Badallaj: Bandat një ditë do të ndëshkohen nga ligji

  • 26 May 2018 - 13:05
Badallaj: Bandat një ditë do të ndëshkohen nga ligji

Sipas analistit politik Reshat Badallaj, kjo gjendje e tillë është në Kosovë, pasi që shtetin e ka kapur, sipas tij, mafia, e cila mund të vazhdojë edhe ndonjë ditë kështu në kapje të shtetit, por vjen koha kur drejtësia vendoset në vend dhe këta do të përgjigjen për të bërat e tyre. "Gjithkund në botën e qytetëruar kur e marrin në dorë pushtetin klasat e inkriminuara kanë dështuar turpshëm. Them kanë dështuar karshi me popullin, sepse ata të inkriminuarit i kanë mbushur xhepat e tyre dhe kanë siguruar pasuri shumëmilionëshe me hajni,por ama edhe një gjë nuk duhet harruar se, ndonëse me vonesë, por këto banda janë përgjigjur. Do të thotë këtë fat të zi e përjetoi edhe Kosova shumë pa meritë, edhe pse e pagoi shumë me jetë njerëzish,por edhe këto banda në Kosovë do të përgjigjen para drejtë- sisë, edhe pse ndihen këta banditë të fuqishëm tani për tani", u shpreh ai.

"Të gjitha kanë për t'i larë në këtë botë. Unë sa e përcjelli politikën si fëmijë, në asnjë vend të botës nuk ka më të poshtër, më tradhtarë, më rrenacakë, më mashtrues, më të pafytyrë se politikanët në Kosovë. Në vendet demokratike vetëm një fjalë nëse e devijojnë, se mos të flasim për afera korruptive, pa një pa dy japin dorëheqje. Ndërkaq, në Kosovë jo vetëm që kanë afera dhe skandale korruptive, por akuzohen për hajni dhe vepra tjera penale, jo vetëm banditët dhe hajnat që nuk japin dorëheqje, por vazhdojnë veprimtarinë e vetë kriminale dhe askush nuk i trazon", tha Reshat Badallajt për "Kosova Sot".

Sipas tij, derisa populli nuk po arrin që t'i ndëshkojë këta me votë, duhet të zgjohet faktori me ndikim ndërkombëtar dhe t'i nxjerrë nga loja e kapjes së institucioneve të gjithë këta të inkriminuar.

"E vetmja shpëtimtare mund të jetë bashkësia ndërkombëtare dhe me këmbëngulje të reagojë për të akuzuar dhe të dënuar banditët dhe kryebanditët e këtij krimi shumë të organizuar nga nëntoka kriminale", vijoi më tej ai. "STUHIA GRUEVSKI" ka kaluar Lubetenin, po fryn edhe në Kosovë, ka filluar të tundë degët edhe në anët tona", potencoi Reshat Badallaj. 

(Kosova Sot)