Mafio-politika bleu sërish drejtësinë me rritjen e pagave

  • 18 June 2018 - 08:05
Mafio-politika bleu sërish drejtësinë me rritjen e pagave

EFEKTET E NJË VENDIMI TË PALIGJSHËM DHE ANTIKUSHTETUES

Miftari: Rritja e pagave për zyrtarët e gjykatave dhe prokurorive është vetëm shpërblim i vogël nga mafia politike

"Në fakt, dyfishimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është rikorruptim legal i gjyqtarëve dhe prokurorëve që punojnë ditë e natë për interesat e mafiopolitikanëve, gjegjësisht për mosprekjen e 'peshqve të mëdhenj' në oqeanin e ndotur politik të Kosovës", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Analistët politikë dhe njohësit e fushës së drejtësisë e shohin dhe vlerësojnë me sy tepër kritik faktin se si ia rriti pagat edhe sistemit të drejtësisë vendimi përkrahës i Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave të Qeverisë, vendim që u bë publik javën e kaluar. Opinionistët e gazetës theksojnë se, edhe pse sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë tërësisht i dështuar, me këtë vendim qeveritar dhe konfirmim nga Gjykata Kushtetuese do të shpërblehen 600 gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët nga paga rreth 1500 euro, sa e kanë aktualisht, do të përfitojnë pagën mbi 3000 euro! Sipas opinionitëve, ky është vetëm një shpërblim i politikës për sistemin e drejtësisë, ku pagat dyfishohen edhe përkundër dështimeve të përditshme në sundimin e ligjit dhe pikërisht kjo rritje pagash është vetëm edhe një korruptim i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga politika,që të vazhdojnë të mos punojnë dhe të mos i prekin 'peshqit e mëdhenj', pra thjesht t'i mbyllin sytë para krimit të organizuar dhe korrupsionit endemik, siç kanë bërë deri më sot!

MIFTARI: RRITJA E RROGAVE ËSHTË VETËM KORRUPTIM I DREJTËSISË

Po aq kritik është edhe Naim Miftari, njohës i fushës së sigurisë. "Rritja e pagave për zyrtarët e gjykatave dhe prokurorive është vetëm shpërblim i vogël nga mafia politike, e cila nëse duhet ua rrit prapë rrogat, vetëm që këta zyrtarë që duhet dhe në vend se me mbrojt ligjin, e mbrojnë Maliqin, do me thënë e mbrojnë mafinë politike të korruptuar deri në palcë. Këtyre njerëzve edhe për ç'do javë nëse u rriten rrogat, rezultati do të jetë i njëjti dhe i dështuar, pasi nuk ka faj as rroga dhe as mungesa kinse e ligjeve për dështim. Këtu në këtë sistem të dështuar janë njerëzit që duhet të zbatojnë ligjin", theksoi ai."Rritja e rrogave është vetëm korruptim i drejtësisë dhe blerje e kohës për këtë klasë të korruptuar politikanësh dhe zyrtarësh shtetërorë, për t'u arsyetuar kinse ligji dhe pagat ishin dhe janë të dobëta, çka nuk është e vërtetë. Në një prokurori të shtetit gati në gjitha vendet përreth, ku kemi shtete që janë edhe në BE, rroga sillet diku 1000-1300 euro dhe ata kanë shënuar rezultate shumë të mira në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Prandaj, bëhet pyetja pse një prokuror i korruptuar i Kosovës dhe prokuror SERVIL politik i dikujt ta ketë rrogën 3000 euro, kur dihet se rrogat e qytetarëve sillen diku 250-300..., kjo është turp dhe ky dallim tregon se Kosova nuk ka as institucione të pavarura dhe as qeveri, e madje as Gjykatë Kushtetuese të pavarur, por këto institucione janë të mbushura me sekserë dhe servilë të krimit të organizuar politik", tha Naim Miftari. "Rritja e rrogave është bërë me qëllim që vetëm t'i ushqejnë dhe t'i rehatojnë njerëzit e vet në pushtet, që të vazhdojnë kësisoj punën në organet e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, sikurse deri më sot", tha Naim Miftari për "Kosova Sot".

ZEQA:DYFISHIMI I PAGAVE TË GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE ËSHTË RIKORRUPTIM LEGAL I GJYQTARËVE E PROKURORËVE!

Analisti politik Florim Zeqa thotë se pakoja e rritjes së pagave Qeveri-Sistemi i Drejtësisë, i mbështetur nga Gjykata Kushtetuese, përveçse skandaloze dhe e pamerituar, paraqet konflikt të interesit në veton e parë. Ai thekson se përveç qeveritarëve (pushtetarëve), nga Gjykata Kushtetuese konfirmohet shpërblimi edhe i gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar nga ana e politikës. "Në fakt, dyfishimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është rikorruptim legal i gjyqtarëve e prokurorëve që punojnë ditë e natë për interesat e mafio-politikanëve, gjegjësisht për mosprekjen e 'peshqve të mëdhenj' në oqeanin e ndotur politik të Kosovës", potencoi ai. Sipas Zeqës, nëse prokurorët dhe gjyqtarët deri dje e kanë mbyllur njërin sy, tani e tutje do t'i mbyllin sy e veshë para krimit të organizuar dhe korrupsionit endemik. "Me rritjen e pagave në sistemin e drejtësisë, pushtetarët do të ndihen akoma më komodë dhe të paprekshëm në qeverisjen e vendit, ndërsa prokurorët e gjykatësit më të motivuar për mbrojtjen e 'sheikëve' të politikës", vijoi më tej ai. "Kështu pra Kosova, si vendi më i varfër në Evropë, me shkallën papunësisë është 30.5 për qind, me rreth 17.6 për qind të popullatës që jeton në varfëri të plotë me vetëm 1.82 euro në ditë për një person të rritur, ndërsa 5.2 për qind e popullatës jeton në varfëri ekstreme me 1.30 euro në ditë, do të paguajë me pagat më të larta qeveritarët më të pasur në rajon, përkatësisht paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të rritet në 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro", ka shpjeguar Zeqa."Krahasuar me pagat e larta të qeveritarëve, prokurorëve dhe gjykatësve, paga mesatare në sektorin publik sipas të dhënave zyrtare është 525 euro, 371 euro në sektorin privat, kurse paga minimale vazhdon të mbetet nga 130 deri 170 euro në muaj,...në anën tjetër pensionistët kontribut-pagues marrin nga 158 deri 240 euro, asistencat sociale kapin shumën prej 50 deri 150 euro, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes, kurse pensionet e moshës janë 80 euro në muaj! Kjo tregon shpërputhje të skajshme të 'nivelimit' të pagave dhe pabarazinë sociale në vendin tonë", tha analisti Zeqa. "Për më tepër se kaq, nga tani e tutje, me përligjjen e abuzimit dhe zhvatjes së buxhetit të shtetit, me vendimin e fundit edhe Gjykata Kushtetuese është vënë në shërbim të korrupsionit dhe krimit të organizuar, për çka edhe pagat e tyre shkojnë deri në 4 mijë euro", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot". 

Nuk ka reformë të mirëfilltë

Një gjykim dhe vlerësim kritik për këtë rritje pagash, që prek edhe sistemin e stërkequr të drejtësisë, ka analisti dhe njohësi i kësaj fushe, Hidajet Ahmeti. "Qeveria 'Haradinaj' në vendimin për rritjen e pagave vetes nuk ka qenë në dijeni se do të këtë rritje pagash edhe për kategori të tjera, por më vonë ka kuptuar se në vendimin për rritje pagash përfshin edhe kategoritë e tjera, si gjyqtarë e prokurorë. Kjo rritje pagash është vazhdimësi e logjikës së njëjtë, por pa vizion të qartë për ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në sistemin e drejtësisë dhe njëkohësisht nuk është garanci ngritjeje e performancës, as në nivelin qeveritar, e as në sistemin e drejtësisë", u shpreh ai. "Gjykoj se, pa një reformë të mirëfilltë në sistemin e drejtësisë, duke bërë plotësimndryshimin e ligjeve, inicimin e ligjeve jetike për këtë sistem, duke filluar nga Ligji Antimafia, Ligji për Vettingun, dhe akte tjera nënligjore, nuk mund të kemi një sistem të drejtësisë së dëshiruar. Rritja e pagave pa përcjelljen e këtyre reformave të domosdoshme është vetëm në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës dhe në kurriz të qytetarëve të lodhur nga ky mjerim socio-ekonomik", ka thënë Ahmeti. "Ky kamuflim i pasinqertë në drejtim të gabuar, e një deficit të vizionit për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit, akoma më shumë thellon ndarjen e kategorive shoqërore. Prandaj, me këto vendime të pamatura, të paanalizuara e sipërfaqësore, nuk mund të kemi sukses në ndërtimin e konsolidimin e shtetit, e me një fjalë dalje nga kthetrat e mafiooligarkëve, të cilët përmes keqpërdorimit të buxhetit të Republikës kanë ndërtuar perandori kriminale", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot".

Kelmendi: Rritja e pagave, shpërblim për lojalitetin e prokurorëve dhe të gjykatësve karshi politikës së inkriminuar

Ndërsa analisti dhe publicisti Naim Kelmendi thotë se nuk është aspak e habitshme që me këtë veprim të fundit të bërjes si të ligjshëm për vendimin e Qeverisë për pagat, të përfitojnë pa meritë edhe gjykatës e prokurorë që nuk po e bëjnë si duhet punën e tyre. "Nuk nevojitet të jesh shumë i informuar për t'u njohur me situatën e rëndë në institucionet e Prokurorisë së Kosovës që po mbizotëron aty nga mospuna, mungesa e qasjes profesionale dhe të pavarur në rastet më serioze të krimit dhe korrupsionit", u shpreh ai për "Kosova Sot". Sipas tij, kjo ngritje e tanishme e nivelit të pagave nuk është asgjë tjetër veçse një shpërblim për lojalitetin e prokurorëve dhe të gjykatësve karshi politikës së inkriminuar. "Me asnjë veprim të deritanishëm sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk e ka dëshmuar veten për pavarësi dhe profesionalizëm, në mënyrë që ta arsyetojë edhe kërkesën eventuale për ngritje të pagave", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)