Kozmetikat qeveritare zhvendosin vëmendjen NGA LIGJI ANTIMAFIA DHE VETTING-u

  • 17 June 2018 - 09:25
Kozmetikat qeveritare zhvendosin vëmendjen NGA LIGJI ANTIMAFIA DHE VETTING-u

Ahmeti: Ligji Antimafia dhe Ligji për VETTING-un janë imperativ i kohës që të iniciohen, qoftë nga pozita apo opozita parlamentare!

"Deri më tani, për asnjërin nga shpërdoruesit e buxhetit të shtetit, politikanët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët nuk është ngritur asnjë aktakuzë. Si të tillë, oligarkët ekonomikë dhe pushtetarët e nivelit të lartë "pa asnjë njollë" nuk do të preken nga drejtësia. Përkundrazi, ata do ta përdorin këtë ligj për hakmarrje ndaj kundërshtarëve politikë dhe për çdokënd që nuk u shkon për qejfi, për t'i frikësuar dhe shantazhuar", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Java që po mbetet pas, në fushën e sundimit të ligjit, është shënuar edhe me një improvizim të ri të Qeverisë së Kosovës, respektivisht të Ministrisë së Drejtësisë, ku kjo ministri e ka dërguar në Qeveri për miratim edhe një plotësim-ndryshim të ri të Ligjit për kompetencat e zgjeruara në konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale. Analistët politikë dhe njohësit e kësaj fushe, edhe këtë hap tjetër të ekzekutivit e kanë cilësuar si një përpjeke të politikës së inkriminuar që t'i ikin miratimit të Ligjit Antimafia dhe Ligjit të VETTING-ut. Duke anashkaluar të dyja këto ligje, sipas opinionistëve të gazetës, qeveria po blen kohë dhe po tenton që të mashtrojë opinionin publik dhe ndërkombëtarët, që gjoja përmes Projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë po synohet konfiskimi i çfarëdo pasurie të fituar me vepër penMirëpo, ky ligj nuk parasheh kurrfarë hetimi dhe hulumtimi të dyshuar të prejardhjes së pasurisë, por rastet hapen vetëm nëse hajni kapet në flagrancë, me presh përdore, që do të thotë të gjithë hajnat dhe abuzuesit milionerë të 20 viteve të fundit mbeten të pahetuar e të paprekshëm nga drejtësia. Për më tepër mbizotëron edhe frika se politika dhe nëntoka kriminale do ta përdorin këtë ligj së bashku me pushtetarët e lidhur me ta, për të shantazhuar çdokënd që nuk iu shkon për qejfi, ndërkaq nuk do të preken mafio-oligarkët e nëntokës kriminale dhe pushtetarët e nivelit të lartë gjatë të dy dekadave të fundit, që kanë krijuar pasuri dhjetëra milionëshe dhe i kanë fshehur nëpër parajsa fiskale nëpër botë.

MIFTARI: MAFIA POLITIKE DO TA PËRDORË KËTË LIGJ PËR TË SHANTAZHUAR ÇDOKËND QË NUK U SHKON PËR QEJFI TË TYRE!

Sipas ekspertit të fushës së sigurisë, Naim Miftari, problemi i mosfillimit të hartimit dhe implementimit të Ligjit Antimafia dhe Ligjit Vetting i kanë arsyet e veta serioze, pasi qeveritarët dhe politikanët, shumica e tyre, e dinë se janë të pasuruar nga korrupsioni dhe nga lidhjet me krimin e organizuar, prandaj edhe vazhdojnë të mos merren me bërjen e këtyre dy ligjeve. "Lirisht mund të them se edhe paketa e re ligjore e ministrit të Drejtësisë nga radhët e PDKsë, që ka shkuar dhe është diskutuar në Kuvend, janë miratuar në parim ato ligje, është vetëm humbje kohe dhe tentim që t'i mbulojnë edhe shumë kohë njerëzit e korruptuar, njerëzit e politikës, që janë të lidhur këmbë e krye me krimin e organizuar dhe me mafinë dhe që vijnë sidomos nga spektrat e ndryshëm politikë, por shumë të korruptuar, duke filluar nga e para PDK, LDK, AAK dhe NISMA dhe ndoshta edhe nga partitë e tjera më të vogla opozitare", theksoi ai. "Tentimet kozmetike, kinse për përmirësimin e ligjit, janë shaka dhe blerje kohe për mafinë politike në Kosovë, që janë në pushtet. Kjo është edhe loja e Projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, kinse po synohet konfiskimi i çfarëdo pasurie të fituar me korrupsion dhe me krim të organizuar, që do të thotë se vjedhjet dhe zhvatjet e ndryshme përmes pushtetit dhe politikës do të vazhdojnë. E them këtë sepse ky ligj nuk parasheh kurrfarë hetimi, kurrfarë hulumtimi të dyshuar të prejardhjes së pasurisë së politikanëve apo të ish-politikanëve e të pushtetarëve, të djeshëm e të sotëm, por rastet hapen vetëm nëse hajni kapet në flagrancë, me presh për dore, që do të thotë të gjithë hajnat dhe abuzuesit milionerë të 20 viteve të fundit mbeten të pahetuar e të paprekshëm nga drejtësia", tha Miftari për "Kosova Sot". Sipas tij, kjo është vetëm një taktikë perfide që bëhet nga mafia në pushtet, e cila ligjin e ri mund ta përdorë edhe për shantazhe. "Por, mafia politike do ta përdorë këtë ligj për të shantazhuar çdokënd që nuk u shkon për qejfi të tyre, do ta godasë opozitën kundërshtare, por edhe kundërshtarët e brendshëm që dalin kundër para sistemit politik apo kundër klaneve kriminale në politikë, në parti dhe pushtet, ndërkaq nuk do të preken mafio-oligarkët e nëntokës së lidhur ngushtë me kreun politik shtetëror", shtoi më tutje ai. Sipas Miftarit, derisa mafia politike po synon që përmes këtyre ligjeve ta forcojë dhe ta ruajë akoma më shumë pasurinë e tyre të paligjshme që e kanë bërë nga korrupsioni dhe veprat e tjera kriminale. Kjo mafi, me këto ligje, vetëm po i forcon përfitimin dhe favorin e mafisë politike, por jo edhe drejtësinë e qytetarit të thjeshtë. "Kosova nuk do të mund të dalë nga rrjeti dhe dora e "djallit politik", i cili ka njërën dorë në pushtet kurse dorën tjetër në mafi dhe krimin e organizuar, sepse dhe korrupsionin institucional e kanë vetëm si një lloj BIZNISI të tyre privat", potencoi Naim Miftari për "Kosova Sot".

ZEQA: POLITIKA E INKRIMINUAR PO MUNDOHET T'U IKË MIRATIMIT TË LIGJIT ANTIMAFIA DHE LIGJIT TË VETTING-UT!

Analisti politik Florim Zeqa thotë se po të analizohet me vëmendje i ashtuquajturi Projektligj me kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurive të fituara me vepër penale,shihet se ky është ligj për shpëtimin e të gjithë hajdutëve dhe abuzuesve milionerë të këtyre 20 viteve të fundit."I bie pikërisht kështu,për faktin se deri më tani,për asnjërin nga shpërdoruesit e buxhetit të shtetit,politikanët e inkriminuar dhe mafiooligarkët nuk është ngritur asnjë aktakuzë.Si të tillë,oligarkët ekonomikë dhe pushtetarët e nivelit të lartë "pa asnjë njollë" nuk do të preken nga drejtësia. Përkundrazi,ata do ta përdorin këtë ligj për hakmarrje ndaj kundërshtarëve politikë dhe për çdokënd që nuk u shkon për qejfi,për t'i frikësuar dhe shantazhuar",u shpreh ai."Përmes një projektligji të tillë,politika e inkriminuar po mundohet t'u ikë miratimit të Ligjit Antimafia dhe Ligjit të VETTING-ut.Pikërisht me anashkalimin e këtyre dy ligjeve qeveria po tenton të mashtrojë opinionin publik dhe ndërkombëtarët,se gjoja përmes "projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë" do të arrihet konfiskimi i çfarëdo lloj pasurie të fituar me vepër penale",potencoi Zeqa për "Kosova Sot".Ndërsa njohësi i fushës së sundimit të ligjit,Blerim Burjani,thotë se këto dy ligje nuk ka vullnet për t'i bërë kjo qeveri aktuale,por është sikur të imponohej nga jashtë bërja e tyre,për shumë kohë do të mbeteshin të pazbatueshme,sepse politika e inkriminuar nuk e ndjek vetveten."Këto dy ligje, Ligji Vetting dhe Antimafia,janë dy ligje që edhe te aprovoheshin sot nga Kuvendi kurrë nuk do të zbatoheshin,por problemi është diku tjetër,mos të jenë ligje në fuqi,për të cilat ata pasi që më nuk janë në politikë do t'i akuzonin,për këtë arsye nuk ka gjasa të nxirren këto dy ligje. Sidoqoftë,nuk është problemi i ligjeve në Kosovë,problem janë njerëzit që janë mbi rendin dhe ligjin,pra nuk ka asgjë nga kjo politikë që bëhet kundër pasurisë publike të shtetit",u shpreh ai."Kësaj maskarade ligjore të pushtetarëve nuk do t'i besojnë ndërkombëtarët,e aq më pak qytetarët e lodhur nga gënjeshtrat dhe mashtrimet e njëpasnjëshme të kusarëve politikë,që rropën e ç'rropën gjithçka që gjetën përpara për 20 vjet rresht,duke lënë në harresë të plotë interesat e shtetit dhe qytetarëve",theksoi analisti politik Florim Zeqa për "Kosova Sot".

Boll më me improvizime

Njohësi tjetër i kësaj fushe, Hidajet Ahmeti, tha për gazetën "Kosova Sot" se improvizimet e tilla legjislative më së paku i nevojiten shtetit të Kosovës, i cili falë kësaj loje akoma po mbetet i vonuar në fazën e tranzicionit të stërzgjatur. "Gjykoj se veprimet sipërfaqësore, formale e pa substancë, nuk i nevojiten shtetit të Kosovës në këtë gjendje faktike, e që është nevojë imediate për rend dhe ligj. Kosova si shtet në tranzicion ndodhet para shumë sfidave, por ajo që është më prioritare duhet të përmbushet me substancën e nevojshme për të determinuar proceset e rëndësishme për Kosovën, e jo të perceptohet vetëm ana formale si diçka e arritur", vlerësoi ai."Me këto veprime sipërfaqësore e formale në vazhdimësi po tentohet të kamuflohet para opinionit publik se përmes plotësim-ndryshimeve të ligjeve mund të arrihet ajo çka dëshirohet, duke proklamuar se të arriturat janë të pakontestueshme dhe të domosdoshme, por faktikisht impakti i këtyre politikave në jetën praktike është zero. Ligji Antimafia dhe Ligji për VETTING-un janë imperativ i kohës që të iniciohen, qoftë nga pozita apo opozita parlamentare, pasi që janë të domosdoshme për gjendjen faktike që ndodhemi", u shpreh Ahmeti."Nuk duhet të eksperimentohet me plotësim-ndryshime formale, por duhet të veprohet me atributet substanciale, të cilat, përveç perceptimit pozitiv në opinion publik, do të kenë edhe ndikim të jashtëzakonshëm në jetën institucionale, sociale e ekonomike", tha Hidajet Ahmeti. 

(Kosova Sot)