Si u qepën emblemat dhe rrobat e para të UÇK-së

  • 25 May 2018 - 17:40
Si u qepën emblemat dhe rrobat e para të UÇK-së

ORGANIZIMI I LOGJISTIKËS SË UÇK-SË NË RAJONIN E PRIZRENIT

Logjistika e Landovicës i parapriu formave të organizuara të veprimit të një rezistence të luftës se UÇK-së në Kosovë, e cila shpejt u zhvillua edhe në qytetin e Prizrenit, aktivitetet e së cilës u orientuan në Malishevë, Jeshkovë, Therandë, Breshanc e Kosterc. Evokimet rreth kësaj logjistike në periudhën maj 1998-1999 e bëri Liman Asllani. Ai tregoi se si filloi angazhimi dhe pastaj ka referuar për mijëra ndihma si në ilaçe dhe mjete materiale e uniforma që është ndihmuar UÇK-ja."Para vitit 1998 ishim të përfshirë në aktivitete legale e ilegale Këshilli për Financa, SHB "Nëna Tereza", Klubet Sportive dhe Shoqëri Kulturore. Por, kishte kohë që ndihej nevojë për njëlloj aktiviteti tjetër. Ideja ishte që organizimi ynë të kishte hierarkinë e vet, në mënyrë që mos të futej trupi i huaj e ta rrezikonim cilindo veprimtar e njëherësh edhe veten. Si një grup i organizuar në përbërje: Sadik Rexha, Safet Dorambari,Naim Besimi dhe Liman Asllani, në maj të vitit 1998, u nisëm në zonat e UÇK-së. Në Breshancë e takuam Gafurr Elshanin që ishte kthyer nga Zvicra dhe ishte vënë në vijat e para", u shpreh ai. Shtoi se në qershor 1998 u siguruan micat, makina për qëndisje të emblemës së UÇK-së nga Jonuz Rada."U sigurua softueri për shtypjet e emblemave nga Turqia, të cilat i solli Enver Thaçi, dizajnin e punoi Tahir Hoxha. U aftësuan punëtorët Nexhat Krasniqi dhe Feim Mazreku dhe u sigurua materiali për punë. U sigurua aparati i fotokopjes, gjeneratori, telefonat dhe faksi", është shprehur ai.

Pajisjet mjekësore për sallat e operacionit

Asllani theksoi se në Jeshkovë dorëzuan pako të barnave dhe gjëra të tjera higjienike." Barnat në shumicën e rasteve siguroheshin nga Zijadin Gashi dhe Adnan Daullxhiu". Asllani shtoi se ndihej nevojë për pajisje mjekësore, veçmas për sallë të operacionit, për çka Tyrhan Gjergjizi ofroi mjafte stabilimente që ia kishte dërguar vëllai nga Belgjika. "Nga logjistika e Landovicës na njoftuan se komandant Ekrem Rexha kishte kërkuar në telefonin satelitor që të gjendej një mënyrë për ta tërhequr nënën e tij nga Prizreni. Në shtator 1998, në ofensivën e Jeshkovës, nga goditja e granatës u lëndua dr. Sherif Krasniqi. Ai u strehua në qytet, ku iu bashkëngjit dhe bashkëshortja dhe mbijetoi. Sakrificë individuale dhe familjare në këtë rast bënë Sehare Brika, Salim Xhejlani, prof. dr. Orhan Kubati, dr. Halim Prekadini, familja e Baki Kastratit kishte strehuar një të plagosur nga komuna e Shtimes", është shprehur ai. 

Modelet ushtarake

Sipas Asllanit, në janar 1999, për nevoja të Brigadës 125 duhej qepur rroba. "Problemi qëndronte te modelet ushtarake. Për këtë Isuf Elshani siguroi rrobaqepësin Bari Kovaçi, i cili punoi disa shabllone dhe aftësoi disa femra në shtëpinë e Hasan Morinës në Medvec për punë. Pasi makinat shtëpiake ishin të dobëta, ai dhuroi një makinë profesionale, që mundësoi punë të pandërprerë, ku vetëm rrobaqepëset ndërroheshin", është shprehur Asllani. Ai shton se në shkurt-mars 1999 furnizuan dhe punuam në kërkesë të komandantit Ekrem Rexha emblema të UÇKsë."Puna u bë në garazh me mure të dyfishta të Safet Dorambarit dhe familjarëve të tij, Besa dhe Eshref Dorambari. Ekipi përbëhej nga Ergin Zurnaxhiu, Mensur Bozo dhe Artan Shola. U punua 10 ditë rresht nga 20 orë pa ndërprerë", është shprehur Liman Asllani. Ai thotë se në marrëveshje me shefin e SHP të UÇK-së, Bislim Zyrapi, dhe me komandantin e ZOP-it, Ekrem Rexha, hartuan dhe realizuam programin për grumbullimin e mjeteve financiare për ZOP. Doktor Sherif Krasniqi për "Kosova Sot" evokoi një pjesë të kujtimeve të tija për luftën dhe logjistikën e këtij qyteti. 

(Kosova Sot)