Gruaja që mundi 17 tumore të trurit

  • 27 May 2018 - 17:03
Gruaja që mundi 17 tumore të trurit

MJEKËT I KISHIN THËNË SE I KISHIN MBETUR VETËM EDHE PAK JAVË JETË

Një grua, nënë e dy fëmijëve, e cila mbijetoi 17 tumore të trurit, një të gjirit, një të mëlçisë dhe kancerin e mushkërive, ka mahnitur mjekët me suksesin e saj. Sue Nicklan, 54 vjeçe, ishte diagnostikuar me kancer terminal (të pashërueshëm) në tetor të vitit 2015, me ç'rast mjekët i kishin thënë se asaj i kishin mbetur vetëm edhe pak javë jetë dhe se, me gjasë nuk do të arrinte t'i festonte Kërshëndellat. Por, ajo refuzoi që të dorëzohej. Edhe pse terapia dukej se ishte duke shkuar mirë dhe ajo filloi të përmirësohej, në janar të vitit 2017 ajo mori lajmin tronditës, se kishte 17 tumore të trurit. Pasi që bëri kërkime të shumta online, ajo pyeti mjekët rreth terapisë me 'thikën Gamma' (Gamma Knife therapy) - një lloj i rrezatimit i cili sulmon me saktësi tumoret në tru. "Gamma Knife", bashkë me kimioterapi dhe imunoterapi, bënë që tumoret e saj të zvogëloheshin dukshëm.

Demantoi të gjitha parashikimet e mjekëve

Zonja Nicklan, infermiere nga Çelford, Çeshajër, tani mezi e pret të ardhmen, që ta ndajë rrëfimin e saj me të tjerët, me qëllim që të sëmurëve të tjerë t'iu ofrojë shpresë. Ajo është duke bërë skanime të rregullta, për t'u siguruar që tumoret nuk i janë kthyer. "Tani kanë kaluar tri vjet, nga koha kur mjekët më kishin thënë se do të jetoja vetëm edhe 12 javë. Përkundër operacioneve për të hequr tumoret në mushkëri dhe mëlçi, si dhe kimioterapisë invazive, kanceret e zonjës Nicklan vazhdonin të përhapeshin në tërë trupin dhe trurin e saj. Meqë kishte 17 tumore në tru, asaj i kishin thënë të bënte rrezatim të tërë trurit, gjë që ajo e kishte refuzuar, për shkak të rreziqeve nga dëmtimet e përhershme. Në një garë me kohën, zonja Nicklan kishte filluar një kërkim online dhe, kështu mori vesh rreth rrezatimit me "gamma knife. "Gamma Knife" është formë e trajtimit që përdorë tufat e rrezatimit për të prekur çdo tumor individual në tru dhe, mbulohet nga sigurimi shëndetësor në Britani. Pas muajve të tërë të trajtimit të vështirë, ku përfshihej edhe vendosja e një kornize metalike në kokën e saj, zonja Nicklan demantoi të gjitha parashikimet e mjekëve. 

E dinte se diçka nuk ishte në rregull

Nëna e vajzës Ellie, 23 vjeçe dhe e djalit Sam, 22 vjeç, tha: 'Janarin e vitit të kaluar u diagnostikova në fillim me 12 tumore të trurit, por ky numër më pas u rrit në 17. Isha e dërmuar dhe e dija se sa e vështirë ishte gjendja ime, meqë njerëzit rëndom preken nga një tumor i trurit dhe mezi ia dalin në krye me të. Pasi që bëra hulumtimet e mia online, vendosa për terapinë me "gamma krife", meqë ky rrezatim sulmon vetëm tumoret, duke mos dëmtuar pjesën tjetër të trurit. Po ashtu merrja edhe kimioterapi dhe imunoterapi, gjë që e dija se ishte opsioni më i mirë, pasi që këtë e pashë gjatë hulumtimeve që bëra. Përkundër faktit se mjekët mi dhanë vetëm 12 javë jetë, refuzova të dorëzohesha. Fatmirësisht, trajtimet qenë të suksesshme dhe, pas një skanimi në prill të vitit të kaluar, mjekët më thanë se tumoret ishin zvogëluar shumë. Isha tepër e lumtur, meqë tërë puna ime në kërkimet online nuk shkoi huq". Zonja Nicklan së pari u diagnostikua me kancer të gjirit, të shkallës së tretë, në vitin 2012, transmeton "Kosova Sot Online". Përkundër kimioterapisë, radioterapisë, imunoterapisë dhe operacionit, tumori u kthye dy vjet më vonë, në mëlçinë dhe mushkëritë e saj. Ajo e dinte se diçka nuk ishte në rregull, meqë ndjente një lodhje tepër të madhe. Ishte asokohe në pushime me burrin e saj Mark, 51 vjeç, të cilit iu desh që ta kthente në shtëpi, duke bërë 13 orë vozitje. Më pas ajo u bë alergjike ndaj kimioterapisë, prandaj mjekët çuan duart nga ajo. Por, sikur që thamë, vet ajo nuk i çoi duart nga vetvetja dhe, në fund çdo mund i saj u shpagua. Me këtë rast ajo falënderon mjekët dhe të gjithë ata që i ofruan mbështetje, duke iu thënë të tjerëve, të prekur nga kanceri, që as ata të mos dorëzohen, meqë gjithmonë ka shpresë. 

(Kosova Sot)