Julia Skripal jep intervistën e parë pas helmimit: Tentuan të na vrisnin

  • 24 May 2018 - 22:48
Julia Skripal jep intervistën e parë pas helmimit: Tentuan të na vrisnin

Julia Skripal flet për të parën herë publikisht pas helmimit, që për pak i mori jetën asaj dhe të atit, ish-agjentit rus Sergei Skripal. Përpara mediave, 33-vjeçarja e quan helmimin “tentativë vrasjeje” por pa e drejtuar gishtin ndaj askujt.

“Pas 20 ditësh në koma, u zgjova me lajmin se ne mund të ishim helmuar. E kam ende të vështirë ta pranoj faktin se u sulmuam në atë mënyrë. Është shokuese, që për këtë u përdor gaz nervor. Jemi me fat që mbijetuam”.

Detajet e sulmit i ka bërë publike edhe në një letër. Nga xhirimet dallohet ndryshimi i theksuar i pamjes fizike që ajo ka pësuar pas helmimit. Ambasada ruse në Londër hodhi dyshime për gjendjen e saj shëndetësore dhe se mund ta kenë detyruar të thotë gjëra që ia kanë diktuar të tjerë. Ndërsa 6-vjeçari Sergei Skripal vijon të kurohet në spital jashtë rrezikut për jetën. Babë e bijë u gjetën të paralizuar më 4 mars në një park në Salisbury.

Ata janë helmuar me një substancë që paralizon sistemin nervor dhe mund të shkaktojë vdekje. Hetuesit britanikë dyshojnë për helmin Noviçik, një formulë e zhvilluar nga ushtria sovjetike. Perëndimi akuzoi Rusinë për sulmin dhe shumë vende përfshirë Shqipërinë dëbuan dhjetëra diplomatë rusë si kundërpërgjigje.

 

(Kosova Sot)