Skandaloze, shteti lejon hapur abuzimin me derivatet (Video)

  • 18 June 2018 - 08:08
Skandaloze, shteti lejon hapur abuzimin me derivatet (Video)

TREGU I NAFTËS NË KOSOVË, JASHTË KONTROLLIT

Salihu: Fajtorë për sektorin e importit të derivateve janë mafia e derivateve të naftës dhe thënë troç është krim i organizuar me derivate

"Arsyeja pse nuk po inspektohen pompat e derivateve të naftës është se pronarët e këtyre pompave janë zyrtarë politikë ose e kanë dikë brenda ndonjë partie politike, të cilët po u ndihmojnë që t'i ikin ligjit", thotë eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot"

Tregu i derivateve të naftës mbetet jashtë kontrollit dhe këtë e pranojnë edhe vetë ata që janë pjesë e këtij sektori. Ndërkohë janë konsumatorët e shumtë që po e pësojnë nga abuzimet që bëhen me sasinë dhe cilësinë e derivateve, si dhe me çmimin. Ekspertë të ekonomisë dhe qytetarët janë tejet të pakënaqur përse nuk po inspektohen seriozisht pompat e derivateve të naftës, të cilat veç cilësisë edhe nuk po japin sasinë e duhur në litër, të cilën e paguajnë konsumatorët. Nga deputetët e opozitës dhe qytetarët shtrohet pyetja se përse po lejohet që pompat e derivateve, të cilat me të madhe nga opinioni po dyshohet se pothuajse të gjitha janë në bashkëpronësi të pushtetarëve të nivelit të lartë, përveçse vjedhin në litër, ato po abuzojnë edhe me çmime. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të tyre, se çka thonë për këto akuza në adresë të MTI-së, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.

Shoqata fajëson MTI-në

Kreu i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për gazetën "Kosova Sot" tha se të gjitha pikat e karburantit kur të pajisen me licencë pune duhet që të jenë të kalibruara dhe në cilësinë e kryetarit të shoqatës ka apeluar te pronarët që të gjitha pikat të jenë të kalibruara."Duhet kërkuar edhe përgjegjësi nga ministri i MTI-së, Bajram Hasani, që thotë se ka shumë pika karburanti pa licencë pune. Andaj, thënë troç, kjo do të thotë se nga ana e MTI-së me vetëdije të plotë po lejohen pika të karburantit të operojnë pa licenca pune, pa kalibrim dhe pa fiskalizim", theksoi ai. "Në adresë të Shoqatës së Naftëtarëve dhe në adresë të MTI-së e të ATK-së ka pasur ankesa të bizneseve që merren me shitjen e derivateve të naftës nga rajoni i Kamenicës dhe Ranillugut, që kanë kërkuar të ndalohet veprimtaria e shumë pikave të shitjes që operojnë pa licencë pune, pa fiskalizim dhe pa kalibrim të pompave të derivateve që janë në rajonin e Kamenicës dhe Ranillugut", tregon Berjani. Gazeta ka mësuar se ankesat e tyre në adresë të MTI-së dhe ATK-së i kanë deponuar këto kompani: "FamaPetroll", "Albina - Petroll", "ImeriPetroll", "Borovci-Oil","BerishaPetroll", " Bujku - Petroll","Bojku - Petroll" dhe Kompania "IsmajliPetroll". Të gjitha këto biznese ankohen në konkurrencë të padrejtë, duke akuzuar disa kompani se operojnë në këto dy komuna në mënyrë informale dhe pa pasur licencë pune dhe pa qenë të fiskalizuara", theksoi Fadil Berjani.

Mafia e kontrollon tregun

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu, për gazetën "Kosova Sot", tha se fatkeqësisht për këtë situatë fajtorë janë njerëzit e pasur të këtij sektori të biznesit, që me importet e tyre të derivateve jocilësore po e shkatërrojnë ambientin."Kjo ngase në Kosovë importohen derivate shumë të dobëta, kryesisht nga Shqipëria", u shpreh ai."Pra, fajtorë për këtë gjendje në sektorin e importit të derivateve janë mafia e derivateve të naftës dhe thënë troç është krim i organizuar me derivate. Në shumicën e kompanive njerëzit nga politika e kanë hisen e vet të biznesit dhe kulaçit, sepse është krim i organizuar me derivate", potencoi Salihu. "E kemi këtë gjendje kaotike në treg, ku shumë pika të shitjes po ndodhin, të cilat veç cilësisë edhe nuk po japin sasinë e duhur në litër, të cilën e paguajnë konsumatorët. Kjo mund të ndërpritet vetëm po qe se mafia e derivateve goditet në krye. Ngase, neve si shoqëri, në saje të derivateve jocilësore, po na kushton me miliona euro humbje", ka shtuar ai. Sipas opozitarit Salihu, një nevojë tjetër është edhe imperative, që të ndërtohet Rafineria e Përpunimit të Derivateve të Naftës, sepse jemi vendi i vetëm në rajon pa rafineri të tillë. "Cilësinë e derivateve të naftës dhe importimin e derivateve duhet që ta kontrollojë dhe ta bëjë vetëm shteti, përkatësisht kompanitë shtetërore duhet që të bëjnë importimin e derivateve të naftës dhe më pas kjo sasi e importuar duhet që t'u shitet bizneseve private", ka vlerësuar ai.

Ekonomi e dominuar nga mashtrimet

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot" tha se kjo dukuri e mashtrimit në Kosovë është prezente në të gjitha fushat ekonomike, duke filluar nga prodhimi, tregtia, pra në Kosovë kilogrami dhe litri janë vetëm në letër, por konsumatori paguan më shumë sesa atë që do të marrë në kundërvlerë. "Bizneset në Kosovë duhet t'i përgëzojmë për invencionin e matjes, pra si njësi matëse për bizneset në Kosovë është mashtrimi", u shpreh ai."Duke u bazuar në nivelin e madh të mashtrimit nga ana e bizneseve institucionet në Kosovë duhet me qenë vigjilente, që të inspektohen dhe të investigohen të gjitha bizneset, e në veçanti bizneset e derivateve, sepse mashtrimi më i madh bëhet këtu ndaj qytetarit. Pra, këto biznese përveç mashtrimit në llogaritje të litrës, njëherësh veprojnë si oligarki e pastër në treg, sepse të gjitha pikat e furnizimit me derivate dalin me çmime të njëjta që në ekonomi të tregut është e pakuptimtë", ka thënë Kadriaj. Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot" tha se arsyeja pse nuk po inspektohen pompat e derivateve të naftës është se pronarët e këtyre pompave janë zyrtarë politikë ose e kanë dikë brenda ndonjë partie politike, të cilët po u ndihmojnë që t'i ikin ligjit. "MTI-ja duhet sa më parë të marrë masa në uljen e çmimeve të derivateve të naftës dhe që ta ashpërsojnë kontrollimin e cilësisë së naftës, duke e ditur që para 10 viteve abuzonin duke e përzier naftën edhe me ujë dhe shumica e personave që posedonin vetura dhe makina të tjera kishin probleme me motorët dhe pajisje tjera të këtyre makinave", u shpreh ai. Veç saj, sipas Grapcit, Kosova është shteti me çmimet më të larta në rajon."Sipas informacioneve, flitet që nafta ka pasur ulje të çmimit në bursat e tregut, kurse në Kosovë çmimet ose po mbesin të njëjta, ose po ngrihen për 10 centë më shtrenjtë", ka vlerësuar Grapci.

Plaçkitja e pandalshme në pompa

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot" tha se që nga paslufta normë e zhvillimit ekonomik në vendit tonë kanë qenë pompat e derivateve të naftës, sepse me këtë lloj biznesi kanë pasur mundësi të përfitojnë më shpejt dhe kundërligjshëm. "Është e ditur se kontrabanda më e madhe pas lufte është bërë me derivate të naftës, na është e ditur që pas lufte ka pasur bartje të naftës jo vetëm me autobote, por në kufirin me Malin e Zi kpasur edhe nëpërmjet tubave që përdoren për ujësjellës. Është përdorur për bartjen e derivateve të naftës edhe në prani të doganierëve, policisë edhe KFOR-it dhe shumë vonë është reaguar nga institucionet përgjegjëse", theksoi ai."Menjëherë pas lufte mund të themi se nuk ka pasur mekanizma dhe kapacitete të mjaftueshme, për luftimin e kësaj dukurie, por sot është për habi se para të gjitha këtyre institucioneve që ka vendi, si Dogana, Administrata Tatimore, Policia, e në veçanti MTIja, ende nëpër pompat e derivateve ka plaçkitje të qytetarëve të vendit edhe në sasi, por edhe në cilësi, ngase ne i kemi derivatet më të dobëta në rajon, sepse u kanë shkaktuar dëme materiale qytetarëve në automjete, por edhe në shëndetin e qytetarëve .Si rast të tillë vlen të përmendet vetëm rasti i furnizimit me derivate për nxehje nëpër shkollat e Prishtinës, ku drejtpërdrejt është rrezikuar jeta e fëmijëve tanë nëpër shkollat tona", ka thënë më tutje Neziraj.

Qytetarët, të pakënaqur me cilësinë e derivateve të naftës

Edhe qytetarët e anketuar thonë se ata janë shumë të pakënaqur me cilësinë e derivateve të naftës, por dhe me hajninë që po u bëhet në sasinë e derivateve. Bekim Dalipi, për gazetën "Kosova Sot", tha se e tëra kjo po ndodh ngase inspektorët e MTI-së shumicën e kohës qëndrojnë në zyrat e kompanive të derivateve të naftës, "duke bërë sefa me pronarët". Sipas tij, shumica e ankesave të qytetarëve qëndrojnë te cilësia shumë e dobët e derivateve të naftës."Kam dëgjuar se në shumë raste edhe qytetarët tanë janë ankuar se disa nga kompanitë e derivateve edhe po i vjedhin qytetarët në sasinë e derivateve. Sepse cilësia e derivateve dallon shumë nga një pikë e shitjes në tjetrën pikë", ka thënë ai. Sipas tij, indiferenca e inspektorëve tatimorë të MTI-së dhe ATK-së përballë këtyre të metave lë dyshime se edhe ata janë të involvuar në marrje të mitës dhe ryshfetit.

(Kosova Sot)