Ofendimet ndaj Pence, Trump anulon samitin me Kim Jong-Un-in

  • 25 May 2018 - 19:24
Ofendimet ndaj Pence, Trump anulon samitin me Kim Jong-Un-in

REGJIMI I KIMIT PËRSËRI VURI NË SPROVË DURIMIN E TIJ

Presidenti Donald Trump anuloi samitin e tij me liderin korean-verior, pasi një zyrtar i këtij shteti kishte ofenduar zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence. Trump deklaroi se nuk do të ishte me vend të mbaheshin bisedimet tani, pasi që regjimi i Kimit përsëri vuri në sprovë durimin e tij. 'Ju flisni rreth aftësive bërthamore, por aftësitë tona janë aq të mëdha dhe të fuqishme, sa që e lus Zotin që kurrë të mos i përdorim', tha ai në një letër drejtuar liderit Kim. Zëvendësministri i jashtëm i Koresë veriore e kishte ofenduar Pence-n për 'vërejtjet e tij jo të mençura dhe të pafytyra se Koreja Veriore mund të përfundojë si Libia'. 

Letra e Trump-it drejtuar Kim-it pasoi një varg kërcënimesh nga Koreja e Veriut

Choe Son Hui po ashtu tha se e ardhmja e samitit midis Penjanit dhe Uashingtonit në tërësi varet nga SHBA-ja. Në letrën e tij drejtuar Kimit, Trump tha se, 'si pasojë e zemërimit tepër të madh dhe armiqësisë së hapur' të demonstruar nga Koreja veriore në momentet e fundit, ka vendosur që të tërhiqet nga takimi i 12 qershorit, ku duhej të diskutohej programi bërthamor i Penjanit. 'Mendoj se, në këtë moment, nuk është me vend që të mbahet ky takim i planifikuar kaherë', tha Trump pak orë pasi që Koreja veriore publikisht shkatërroi pjesën më të madhe të vendit të saj të testimeve bërthamore, 'Punggye-ri'. 'Për këtë shkak, ju lus që të lejoni që kjo letër të shërbejë për të treguar se Samiti i Singaporit, për të mirën e të dyja palëve, por në dëm të botës, nuk do të mbahet'. Trump vazhdoi më pas duke shprehur shpresën se, një ditë, do të takohet me Kimin dhe se dialogu i mirë, i cili ishte ndërtuar midis dy shteteve, para provokimeve të fundit, mbetet premtues. Letra e Trump-it drejtuar Kim-it pasoi një varg kërcënimesh nga Koreja e veriut për anulimin e samitit, i cili ishte caktuar për të diskutuar denuklearizimin e gadishullit korean. 'Ne as nuk do ta lusim SHBA-në për dialog, e as nuk do ta marrim mundin që t'i bindim ata, nëse nuk duan që të ulen me ne', kishte thënë Choe Son Hui, të martën, i cituar nga agjencia e lajmeve e Koresë Veriore. Ajo kishte shtuar: 'Nuk mund ta fsheh befasinë time me vërejtjet kaq injorante dhe të marra, që dalin nga goja e zëvendëspresidentit amerikan. Mund të konstatojmë se çfarë budallai politik është ai, derisa tenton ta krahasojë vendin tonë, një shtet me armë bërthamore, me Libinë, e cila kishte instaluar thjesht disa pajisje dhe fryhej me to'. Pence ishte pika kryesore në etapat fillestare të diplomacisë midis SHBAsë dhe Koresë Veriore, transmeton 'Kosova Sot Online".Ai kishte marrë pjesë në ceremoninë hapëse të Lojërave olimpike në shkurt, bashkë me motrën e liderit Kim, Kim Yo Jong. Të hënën, në një intervistë me "Fox News", Pence deklaroi se, nëse Kim Jong-un nuk arrin një marrëveshje me amerikanët, atëherë Koreja Veriore do të mbarojë sikur modeli i Libisë.

Gjesti i mirë

Pence tërhoqi vërejtjen duke shtuar se, 'do të ishte gabim i madh për Kimin, nëse ai do të mendonte se mund të luante me Donald Trumpin'. "Me të vërtetë shpresojmë se Kim Jong-Un do ta shfrytëzojë mundësinë që ta shkatërrojë programin e tij bërthamor, me mjete paqësore". Në letrën me të cilën anulon samitin e 12 qershorit, presidenti Trump deklaroi se mbetet i hapur për caktimin e një date tjetër, të bisedimit me Kimin, të cilin ai megjithatë e falënderoi për lirimin e tre amerikanëve, në fillim të muajit. 'Ndjeja sesi një dialog i mrekullueshëm ishte duke u ndërtuar midis jush dhe meje dhe, në fund të fundit, është vetëm dialogu ai që ka rëndësi. Një ditë, mezi pres që të takohem me ju. Në ndërkohë, dua t'ju falënderoj për lëshimin e tri pengjeve amerikane, të cilët tani janë në shtëpi, me familjet e veta. Ky ishte një gjest i mirë, të cilin e vlerësuam lart". Edhe para marrjes së këtij vendimi, "New York Times" kishte shkruar se Trump ishte duke shqyrtuar mundësinë e tërheqjes nga bisedimet sy më sy me Kimin, për shkak të frikës se ky i fundit do ta poshtëronte atë. Të martën, presidenti Trump kishte lënë të hapur mundësinë që samiti të mos zhvillohej më 12 qershor, por 'në ndonjë datë tjetër'. 

(Kosova Sot)