Istogu:Eksporti në prill 2018 ka rënë për 18 për qind

  • 27 May 2018 - 15:34
Istogu:Eksporti në prill 2018 ka rënë për 18 për qind

Eksperti i ekonomisë Zekim Istogu, për gazetën" Kosova Sot", tha se siç shihet nga statistikat, eksporti në prill 2018 ka rënë për 18 për qind e importi është rritur për 7 për qind, nga kjo del se bruto prodhimi ka rënë për rreth 25 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. "Kjo është tejet alarmante, sepse ka efekte domino në të gjithë sektorët. Si pasojë e kësaj është rritur papunësia, është zvogëluar qarkullimi i brendshëm i parasë etj. Edhe pse është kështu askush nga Qeveria nuk merr mundin të merret me analizat e shkaqeve dhe të dalë me propozime", vlerësoi ai."Rënia e prodhimit për 5 për qind për çdo qeveri të botës është tepër alarmante. Edhe nga statistika shihet, siç edhe e kemi potencuar shumë herë, në praktikë ambienti i të bërit biznes në Kosovë po vështirësohet gjithnjë e më shumë. Sektori i prodhimit po ballafaqohet me vështirësi dhe me barriera të shumta në plasimin e mallit në tregun e jashtëm. Shteti ynë po i favorizon së tepërmi kompanitë tregtare, duke iu bërë lehtësime në importin e mallrave nga jashtë, e në të njëjtën kohë nuk po arrin t'i eliminojë barrierat tregtare që po u krijohen prodhuesve tanë në plasimin e prodhimeve të tyre në tregun e jashtëm", vijoi më tutje Istogu. "Të gjitha shtetet e botës përdorin masat mbrojtëse për prodhimet vendore. Institucioni ynë vendimmarrës nuk ka guximin të hartojë politika mbrojtëse, madje as për produkte të cilat vijnë nga vendet fqinje të subvencionuara nga shtetet e tyre për t'u plasuar në tregun e Kosovës pa pasur ndonjë vështirësi shkaku i konkurrencës", u shpreh ai. Sipas tij, subvencionet janë tepër të kriminalizuara dhe shumë rrallë mbërrijnë në destinimin e duhur. "Edhe kur shkojnë te prodhuesit bujqësorë, shkojnë të përgjysmuara, e të vonuara. Kjo politikë kaq e dëmshme për shtetin tonë po i destimulon prodhuesit që të investojnë në këtë sektor, e të rrisin kapacitetet prodhuese", shpjegoi Istogu. 

 

 

(Kosova Sot)