Qeveria 'Haradinaj' thellon deficitin tregtar

  • 27 May 2018 - 09:21
Qeveria 'Haradinaj'  thellon deficitin tregtar

Vazhdon teposhta ekonomike e Kosovës

Në prill, deficit rreth 11 për qind më i lartë se para një viti

Kosova vazhdon të ketë një bilanc gjithnjë e më të thellë negativ tregtar. Statistikat tregojnë se situata është duke u përkeqë- suar, ndërsa tregu është i vërshuar nga importi. Të dhënat zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin prill 2018, nga Tregtia e Jashtme në Kosovë, edhe një herë pas lufte na tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 10.9 për qind në muajin prill 2018, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 244.7 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 220.6 milionë eurosh në vitin 2017. Eksporti mbulon importin me 9.4 për qind. Analistët dhe deputetët e opozitës pyesin se përse po vazhdon edhe më tutje në Kosovë të thellohet deficiti tregtar. Ata brengosen se çfarë po ndodh, sidomos me subvencionet që po jepen për bujqësi dhe a po përfundojnë këto subvencione tek mashtruesit dhe nëntoka kriminale e lidhur me partitë në pushtet. Debalanci tregtar i Kosovës me jashtë, për përfaqësues të opozitës në Kuvendin e Kosovës, por edhe ata të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike, paraqitet shqetësues dhe njëherësh tregon se në çfarë gjendje të rëndë paraqitet industria e prodhimit.

Kosova importon gjithfarë produktesh

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Ali Lajçi(L. VV), për gazetën "Kosova Sot", tha se fajtore për shkëmbimet negative tregtare eksportimport janë politikat aktuale të kësaj Qeverie, por edhe Qeverive të mëhershme, të cilat nuk janë të orientuara me prioritet në prodhim, rrjedhimisht punësim dhe rritje të nivelit të eksportit. "Politikat fiskale të ekzekutivit lirshëm mund t'i quajmë se kanë qenë kozmetike, dhe në këtë mënyrë, Kosova edhe për një periudhë të gjatë do të mbetet e varur nga importi. Kjo, ngase me rritjen e kërkesës së brendshme vlerësohet se ka ndikuar në rritjen e importit dhe, rrjedhimisht, në rritjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse", u shpreh ai. "Në këtë bilanc negativ të tregtisë me botën ka ndikuar për të keq edhe procesi i privatizimit që e shtriu përtokë ekonominë e brishtë të Kosovës ku shumë gjigantë të saj pas privatizimit kanë falimentuar ", vlerë- soi Lajçi. Ndërsa, deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu (i pavarur), për gazetën " Kosova Sot", tha se e tëra kjo po ndodh si pasojë e mungesës së një industrie të zhvilluar të prodhimtarisë dhe Kosova vazhdon të importojë gati të gjitha produktet, duke filluar nga ato të konsumit, deri te produktet strategjike. Me këtë rast opozitari Salihu shfaqi pakënaqësinë me atë se çfarë po ndodh me subvencionet që po jepen për bujqësi. "Kjo na tregon se ata miliona nuk kanë pasur efekt dhe mund të themi lirshëm se ato subvencione po përfundojnë tek mashtruesit dhe nëntoka kriminale që janë të lidhur me partitë në pushtet", vlerësoi më tej ai. "Që të ndryshojë kjo gjendje nevojitet urgjentisht që Qeveria e Kosovës të vazhdojë të ndërmarrë masa shtesë për përmirësimin e kushteve të prodhimit në Kosovë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ndikohet të rritet prodhimi dhe do të përmirë- sohet cilësia në masë të mjaftueshme për të depërtuar në tregun e jashtëm rajonal dhe evropian", u shpreh Salihu. 

Bizneset duan lehtësira fiskale

Nga përfaqësues të bizneseve thuhet se strategjia e orientuar drejt rritjes së eksportit duhet të konsiderohet nga autoritetet kompetente si një faktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas një vendimi të Qeverisë së Kosovës, bizneset prodhuese nga 1 janari i viti 2018 lirohen nga tatimi doganor për lëndën e parë, gjysmë produktin, linjat e prodhimit si dhe nga pajisjet e teknologjisë informative. Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës Ramadan Maloku, për gazetën " Kosova Sot", tha se bilanci negativ në tregti me jashtë është për keqardhje, por shpresojnë se me vendimet e Qeverisë për lehtësira fiskale për prodhuesit, do të ndihmojnë bizneset që të jenë më konkurruese dhe të arrijnë të depërtojnë më shumë në tregjet evropiane. "Këto ngarkesa dhe taksa, të cilat janë hequra në vitin 2018 japin shpresë se në pjesën e dytë të këtij viti do ta përmbyllim më mirë sa i përket tregtisë së jashtme. Sidoqoftë, në Kosovë mungon një strategji, e cila e nxjerr vendin nga varfëria dhe avancon zhvillimin ekonomik të vendit. Qeveria duhet të bëjë reforma, të cilat i sjellin vendit zhvillim, punësim , prodhim edhe eksport", potencoi Maloku. 

Efektet negative në rritjen e papunësisë

Eksperti i ekonomisë Zekim Istogu, për gazetën" Kosova Sot", tha se siç shihet nga statistikat, eksporti në prill 2018 ka rënë për 18 për qind e importi është rritur për 7 për qind, nga kjo del se bruto prodhimi ka rënë për rreth 25 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. "Kjo është tejet alarmante, sepse ka efekte domino në të gjithë sektorët. Si pasojë e kësaj është rritur papunësia, është zvogëluar qarkullimi i brendshëm i parasë etj. Edhe pse është kështu askush nga Qeveria nuk merr mundin të merret me analizat e shkaqeve dhe të dalë me propozime", vlerësoi ai."Rënia e prodhimit për 5 për qind për çdo qeveri të botës është tepër alarmante. Edhe nga statistika shihet, siç edhe e kemi potencuar shumë herë, në praktikë ambienti i të bërit biznes në Kosovë po vështirësohet gjithnjë e më shumë. Sektori i prodhimit po ballafaqohet me vështirësi dhe me barriera të shumta në plasimin e mallit në tregun e jashtëm. Shteti ynë po i favorizon së tepërmi kompanitë tregtare, duke iu bërë lehtësime në importin e mallrave nga jashtë, e në të njëjtën kohë nuk po arrin t'i eliminojë barrierat tregtare që po u krijohen prodhuesve tanë në plasimin e prodhimeve të tyre në tregun e jashtëm", vijoi më tutje Istogu. "Të gjitha shtetet e botës përdorin masat mbrojtëse për prodhimet vendore. Institucioni ynë vendimmarrës nuk ka guximin të hartojë politika mbrojtëse, madje as për produkte të cilat vijnë nga vendet fqinje të subvencionuara nga shtetet e tyre për t'u plasuar në tregun e Kosovës pa pasur ndonjë vështirësi shkaku i konkurrencës", u shpreh ai. Sipas tij, subvencionet janë tepër të kriminalizuara dhe shumë rrallë mbërrijnë në destinimin e duhur. "Edhe kur shkojnë te prodhuesit bujqësorë, shkojnë të përgjysmuara, e të vonuara. Kjo politikë kaq e dëmshme për shtetin tonë po i destimulon prodhuesit që të investojnë në këtë sektor, e të rrisin kapacitetet prodhuese", shpjegoi Istogu. 

Me këtë kryeministër, ta harrojmë zhvillimin

Ekonomisti Mustafë Kadriaj tha për " Kosova Sot" se, duke marrë parasysh elitën politike në vend, nuk është befasi, sepse këta njerëz të politikës, duke filluar nga Parlamenti, Qeveria nuk kanë lidhje me politikat ekonomike. " Me këtë kryeministër dhe përbërje të Qeverisë nuk pritet diçka më mirë. Me vazhdimin e Haradinajt si kryeministër do të thellohet edhe më tutje deficiti tregtar, sepse profili i tij si personalitet dhe përformanca e Qeverisë janë nën çdo nivel, prandaj Kosovën nuk e presin ditë të mira", theksoi ai. "Ky njeri vetëm di të shpenzojë në paga dhe mëditje, pra nuk kemi një Qeveri që ka kapacitete për politika investive, pra Kosova çdo ditë e më shumë po bëhet një vend konsumues dhe sipas kësaj logjike ne si vend nuk dimë të prodhojmë as për tregun vendor e mos të flasim për eksport. Pra, në vend që mbas dhjetë vjet pavarësi si vend dhe 20 vjet çlirim ne të ishim vend konkurrent, ne tani jemi bërë një vend i konsumit të produkteve të huaja dhe vend i transitit, pra edhe autostrada më shumë po u hynë në punë shteteve të rajonit sesa ne si vend", potencoi Kadriaj. Ndërsa, analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot", tha se Qeveria e Kosovës duhet që të lobojë për produktet e Kosovës ku ato mund të eksportohen lirshëm dhe pa ndonjë problem, dhe të ndërpriten importet nga Serbia në drejtim të Kosovës. "Subvencionet që po jepen për bujqësi është thjesht një lojë i politikanëve ndaj bujqve të Kosovës, sepse ato para të subvencioneve asnjëherë nuk shkojnë te personi i duhur,por shkojnë tek ata që janë të familjarizuar ose të cilët janë pjesë të pushtetit kriminal në Kosovë", ka theksuar Grapci. Sipas tij, është vështirë të përmirësohet bilanci tregtar me këto politika ekonomike.

(Kosova Sot)