GURAZIU: GJITHË ADMINISTRATA PUBLIKE E KOSOVËS, E KORRUPTUAR DHE E SHANTAZHUAR!

  • 18 June 2018 - 16:12
GURAZIU: GJITHË ADMINISTRATA PUBLIKE E KOSOVËS, E KORRUPTUAR DHE E SHANTAZHUAR!

 Sipas Ragip Guraziut, është fakt i pamohueshëm dhe konstatim i saktë i z. Capussela se gjithë administrata publike e Kosovës, e korruptuar dhe e shantazhuar edhe pas 10 viteve e mbuluar nga problemet e politizuara, të inkriminuara dhe që askush deri më tani nuk ka dhënë kurrfarë përgjegjësie, kështu që krimet ekonomike nuk kanë të ndalur.

"Ekzistojnë shqetësime se ato janë qarqe që i mbivendosen njëra - tjetrës dhe ka shumë indikatorë që mund të tregojnë se elita politike është e involvuar në korrupsion dhe krim të organizuar. E për këtë më së miri flasin faktet e "letrës së bardhë", ku edhe pse kemi kaluar plot dhjetë vjet në pavarësi të plotë si shtet, nuk e kemi asnjë figurë të rëndësishme politike që është akuzuar, arrestuar dhe dënuar, madje as nuk janë zhvilluar hetime së paku meritore, nuk janë çuar në gjyq për asnjë nga këto krime për të cilat dihet e flitet publikisht", vijoi më tutje ai.

"Është një njollë shumë e keqe për shtetin e Kosovës kur po shihet ashiqare se edhe ndërkombëtarët janë në dijeni se nga po shkon ekonomia dhe politika e këtij shteti, që po quhet Kosovë, bile edhe shtet me Kushtetutë, Qeveri e Kuvend, por pa asnjë lëvizje përpara, as në sektorin e drejtësisë dhe as në atë ekonomik, që është sektor më i ndjeshëm për zhvillimin e një shteti, por që po degradohet dita-ditës", potencoi Guraziu. "Tani edhe qytetari më i painformuar po dyshon se nuk kemi shtet serioz, ngase po shihet ashiqare se si i kanë ndërtuar politikanët kryesorë perandoritë financiare, ndërsa dyshohet se shuma të mëdha kanë përfunduar në parajsat fiskale, atje ku të gjithë sundimtarët i fshehin zakonisht miliardat e tyre. Është pikërisht mungesa e një drejtësie të guximshme që po mundëson që Kosova të sundohet nga mafia e nëntokës kriminale", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)