Edhe gjysmë miliardi NË DUART E OLIGARKËVE

  • 25 May 2018 - 08:08
Edhe gjysmë miliardi NË DUART E OLIGARKËVE

Zvarritja e Bordit të AKP-së vonon transferimin e shumë milionave 

Në planet e Qeverisë aktuale është paraparë që 400 milionët e procesit të privatizimit, që ka qenë fatal për ekonominë e Kosovës, t'i fusë në sistemin buxhetor. Përmes ndryshimeve ligjore AKP-së, do t'i mundësohet, sipas ministrit të Financave, Bedri Hamza, që të blejë bono të emetuara nga Qeveria e Kosovës. Një shumë 200 milionë euro do të jetë në dispozicion të AKP-së, kurse pjesa tjetër e fondit do të përdoret nga qeveria për nxitjen e zhvillimit ekonomik. Megjithatë, nuk dihet se në çfarë forme planifikohet nga ana e ekzekutivit të shpërndahen këto mjete dhe si do të maten rezultatet konkrete. Analistët druajnë se edhe këto fonde mund të kenë fatin e qindra miliona eurove, që përfunduan në xhepat e oligarkëve dhe klientelës së tyre. Deputetët, ndërkohë, kërkojnë që fondi i privatizimit të vihet në shërbim të ekonomisë

Deputetët kërkojnë shfrytëzim efikas të fondeve

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Safete Hadërgjonaj (PDK), për "Kosova Sot" tha se mjetet e AKP-së ka qenë dashur që të shfrytëzohen në Kosovë në projekte nga të cilat përfitojnë qytetarët e Kosovës."Mjete të tilla duhet t'u kthehen në investime qytetarëve tanë Prandaj, rregullimi ligjor që këto mjete të përdoren për projekte kapitale është i mirëseardhur", u shpreh ajo."Ne e kemi të planifikuar një shumë mjetesh për investime kapitale nga AKP-ja, por e keqja është se Bordi i AKP-së ende nuk është votuar dhe derisa të votohet bordi ato mjete nuk mund t'i shtohen buxhetit të Kosovës dhe rrezikojmë disa projekte kapitale që t'i realizojmë. Ngase janë në pyetje 85 milionë euro, por këto mjete mund të vijnë vetëm pas formimit të Bordit të AKP-së", vijoi më tutje ajo. Edhe deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti (Nisma), për gazetën "Kosova Sot", tha se fondet nuk rrezikohen."Të gjitha fondet e AKP-së duhet që të jenë në funksion të qeverisë për ta zhvilluar vendin. Ngase këto fonde na ofrojnë mundësi punësimi dhe të krijimit të një ekonomie të qëndrueshme që do të garantonte mirëqenie dhe punësim më të madh", vlerësoi ai. 

"Duke qenë dëshmitarë të deritanishëm, politikat qeveritare lënë shumë për të dëshiruar për investime në interes të ekonomisë dhe në përmirësim të jetës së qytetarit", potencoi analisti Mustafë Kadriaj për "Kosova Sot"

"Biznesi në Kosovë është në një situatë për të ardhur keq dhe nëse edhe brenda këtij viti, Qeveria e Kosovës nuk merr masa për ta rritur punësimin në vend, lirisht mund të them se janari i vitit 2019 do jetë muaji i largimit të qytetarëve nga Kosova, ashtu siç ka ndodhur para 2 - 3 viteve", tha Dardan Grapci për "Kosova Sot" 

Grupet e interesit mezi presin të zhvatin

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, thotë për "Kosova Sot" se parimisht qëllimi i mjeteve është që të futen në funksion të zhvillimit ekonomik duke ndikuar në investime, të cilat do të reflektonin në punësim dhe mirëqenie të qytetarëve që si tërësi do të ndikonin në brutoproduktin e përgjithshëm. "Në bazë të praktikave të deritanishme, duke zhvatur paranë publike nga njerëzit e politikës, ka pak shpresë që do të drejtohen mirë, por këto para do të zhvaten dhe do të drejtohen në grupe të interesit. Ekonomia e Kosovës ka nevojë për infuzion financiar, aq më shumë nga mjetet vetanake për obligime kreditore, por me qëllim që të shkojnë në vend të duhur dhe të reflektojnë në rritjen e produktivitetit në vend", vlerësoj ai. Analisti Kadriaj thotë se dyshimi më i madh është se Qeveria 'Haradinaj' i ka shpenzuar edhe rezervat dhe tani tenton që t'i futë në përdorim dhe njerëzit e afërt me pushtetin të abuzojnë me këto mjete. Ndërsa ekonomisti Dardan Grapci ka thënë për "Kosova Sot" se është i bindur se jo 400 milionë, por Qeveria edhe po t'i kishte edhe 400 miliardë euro përsëri do t'i kishte bërë rrush e kumbulla, duke i gjetur mënyrat alternative se si t'i shpërdorojë këto fonde. "Përsëri ende nuk dihet qartë arsyeja se përse qeveria po vendos që 400 milionët t'i fusë në sistemin buxhetor, kur e dimë se këto fonde janë të qytetarëve, të cilët partnerët politikë dhe biznesmenët i kanë marrë prej qytetarëve, në mënyrë indirekte", u shpreh ai.

"Nuk ka asnjë arsye për të pasur dyshim në vendimin e qeverisë që të përdoren këto para, së këndejmi mjetet e privatizimit duhet që të jenë në funksion të qeverisë së dhe të qytetarëve të vendit tonë", u shpreh Enver Hoti për "Kosova Sot" 

"Qeveria 'Haradinaj' në asnjë mënyrë nuk duhet që këto mjete t'i shfrytëzojë në projekte joproduktive për vendin, por të përdoren në investimet në projekte që sigurojnë zhvillimin ekonomik të shumëkërkuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës", tha Xhevdet Neziraj për 'Kosova Sot" 

Të investohen në potencialet prodhuese

Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për "Kosova Sot" se është për t'u përshëndetur iniciativa e qeverisë 'Haradinaj' që paratë e privatizimit të jenë pjesë e buxhetit të vendit."Por, kjo qeveri duhet që në këtë mandat qeverisës të përmbyllë procesin e privatizimit, duke i eliminuar të gjitha parregullsitë që e kanë përcjellë këtë proces. Gjithashtu në këtë mandat katërvjeçar duhet të përfundojë edhe likuidimi i Ndërmarrjeve Shoqërore, si parakusht për kthimin e të gjitha mjeteve të Fondit të Privatizimit dhe aktivizimit të këtyre mjeteve në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit", theksoi ai."Qeveria duhet që të marrë vendim që këto mjete të destinohen vetëm për ndërrimin e strukturës së ekonomisë së vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Këto mjete dhe mjetet e tjera si ato të Trustit Pensional të investohen në ekonominë tonë, në punësimin, sidomos të të rinjve, që të stimulohet me të gjitha format e politikave makroekonomike e fiskale, kreditore, me qëllim të zhvillimit më të hovshëm ekonomik", theksoi ai. "Këto mjete duhet të përdoren për projekte të mëdha zhvillimore, sidomos në fushën e prodhimtarisë të atyre produkteve, ku vendi ynë ka potencial dhe kapacitete", sugjeron analisti Neziraj.

 

(Kosova Sot)