Dënohet për korrupsion partia që qeveris Spanjën

  • 24 May 2018 - 19:20
Dënohet për korrupsion partia që qeveris Spanjën

Partia Popullore (PP) në pushtet në Spanjë u dënua për pasurim të paligjshëm dhe korrupsion në shkallë të gjerë, ku 29 të akuzuar, përfshirë ish-drejtues të lartë të PP-së u dënuan me 351 vite burg gjithësej, njoftoi sot gjykata.

Partia Popullore e kryeministrit Mariano Rajoy njoftoi menjëherë në një deklaratë se do të apelonte vendimin e Gjykatës Kombëtare, që e dënon të paguajë 245.492 euro për përfshirje me qëllim përfitimi në një sistem të gjerë rryshfetesh në këmbim të kontratave publike.

Dy drejtuesit kryesorë të rrjetit, ish-arkëtari i Partisë Popullore, Luis Barcenas dhe biznesmeni Francisco Correa u dënuan përkatësisht me 33 vite e katër muaj burg dhe 51 vite e 11 muaj.

Nga 37 të akuzuarit, 29 u dënuan me një masë të përgjithshme prej 351 vite burg kryesisht për korrupsion, përvetësim fondesh dhe pastrim parash.

Në përfundim të një mega procesi gjyqësor, i cili vijoi nga muaji tetor i vitit 2016 deri në nëntor të 2017, Gjykata Kombëtare spanjolle u shpreh me anë të fakteve për ekzistencën e një rrjeti që përfitonte kontrata publike në këmbim të fondeve në bashkitë e Madridit dhe të Castille-Léon mes viteve 1999 dhe 2005.

 

(Kosova Sot)