Jetën ia shpëtoi aplikacioni i celularit

  • 25 May 2018 - 18:22
Jetën ia shpëtoi aplikacioni i celularit

ZBULOI SE KISHTE KANCER TË LËKURËS

37 vjeçja e hoqi nishanin me operacion

Një grua, e cila deri para pak vjetësh e kishte bërë zakon që të rrezitej vend e pa vend, thuajse çdo ditë, për dhjetë vjet me radhë, zbuloi se kishte kancer të lëkurës, falë një aplikacioni në celularin e saj. Emma Proctor, 37 vjeçe, e hoqi nishanin me operacion, pasi zbuloi se ai kishte filluar që të ndryshonte, edhe pse, tash e ca vjet, ajo nuk ishte duke u rrezitur më. Ajo tregon se, përkundër faktit që verën e kaluar, një nishan në pjesën e poshtme të shpinës kishte filluar t'i kruhej, kishte ndryshuar në pamje dhe kishte filluar të kishte gjakderdhje, nuk kishte dashur që ta 'bezdiste' mjekun e saj me këtë problem. 

Kanceri ishte në një vend të papërshtatshëm në shpinë

Por, për ta hequr merakun, pasi edhe prindërit i thanë se nishani me të vërtetë kishte ndryshuar, ajo përdori aplikacionin e celularit, "SkinVision", i cili i tha që urgjentisht të shkonte te mjeku. Zonjusha Proctor, nga Preston, Lankashajër, më pas u referua te dermatologu, i cili i tha se kishte kancer të lëkurës, të llojit të karcinomës planocelulare, transmeton "Kosova Sot Online".Emma tregon sesi kanceri ishte në një vend të papërshtatshëm në shpinë, prandaj mezi e shihte atë në pasqyrë. Përpos prindërve, edhe partneri i saj i kishte thënë se nishani kishte ndryshuar. Por, ajo nuk kishte shkuar te mjeku deri në momentin e fundit, pasi, sikur që thotë edhe vet, 'nuk jam një njeri i cili për problemin më të vogël bën turr e shkon te mjeku'.  

Rrezitja e tepërt është njëri ndër faktorët kryesorë të paraqitjes së kancerit të lëkurës

Aplikacioni kërkon që personi ta bëjë një foto të nishanit për të cilin kemi shqetësime, e më pas ai nishan skanohet nga aplikacioni, për çdo ndryshim sado të vogël. Pas diagnostikimit të kancerit, mjeku i tha asaj se, nëse në shtëpi ke shtrat për rrezitje, shko e jepja atë armikut tënd më të madh. Dihet se rrezitja e tepërt është njëri ndër faktorët kryesorë të paraqitjes së kancerit të lëkurës. 

(Kosova Sot)