Miftari:Arsyeja e vërtetë e kundërshtimit politik të Vetting-ut është se krimi i organizuar

  • 27 May 2018 - 15:33
Miftari:Arsyeja e vërtetë e kundërshtimit politik të Vetting-ut është se krimi i organizuar

Analisti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, po ashtu vlerëson se është mirë që Vetting-u në Shqipëri dalëngadalë po korr rezultate, e ku shumica e prokurorëve, gjyqtarëve dhe anëtarëve të komisioneve nuk po mund ta justifikojnë se nga janë kaq të pasur. Edhe sipas Miftarit ky model, ndonëse po vonohet, duhet aplikuar edhe në Kosovë, së bashku me Ligjin Antimafia. "Dështimi i pothuajse 60 deri 80% i justifikimit të pasurive nga këta zyrtarë të drejtësisë tregon se sa ka qenë drejtësia shqiptare në duar të krimit të organizuar. Fatkeqësisht në Kosovë po të ndodhte një Vetting i fuqishëm dhe i pavarur, jam shumë i bindur se mbi 90 % e prokurorëve, gjyqtarëve, hetuesve dhe anëtarëve në KGJK dhe KPK do të dilnin të korruptuar dhe të pasuruar në mënyrë të paligjshme, prandaj edhe janë të kuptueshme rezistenca dhe kundërshtimi politik që po bëhen nevojë e domosdoshme për vënien e një Vetting-u në Kosovë", theksoi ai."Arsyeja e vërtetë e kundërshtimit politik të Vetting-ut është se krimi i organizuar, i instaluar në politikë, e di shumë mirë se po të pastroheshin gjyqësia, policia dhe inteligjenca nga duart e tyre të korruptuara, ata do të përfundonin në burg, duke filluar që nga presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj, por edhe kryeparlamentari Veseli. Ata do të përfundonin në burg së paku për disponim të pasurisë së paligjshme, të fituar nga korrupsioni dhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar", tha Miftari për "Kosova Sot". Sipas tij, ata do të dënoheshin së paku për hajni dhe për përvetësim të paligjshëm të pasurisë shoqërore e shtetërore. "Fatkeqësisht Kosova nuk e ka një ambasador amerikan si Donald Lu, i cili ndoshta jo sot, por pas disa vjetësh kur t'i korrë përfundimisht ato rezultate, kur të ndihen e të preken ato rezultate të së drejtës pas Vetting-ut të tij, do të nderohet jo si ambasador i huaj, por si hero i Shqipërisë", tha Naim Miftari për "Kosova Sot".

 

 

(Kosova Sot)