Trump dhe Putin takohen në muajin korrik?

  • 18 June 2018 - 23:47
Trump dhe Putin takohen në muajin korrik?

Takimi mes presidentëve Trump dhe Putin mund të ndodhë muajin e ardhshëm, pas samitit të NATO’s dhe para finales së Botërorit. Lajmin e bëjnë të ditur gazetat ruse, që citojnë burime të mirë informuara.

Takimi i shumëpritur mes presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump mund të ndodhë më shpejtë nga sa mendohej, më 13 ose 14 Korrik. Lajmin e bën të ditur e përditshmja ruse “Kommersant”, që ka kryer një analizë të detajuar të agjendave të dy presidentëve.

Hipoteza është konfirmuar edhe nga burime të besueshme të gazetës, të cilat megjithatë janë treguar të moderuara.

Në Bruksel, më 11 dhe 12 Korrik do të mbahet samiti i NATO’s dhe kështu, për Trump takimi me Putin mund të përbëjë pikun e turit të tij europian.

Ndërkohë, presidenti rus do të ketë kohë për të takuar homologun e tij dhe të kthehet në Moskë më 15 korrik, dita kur do të luhet finalja e Botërorit.

Vendi i duhur për këtë takim, sipas llogarive të gazetës ruse, i bie të jetë Vjena.

Javën e kaluar ishte vetë presidenti Donald Trump që deklaroi se takimi mes tij dhe kreut të Kremlinit do të ndodhë në verë ose në fillim të vjeshtës.

Në një komunikim me mediat, Trump fajësoi paraardhësin e tij Barack Obama për prishjen e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

 

(Kosova Sot)