Vëllai ngushëllon motrën e sëmurë 4 VJEÇE, NË PRAG TË VDEKJES

  • 13 June 2018 - 16:38
Vëllai ngushëllon motrën e sëmurë 4 VJEÇE, NË PRAG TË VDEKJES

IU NËNSHTRUA 33 RAUNDEVE TË RREZATIMIT

Në nëntor të vitit 2016 Addy Sooter u diagnostikua me kancer të pashërueshëm të trurit 

Një baba ka publikuar një foto prekëse ku shihet djali i tij duke ngushëlluar motrën e tij 4 vjeçe, të sëmurë nga kanceri, në momentet e fundit të jetës së saj. Adalynn 'Addy' Sooter, nga Roxhers, Arkanzas, në nëntor të vitit 2016 ishte diagnostikuar me kancer të paoperueshëm të trurit, që në mjekësi quhet glioma difuze intrinzike e ponsit (DIPG), pasi prindërit e saj kishin vërejtur se ajo kishte filluar të kishte ca vështirësi në të ecur. Vajza iu nënshtrua 33 raundeve të rrezatimit, të cilët në fillim shkatërruan të gjitha qelizat kanceroze, por ato u rikthyen përsëri. 

Trajtimi eksperimental në Meksikë

Në një moment të tillë, familjarët vendosën që vajzën ta trajtonin me një trajtim eksperimental me kimioterapi në Meksikë, duke shpenzuar me këtë rast më shumë se 200 000 dollarë, por tumori vazhdonte që të përhapej. Në foto shihet djali gjashtë vjeç, Jackson, duke ia ledhatuar kokën motrës, si dhe duke ia dhënë dorën tjetër asaj, që t'ia mbante. 'Një djalë i vogël nuk do të duhej që t'ia jepte lamtumirën 'partneres së tij në sherre', shoqes së tij të lojës, shoqes së tij më të mirë, motrës së tij të vogël', shkroi i ati i tyre në "Facebook". 'Kjo nuk do të duhej të ndodhte, por kështu është në këtë botë të prishtë në të cilën jetojmë'. DIPG është një tumor shumë i rrallë dhe tepër agresiv, që më së shpeshti haset te fëmijët e moshës nga 5 deri 9. Addy, e cila u diagnostikua kur kishte vetëm 2 vjet, është njëra ndër rastet më të reja (vogla) që kanë parë mjekët ndonjëherë. Çdo vit në SHBA diagnostikohen 200 deri 300 fëmijë me këtë lloj të kancerit. Ai lokalizohet në bazën trunore, mbi boshtin kurrizor, por nuk dihet shkaktari i tij. Më pas ky tumor ushtron presion në pjesën e trurit që quhet pons, e cila pjesë është përgjegjëse për shumë funksione të rëndësishme të trupit, sikur që është frymëmarrja, gjumi dhe shtypja e gjakut. Me kalimin e kohës, tumori në fjalë ndikon edhe në të rrahurat e zemrës, gëlltitje, shikim dhe balancë. Pjesa më e madhe e fëmijëve jetojnë vetëm deri në 9 muaj pas vënies së diagnozës, por disa prej tyre vdesin ende pa pasur mundësi që të trajtohen me rrezatim, transmeton "Kosova Sot Online".

Tumori u kthye edhe më agresiv

Pasi mjekët konstatuan se vajza vuante nga ky lloj i tumorit, ata iu thanë prindërve të saj: "Shijojeni kohën që ju ka mbetur, ajo nuk do të mbijetojë". Përkundër prognozës së keqe, Addy kishte filluar menjëherë me rrezatim, ku pas 33 raundeve familjarët morën lajmin e mirë, se tumori ishte tkurrë, por mjekët ua bënë atyre të qartë - tumori do të kthehej. Dhe, kjo edhe ndodhi, tumori u kthye edhe më agresiv dhe, në këtë moment, mjekët i ngritën duart nga vogëlushja. Falë fondacionit "MakeA-Wish", Addy-t iu krijua mundësia që të udhëtonte në "Disney World". Familja e çuan atë edhe në Kolorado, në mënyrë që ajo ta shihte borën dhe të luante në bjeshkë, gjë që nuk mund ta bënte në Arkanzas. Pas rikthimit të tumorit, familjarët e çuan vajzën në Klinikën "0-19" në Monterej të Meksikës, për një trajtim eksperimental, i cili në fillim dukej se do të bënte punë, por më pas u pa se tumori vazhdonte që të përhapej. Duke mos pasur asnjë opsion tjetër, familja Sooter u kthye në SHBA dhe, më 1 qershor, Addy u pranua në një qendër ku pranohen personat buzë vdekjes, që nuk kanë shërim. Menjëherë, më 2 qershor, vajza më nuk mund të hante, apo të gëlltitej pa vështirësi. Vdekja e mori këtë engjëll të vogël.

 

(Kosova Sot)