Presidenti i Iranit viziton Evropën, pasiguri për marrëveshjen bërthamore

  • 18 June 2018 - 15:30
Presidenti i Iranit viziton Evropën, pasiguri për marrëveshjen bërthamore

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, planifikon të vizitojë Austrinë dhe Zvicrën, muajin e ardhshëm, në kohën e pasigurive për të ardhmen e marrëveshjes bërthamore midis Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore.

Muajin e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe ka rivënë sanksione ekonomike kundër Iranit.

Nënshkrueset e tjera të marrëveshjes: Britania, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania kanë thënë se do të mbeten të përkushtuara ndaj saj, për aq kohë sa e respekton edhe Irani.

Teherani, ditë më parë, tha se ka nisur procesin e rritjes së kapacitetit për të pasuruar uranium, në rast se marrëveshja, që e kufizon aktivitetin e tij bërthamor, kolapson.

Rohani pritet të qëndrojë në Zvicër më 2 dhe 3 korrik për të biseduar me presidentin e këtij vendi, Alain Berset, dhe zyrtarë të tjerë, tha Qeveria zvicerane.

Më 4 korrik, presidenti iranian do të takohet me homologun e tij austriak, Aleksander Van der Bellen, dhe kancelarin Sebastian Kurz në Vjenë, citoi agjencia e lajmeve DPA një burim në zyrën presidenciale në Austri.


(Kosova Sot)