon verifikime shtesë

  • 24 May 2018 - 11:57
Presidenti s'e dekreton ende Radomir Labanin për gjyqtar, kërkon verifikime shtesë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do ta dekretojë Radomir Labanin për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Zyra për informim e Presidencës ka thënë se dekretimi nuk do të ndodhë deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë.

“Mund ta konfirmojmë se për shkak të dyshimeve të ngritura për të kaluarën e z. Laban, Presidenti i Republikës së Kosovës nuk do ta bëjë dekretimin e tij, derisa organet kompetente të sigurisë dhe drejtësisë nuk e bëjnë verifikimin e plotë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Radomir Laban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Laban është dënuar nga autoritetet serbe me gjashtë vjet burgim nën akuzën për marrje ryshfeti.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të mos e dekretojë Radomir Labanin në pozitën e gjyqtarit.

Kërkesë të tillë ka bërë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, duke kërkuar një verifikim të së kaluarës së tij.

(Kosova Sot)