Neziraj:Nëpër pompat e derivateve ka plaçkitje të qytetarëve të vendit

  • 18 June 2018 - 22:22
Neziraj:Nëpër pompat e derivateve ka plaçkitje të qytetarëve të vendit

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot" tha se që nga paslufta normë e zhvillimit ekonomik në vendit tonë kanë qenë pompat e derivateve të naftës, sepse me këtë lloj biznesi kanë pasur mundësi të përfitojnë më shpejt dhe kundërligjshëm. "Është e ditur se kontrabanda më e madhe pas lufte është bërë me derivate të naftës, na është e ditur që pas lufte ka pasur bartje të naftës jo vetëm me autobote, por në kufirin me Malin e Zi ka pasur edhe nëpërmjet tubave që përdoren për ujësjellës. Është përdorur për bartjen e derivateve të naftës edhe në prani të doganierëve, policisë edhe KFOR-it dhe shumë vonë është reaguar nga institucionet përgjegjëse", theksoi ai."Menjëherë pas lufte mund të themi se nuk ka pasur mekanizma dhe kapacitete të mjaftueshme, për luftimin e kësaj dukurie, por sot është për habi se para të gjitha këtyre institucioneve që ka vendi, si Dogana, Administrata Tatimore, Policia, e në veçanti MTIja, ende nëpër pompat e derivateve ka plaçkitje të qytetarëve të vendit edhe në sasi, por edhe në cilësi, ngase ne i kemi derivatet më të dobëta në rajon, sepse u kanë shkaktuar dëme materiale qytetarëve në automjete, por edhe në shëndetin e qytetarëve .Si rast të tillë vlen të përmendet vetëm rasti i furnizimit me derivate për nxehje nëpër shkollat e Prishtinës, ku drejtpërdrejt është rrezikuar jeta e fëmijëve tanë nëpër shkollat tona", ka thënë më tutje Neziraj. 

 

(Kosova Sot)