Ylli i bejsbollit, vrasës sekret

  • 18 June 2018 - 19:01
Ylli i bejsbollit, vrasës sekret

HEROIZMI QË U SHNDËRRUA NË FILM 

Një lojtar bejsbolli i "Major League", përpos karrierës në sport, ishte marrë edhe me një jetë të rrezikshme të spiunimit dhe mashtrimit, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse shumëkush thotë se Moe Berg, në fakt, nuk kishte arritur asnjëherë të bëhej yll i vërtetë sportiv, ai kishte bërë emër në këtë fushë falë mënyrës së tij të veçantë të punës. Pas më shumë se një dekade në fushën e bejsbollit, Berg ishte rekrutuar nga qeveria e SHBAsë për të punuar si agjent sekret, për të hulumtuar përparimin e Gjermanisë në prodhimin e bombës bërthamore, gjatë viteve 1940. Bile, ai ishte gjetur në një rast sy më sy me fizikanin kryesor të armikut, Werner Heisenberg, derisa mbante me vete një revole të mbushur, me të cilën duhej ta kryente vrasjen. 

Diplomoi në juridik në Universitetin "Columbia"

Heroizmi i Bergut dhe rruga e jashtëzakonshme e cila e çoi atë drejt një karriere në spiunazh, këtë muaj është duke u sjellë në ekran të madh me anë të filmit "The Catcher Was a Spy", me në rolin kryesor Paul Rudd. Premiera e filmit do të mbahet më 22 qershor. Jeta e hershme e Bergut ishte tejet e jashtëzakonshme. Ai lindi në një familje çifute në Harlem, në vitin 1902 dhe u rrit në Nuark, ku luajti bejsboll për ekipin e shkollës, para se të shkonte në Universitetin 'Princeton'. Atje ai luajti për ekipin "Tigers", derisa studionte gjuhët latine dhe klasike. Ai ishte student i fortë në amfiteatër, derisa në fushë të lojës ishte lojtar bizar. Në vitin 1923 ai iu bashkua klubit "Brooklyn Robins". Përgjatë dhjetë viteve të ardhshme ai lëvizi midis klubeve të ndryshme, të vogla dhe të mëdha, duke diplomuar në ndërkohë në juridik në Universitetin "Columbia". Në bazë të një biografie të quajtur 'The Catcher was a Spy', të shkruar nga Nicholas Dawidoff, jeta e Bergut mori një kthesë në vitin 1934, derisa ishte në Tokio, në kuadër të një turneu. Derisa gjendej në Tokio, thuhet se ai ishte veshur me kimono, ishte ngjitur mbi ndërtesën më të madhe në qytet, ku kishte përdorë kamerën për të incizuar qendrat ushtarake nga lart. Disa vite më vonë, derisa Lufta e dytë botërore ishte në vlugun e saj, Berg ia dërgoi incizimet Bill Donovanit, kreut të asaj që sot njihet me emrin CIA, transmeton "Kosova Sot Online".

Tiparet që bënë Bergun kandidat ideal për punë të spiunimit

Historianët thonë se, sipas Bergut, incizimet e tij ishin përdorur gjatë planifikimit të sulmit të parë ajror amerikan kundër Japonisë, në vitin 1942. Pa marrë parasysh a është kjo e vërtetë, apo jo, një gjë dihet me siguri, se aftësitë e tij e impresionuan Donovanin, i cili asokohe ishte duke rekrutuar civilë të profilit të lartë, sikur Julia Child dhe regjisori i filmit, John Ford, për të bërë punë sekrete. Ishin disa tipare të ndryshme të cilat e bënë Bergun kandidat ideal për punë të spiunimit. Së pari, ai ishte inteligjent dhe dinte disa gjuhë. Së dyti, ai njihej për posedimin e një ane sekrete. Atij kryesisht i kishte shkuar për dore që ta fshihte prejardhjen e tij çifute dhe orientimin biseksual. Pas një trajnimi të ashpër, Berg dërgohet në detyrën e tij të parë në vitin 1944, për të mbledhur informata rreth progresit gjerman në drejtim të prodhimit të bombës bërthamore. Ai pati më pas edhe misione të tjera në Evropë, duke përfshirë edhe misionin ku pretendonte të ishte oficer nazist, me qëllim të kishte qasje në një qendër municionesh. Në vitin 1994 ai u dërgua në një konferencë në Cyrih, ku ligjëronte fizikani kryesor gjerman, Heisenberg. Ai u infiltrua në këtë ligjëratë, duke u prezantuar si student. Ai ishte ngarkuar me detyrën që, nëse do të vlerësonte se gjermanët ishin afër prodhimit të bombës bërthamore, ta vriste Heisenbergun me revole, para se të bënte vetëvrasje duke gëlltitur një pilulë cianidi. Por, Berg vlerësoi se Gjermania nuk ishte afër prodhimit të një arme të tillë, prandaj edhe nuk e vrau Heisenbergun. Lufta përfundoi një vit më pas dhe Berg vazhdoi që të bashkëpunonte me atë që asokohe ishte CIA për një dekadë, para se të pensionohej në vitin 1954. Gjatë dy dekadave vijuese ai bëri një jetë të qetë, falë ndihmës financiare nga miqtë dhe familja. Ai kurrë nuk e kishte fshehur kushedi sa faktin që kishte punuar si spiun, bile duke i bërë të tjerët që të besonin se merrej me këtë zanat, deri në vdekjen e tij në moshën 70 vjeçe, në vitin 1972.  

 

(Kosova Sot)