Prokuroria jep detaje për policët e arrestuar në Gjilan

  • 18 June 2018 - 19:34
Prokuroria jep detaje për policët e arrestuar në Gjilan

Tre zyrtarë policorë janë arrestuar dhe janë suspenduar nga pozita e tyre nën dyshimin për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Malokun, ka folur në lidhje me arrestimin e zyrtarëve policorë.

Maloku tha se zyrtarët policorë nuk i kanë kryer obligimet e tyre në një rast vjedhjeje në një qendër tregtare në Gjilan dhe një bankomati të vendosur në po atë qendër.

“Janë suspenduar tre policë. Të njëjtit janë arrestuar dhe u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nga prokurori kompetent. E gjitha ka ardhur si pasojë e neglizhencës së obligimeve të tyre si zyrtarë policorë. Bëhet fjalë për vjedhje/ plaçkitje në qendrën tregtare “Agmia” në Gjilan. Zyrtarët policorë janë informuar për plaçkitjen dhe nuk kanë ndërmarrë masa. Ata kanë parë të dyshuarit dhe nuk janë vënë në ndjekje të tyre dhe nuk kanë bërë paralajmërim në bazë, nuk kanë kërkuar as asistencë”, tha kryeprokurori i Gjilanit.

Ai shtoi se zyrtarët policorë janë arrestuar dhe hetimi për rastin është zgjeruar.

“Jemi duke e hetuar rastin. Në të njëjtin rast bëhet fjalë edhe për një patrullë policie e cila ishte statike ka qenë në rrugë por nuk ka marrë pjesë në aksionin e të dyshuarve”, tha Maloku.

I pyetur nëse do të kërkohet masë e paraburgimit për zyrtarët policorë, Maloku tha se ende nuk është vendosur një gjë e tillë pa përfunduar procesi i hetimeve.

 

(Kosova Sot)