Politikanët i mbulon "trashëgimia" milionëshe nga krimi dhe fondet (Video) - Lajme - Kosova Sot
Politikanët i mbulon "trashëgimia" milionëshe nga krimi dhe fondet (Video)

Politikanët i mbulon "trashëgimia" milionëshe nga krimi dhe fondet (Video)

Kelmendi: Njëri kriminalitet vjen nga vjedhja e fondit të "3-përqindëshit" dhe "Vendlindja Thërret" dhe i dyti nga krimi pas luftës

"Kjo me të vërtetë është vetëm tallje e paturpshme me ligjin dhe me qytetarët, pasi që asnjëri nga politikanët aktualë nuk vijnë nga prindërit që kanë pasur biznese milionëshe. Kjo pasuri milionëshe e tanishme e politikanëve tanë e 'trashëguar" nuk e ka gjenezën nga kjo e dhënë, por realisht është e vjedhur nga fondi 'Vendlindja Thërret' dhe fondi i '3-përqindëshit', por edhe tek krimi i organizuar gjatë këtyre dy dekadave të fundit", thotë analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot

Teksa politikanët e Kosovës po e kryejnë obligimin formal sipas ligjit, për deklarimin e pasurisë së tyre, siç e parasheh ligji përkatës, mënyra se si po deklarohet pasuria e tyre, sipas analistëve politikë dhe qytetarëve të anketuar është vetëm një tallje me opinionin publik, por edhe me ligjet në fuqi. Sipas analistëve, pothuajse të gjithë politikanët e Kosovës që po e përmbushin këtë obligim ligjor po tallen deklarimin e pasurisë, ku edhe pse e shtojnë pasurinë, nuk i shkruajnë fare vlerën se sa kanë paguar, por sidomos duke deklaruar pasurinë milionëshe, tëcilën e quajnë "E TRASHËGUAR"? Analistët dyshojnë që e tërë gjeneza e qindra milionave, gjoja të 'trashëguar' nga politikanët, realisht është në paratë e vjedhura nga fondi 'Vendlindja Thërret' dhe fondi i '3-përqindëshit', por edhe te krimi i organizuar gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Ata shtrojnë pyetjen se a janë shumica e milionave të pasurisë së gjoja 'të trashëguar' të deputetëve në Kuvendin e Kosovës e të tjerë pikërisht tek dy fondet e famshme: fondi 'Vendlindja Thërret' dhe fondi i 3- përqindëshit? Dihet që ka pasur akuza për shuma miliardëshe se si janë keqpërdorur paratë e popullit dhe asnjëherë deri më tani nuk është hapur ndonjë rast nga prokuroria, përkundër faktit se që nga viti 1999 ka mundur të bëhet një gjë e tillë. Lidhur me hetimet rreth fondit 'Vendlindja Thërret' dhe fondi tw 3- përqindëshit,edhe përkundër pyetjeve të dërguara me shkrim nga gazetari, nuk kanë kthyer përgjigje Prokuroria Speciale, Prokuroria e Shtetit si dhe as Prokuroria Themelore e Prishtinës. Ndërsa, analisti Bislim Aliu thotë seështë me të vërtetë është e patolerueshme dhe nuk duhet lejuar deklarimi i pasurisë nga politikanët tanë, të cilëve edhe pse u shtohen vazhdimisht pasuria e tyre, nuk e shkruajnë fare vlerën e tyre milionëshe e të cilën e quajnë 'e trashëguar". "Kjo me të vërtetë është vetëm tallje e paturpshme me ligjin dhe me qytetarët, pasi që asnjeri nga politikanët aktualë nuk vijnë nga prindërit që kanë pasur biznese milionëshe. Kjo pasuri milionëshe tanishme e politikanëve tanë e 'trashëguar" nuk e ka gjenezën nga kjo e dhënë, por realisht e vjedhur nga fondi 'Vendlindja Thërret' dhe fondi i '3-përqindëshit', por edhe tek krimi i organizuar gjatë këtyre dy dekadave të fundit", potencoi ai."Dihet mirëfilli se për këtë ka pasur shumë akuza për shuma milionëshe, se si janë keqpërdorur paratë e popullit, por asnjëherë deri më tani nuk është hapur ndonjë rast nga prokuroria, përkundër faktit se që nga viti 1999 ka mundur të bëhet një gjë e tillë", vijoi më tej ai. "Për më keq, deri tani, asnjëherë nuk janë bërë publike se si janë shpenzuar këto para të popullit të këtyre dy fondeve, edhe pse dihen se kush kanë qenë përgjegjësit për këto fonde. Është e qartë se prokuroria heziton të merret me këto dy vjedhje më të mëdha në 20 vitet e fundit", tha Aliu për "Kosova Sot".

GURAZIU: GJENEZA E QINDRA MILIONAVE, GJOJA TË "TRASHËGUAR" NGA POLITIKANËT, ËSHTË TEK PARATË E VJEDHURA NGA FONDI 'VENDLINDJA THËRRET' DHE FONDI I 3-PËRQINDËSHIT!

Analisti politik Ragip Guraziu thotë se kjo mënyrë veprimi e njerëzve të politikës është maja e turpit dhe e krimit."Si nuk kanë turp kur këta po tallen, këta politikanë kosovarë, me deklarimin e pasurisë, ku edhe pse e shtojnë pasurinë nuk i shkruajnë fare vlerën se sa kanë paguar, por sidomos duke deklaruar pasurinë milionëshe, të cilën e quajnë "E TRASHËGUAR". Lirisht mund të themi se kësaj i thonë tallje me ligjin dhe me vetë qytetarët, pasi që asnjë nga politikanët aktualë nuk vjen nga prindër që kanë pasur biznese milionëshe, por ose bujq, ose mësues fshati, ose të papunë. Kjo është e tërë gjeneza e qindra milionave, gjoja të "trashëguar" nga politikanët, realisht në paratë e vjedhura nga fondi 'Vendlindja Thërret' dhe fondi i 3-përqindëshit, por edhe tek krimi i organizuar gjatë këtyre dy dekadave të fundit", u shpreh ai."Shtrohet pyetja,a janë shumica e milionave të pasurisë gjoja 'të trashëguar' të deputetëve në Kuvendin e Kosovës e të tjerë, pikërisht te dy fondet e famshme: fondi 'Vendlindja Thërret' dhe fondi i '3-përqindëshit'? Dihet që ka pasur akuza për shuma miliardësh se si janë keqpërdorur paratë e popullit dhe asnjëherë deri më tani nuk është hapur ndonjë rast nga prokuroria, përkundër faktit se që nga viti 1999 ka mundur të bëhet një gjë e tillë. Aq më e madhe bëhet përgjegjësia e tyre kur dihet se asnjëherë nuk janë bërë publike se si janë shpenzuar qindra miliona euro e deri miliarda nga të dyja fondet dhe pse nuk ka pasur asnjëherë auditim për këto para të popullit", theksoi Guraziu. "Për më keq, edhe pse dihen mirë se kush kanë qenë përgjegjësit për këto fonde, prokuroria heziton të merret me dy nga vjedhjet më të mëdha në 20 vitet e fundit", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot".

KELMENDI: NGA FONDI NË GJERMANI VETËM 8 MILIONË DM (4 MILIONË EURO) KANË MUNDUR T'I PLAÇKITIN GANI THAÇI (NËSE NUK IA KA DORËZUAR VËLLAIT HASHIM) DHE FATMIR ZYMERI, NËSE NUK UA KA DORËZUAR EPRORËVE TË TIJ

Veprimtari Ibrahim Kelmendi thotë se ka pasur zhvatje të jashtëzakonshme të fondeve. "Fondi 'Vendlindja Thërret' nuk i ka pasur kapacitet financiare të përmasave, sa janë pasuruar pushtetarët. Ndërsa fondi i '3-përqindëshit' ishte shumë herë më voluminoz dhe prej tij kanë mundur të pasurohen më shumë. Nga fondi në Gjermani vetëm 8 milionë DM (4 milionë euro) kanë mundur t'i plaçkitin Gani Thaçi (nëse nuk ia ka dorëzuar vëllait Hashim) dhe Fatmir Zymeri, nëse nuk ua ka dorëzuar eprorëve të tij.Të tjerët nuk kanë mundësi të pasurohem, meqë nuk u kemi dhënë. Mjetet janë shpenzuar për armatim, municion, uniforma, mjekësi, etj., pak mjete u kanë dhanë zonave 'cash' për blerje ushqimi për ushtarë. Po ndihem i detyruar ta përsëris, prokuroria nuk mund të hetojë veprimtari kriminale në emigracion, jashtë Kosovës. Në Kosovë ka mundur të krijohet ndonjë strukturë për të bërë hetim sa për informim dhe ndoshta të shihnin mundësitë juridike për të kërkuar hetime e gjykime në shtete ku kanë ndodhur krimet", u shpreh ai. "Fondi 'Vendlindja Thërret' nuk ka qenë fond qeveritar as fond publik, por i themeluar nga një organizatë dhe juridikisht është dashur t'i japë llogari vetëm organizatës. Ndërsa, fondi i '3-përqindëshit' është themeluar si fond shtetëror dhe emrin e ka marrë nga sasia e përqindjes, që u është caktuar emigrantëve si tatim 3 % nga paga e të ardhurat tjera. Fatkeqësisht, as para fondit 'Vendlindja thërret' nuk e ka paraqitur gjendjen përfundimtare, meqë ndaj atij fondi pat bërë puç 'qeveria e përkohshme', duke grabitur mjetet që kishte në gjendje dhe dokumentacionin, që përmbante evidencën. Institucionet e Kosovës mund t'u bëjnë lutje institucioneve kompetente, ku jeton emigracioni dhe janë ushtruar ato veprimtari, që të sigurojnë nga bankat përkatëse evidencën për hyrje-daljen e mjeteve financiare. Por, nuk ekziston vullneti i institucioneve të Kosovës as për të bërë përpjekje, meqë gjithandej janë individët që kanë përvetësuar mjete të atyre fondeve dhe prandaj i pengojnë të bëjnë përpjekje për të marrë informacion", vlerësoi Kelmendi. "Kuvendi nuk ka mundur të krijojë komision hetimor, sepse Kuvendi është i kapur nga ata që kanë përfituar nga ato fonde. Krerët e LDK-së dhe të PDK-së ishin profiterët kryesorë të luftës, gjegjësisht të fondeve, prandaj ata nuk lejojnë formimin e komisioneve për të hetuar vetveten', tha Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot".

KELMENDI: KRIMI KA ARRITUR NIVELIN MË TË LARTË!

Prof. Muhamet Kelmendi thotë se fare nuk ka dilemë që krimi i pushtetarëve ka marrë hov të madh dhe po rritet dita-ditës në përmasa të gjëra."Vetëm nëse mbështetemi në pasurinë e deklaruar nga pushtetarët, policët, prokurorët, gjykatësit dhe njerëzit në borde publike, sikundër edhe në ekonominë private, me siguri se krimi ka arritur nivelin më të lartë. Çdo person që e ka bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë e Antikorrupsionit pothuajse del i dyshimtë për vjedhje dhe krime. Marrim p.sh. Besim Beqën, Xhavit Halitin, apo ndonjë nga LDK-ja apo partitë tjera, aty dalin përmasat e gjëra të krimit. Besim Beqa deklaron pasurinë nga 2.5 milionë euro!", u shpreh ai."Nuk do mend se kjo është krim. Po krimi nuk flet! Duhet thënë se dy lloje të kriminaliteteve i kemi në Kosovë. Njëri kriminalitet vjen nga vjedhja e fondit të "3-përqindëshit" dhe "Vendlindja Thërret" dhe i dyti nga krimi pas luftës, që është shumë i lartë dhe në përmasa të gjëra. Të dyja këto krime janë krijuar dhe ndërtuar me vetëdije dhe në lejim të faktorëve të ndryshëm. Fatmir Limaj ishte ministër. Edhe sot duken pasojat e tij me PTK-në dhe 'Valën'. Atje e pati bërë rrungajë këtë firmë me vëllain e vet. Këtu e ka tatëpjetën kjo firmë dikur njëmiliardëshe. Apo të marrim ishin ministrin e Financave, z. Shala, aktualisht ambasador, etj.", vijoi më tej Kelmendi. "Kryevjedhësi mbetet Hashim Thaçi. Ai vjedh ditën dhe natën. Tërësisht e bën zyrtarisht nga pozita e presidentit. Mbi këtë dhe nëpërmjet kësaj vazhdon kriminaliteti të lulëzojë në Kosovë", tha prof. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot"

 BADALLAJ: THONË SE KËTË PASURI MA KA LËNË BABA, KUR E NJOHIM NE FAMILJARISHT QË PARA LUFTE KISHIN NJË KALI DHE ATË ME NGJYRË TË BARDHË, ASHT E LËKURË!

Sipas analistit politik Reshat Badallajt, pavarësisht se çka deklarojnë këta, askush nuk u beson, por sikur të kishte drejtësi të pavarur ata do të hetoheshin, ndiqeshin e do të penalizoheshin, kurse pasuria do t'u konfiskohej."Merreni me mend se shkojnë aq turpshëm dhe thonë se këtë pasuri ma ka lënë baba, kur e njohim ne familjarisht që para lufte kishin një kali dhe atë me ngjyrë të bardhë, asht e lëkurë dhe se vello për nuse kanë marrë në komshi dhe janë bërë tani me hajni super milionerë dhe hajni tani del e thotë se bile është edhe në kredi! Hajnia e këtyre hajnave dhe banditëve burimin e kanë nga fondet 'Vendlindja Thërret', '3-përqindëshi' dhe nga vjedhjet që i kanë bërë buxhetit të shtetit në Kosovë që nga majat e larta të shtetit", tha Badallaj për "Kosova Sot".

MIFTARI: PASURIA E KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE HAJNISË SË FONDEVE TË LUFTËS, SI '3-PËRQINDËSHI' , SI FONDI 'VENDLINDJA THËRRET', KAP SHIFRËN DIKU 1 MILIARD MARKA GJERMANE!

Sipas analistit Naim Miftari, tallja me ligj dhe tallja edhe me popullin nga politikanët multi-milionerë ndodh vetëm në shtetet diktatore dhe shtetet të cilat i ka futur mafia përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar në dorë."Faktikisht të dy këto fatkeqësi për një popull dhe shtet po i ndodhin sot Kosovës sonë dhe lirisht mund të themi se te shumica pasuria e deklaruar, pa llogaritur pasuritë e fshehura dhe sidomos pasuritë e qitura jashtë shtetit, janë 99% pasuri të krimit të organizuar dhe hajnisë së fondeve të luftës, si '3-përqindëshi' i LDK-së, si fondi 'Vendlindja Thërret', të cilat kapnin shifrën diku 1 miliard marka gjermane, sipas një studimi hulumtues të organeve të sigurisë gjermane. Shumica e këtyre parave janë vjedhur për t'u përdorur pas luftës. Dhe, fatkeqësisht shumë kriminelë, vjedhës të asaj kohe, sot i kemi politikanët kryesorë të shtetit, Parlamentit dhe partive politike. Prandaj, fjalën 'të trashëguara' lirisht mund ta quajmë e thërrasim si para të vjedhura, pasi shtohet pyetja e thjeshtë se çfarë pasurie u kanë lënë prindërit Hashim Thaçit, Kadri Veselit apo Ramush Haradinajt e shumë baballarë tjerë të zyrtarëve politikë dhe shtetërorë", theksoi ai."Hajnia nuk ka brina, pasi sot i kemi politikanët më të pasur e popullin ma të varfër në Evropë. Kjo nuk do koment, por fatkeqësisht Kosova nuk ka gjyqësi, hetuesi apo prokuror që i mbron shtetin dhe ligjin, pasi të gjithë këta janë të martuar me krimin e organizuar politik në Kosovë", tha Miftari për "Kosova Sot".

Zero transparencë

Analisti politik Shefik Shkodra thotë se ka dyshim serioz për abuzime me këtë deklarim."Por, lirisht mund të thuhet se të paktë ose fare janë dukur ata që kanë mundur të kursejnë miliona. Është folur për miliona nga fondi i '3- përqindëshit', si dhe ai 'Vendlindja Thërret', që janë masakruar nga vetë ata (dikush) që janë marrë me to dhe që kanë qenë përgjegjës. Këtu ka filluar si duket një garë se cili do të rrëmbejë më shumë. Krejt kjo duke pasur parasysh se luftën do ta bëjë NATO-ja, por edhe mendja e njeriut, askush nuk do të interesohet për këtë çështje", potencoi ai. "Bujar Bukoshi vetë e ka përmendur se ka disa para që do t'i shfrytëzojë për vete. Për opinionin publik këto dy fonde nuk janë të njohura së si kanë përfunduar. Në gjashtë legjislacionet e Kosovës nuk ka insistuar që të bëhet një auditim dhe të shihet gjendja reale e këtyre mjeteve të këtyre dy fondeve", tha Shkodra për "Kosova Sot". Hertica: Vjedhjet filluan që nga fondi '3-përqindëshit' dhe fondi 'Vendlindja Thërret' dhe vazhduan me tenderomaninë dhe shpronësimin e tokave shoqërore e çka jo tjetër! Analisti politik Ali Hertica thotë se për të gjetur të vërtetën duhet të ndryshojë Ligji për deklarimin e pasurisë."Të gjithë zyrtarët e lartë publikë duhet të deklarojnë pasurinë e tyre, gjë që është marramendëse, se nuk dihet ku u pasuruan ata aq shpejt, me siguri jo nga puna e tyre, por vetëm nga djersa e qytetarit dhe vjedhjet e tyre oridenere, duke filluar që nga fondi '3-përqindëshit' dhe fondi 'Vendlindja Thërret' dhe tani me tenderomaninë dhe shpronësimin e tokave shoqërore e çka jo tjetër", potencoi ai për "Kosova Sot".

Qytetarët akuzojnë politikanët

Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta theksojnë se janë të vetëdijshëm qëpolitikanët po tallen me ligjin, duke e deklaruar pasurinë rrejshëm kinse e kanë trashëguar nga prindërit, e në realitet atë pasuri e kanë bërë nga krimi i organizuar apo disa duke vjedhur nga fondi 'Vendlindja Thërret' dhe '3- përqindëshi'. Këtë deklarim të pasurisë, si të trashëguar nga prindër, e quan gënjeshtër të pastër edhe qytetari, ishushtarak i UÇK-së dhe komandues i brigadës 153, Salih Salihi."Të gjithë këta që thirren në emër të asaj që ua ka lënë babai ose gjyshi, këta vijnë nga vende ku kanë jetuar këta dhe hënagjatë natës të djegë e të sosë. Babai apo gjyshi i tyre është në pikëpyetje se a ka mundur t'jua garantojë një kafshatë buke të misrit apo nuk ka mundur, e lëre më diçka tjetër. Është shumë e vërtetë që të gjithë i kanë keqpërdorur fondet, edhe Fondin e Republikës së Kosovës, edhe fondin e '3-përqindëshit', edhe fondin 'Vendlindja Thërret', fond ky i fundit, i cili konkretisht ka qenë decidivisht i përcaktuar për ndihmën e luftës dhe për blerjen e armatimit dhe të uniformave ushtarake", potencoi ai. Salihu ka thënë së bashkëluftëtarë të tij të shumtë kanë rënë dëshmorë në mungesë të armëve të duhura, sepse ishin të pajisur me armë të thjeshta, të ndërtuara si punë dore edhe nga gypa metalikë të banjave të dikurshme të fshatit, sepse paratë e fondeve për armatim po i mbanin për vete bosët e keqpërdorimit. Edhe qytetari Musa Prelvukaj thotë se personalisht ka dyshime të abuzimit me të dyja fondet e lartpërmendura. "Unë kam dyshime dhe në '3-përqindëshin' edhe në atë 'Vendlindja Thërret' nuk ka qenë një transparencë për këto fonde dhe populli akoma është duke dyshuar, sepse nuk po dinë çka ka ndodhur me to, faktikisht është krijuar një huti në popull, sepse secili po e interpreton atë në mënyrën e vet, për shkak të rrethanave që nuk janë qartësuar", tha Prelvukaj për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)

 

11 orë e 54 minuta më parë
19/06/18