Lajçi:"Pagat duhet të rriten si për punonjësit e sektorit publik ashtu edhe atë privat"

  • 18 June 2018 - 16:14
Lajçi:

 Vendimi i Qeverisë 'Haradinaj' për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar nga përfaqësues të opozitës vlerësohet se është një vendim diskriminues, skandaloz dhe abuzim me paranë publike.

Deputeti Ali Lajçi, për gazetën "Kosova Sot" thotë se me rritjen e pagave vetëm sa po thellohet diferenca e madhe e pagave, jo vetëm në raport ndaj sektorit privat, por edhe përbrenda vetë sektorit publik. Veç saj, opozita thonë se duhet rikujtuar Qeverinë se vendimi për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar po krijon ndasi të mëdha në paga në mes të punonjësve.

"Pagat duhet të rriten si për punonjësit e sektorit publik ashtu edhe atë privat, ngase është shqetësuese diferenca e krijuar në paga dhe në këtë mënyrë punëtorët e sektorëve të tjerë ndihen të diskriminuar", u shpreh ai. Sipas Lajçit, është i drejtë vlerësimi i BSPKsë se nëse bëhet një seleksionim, atëherë është një degradim dhe nënçmim i pjesës tjetër të punëtorëve, të cilin vendim nuk duhet pranuar."Por, në tërësi duhet të tërhiqet një paralele e përbashkët dhe pagat të rriten për të gjithë, pa e diskriminuar askënd. Sepse këto pagesa dhe privilegje të zyrtarëve të lartë shtetërorë po financohen nga buxheti i përgjithshëm", theksoi më tutje ai. Sipas Lajçit, rreth 85 për qind e buxhetit të Kosovës përbëhet prej taksave të konsumit, që i bie se të varfrit kontribuojnë më shumë në buxhetin kombëtar sesa njerëzit që janë në pozitë më të favorshme ekonomike.

(Kosova Sot)