Botërori “detyron” Vuçiçin të shtyjë publikimin e ofertës së Perëndimit për Kosovën

  • 19 June 2018 - 13:37
Botërori “detyron” Vuçiçin të shtyjë publikimin e ofertës së Perëndimit për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç kishte planifikuar t’i drejtohej më 16 qershor opinionit përmes Radio Televizionit shtetëror Serb, për të bërë publike ofertën e marrë nga Perëndimi për Kosovën, por sipas të përditshmes beogradase “Danas”, ai vendosi ta shtyjë këtë datë dhe arsyeja është pikërisht Kupa e Botës.

“Danas” thotë se Vuçiç nuk ka hequr dorë nga planet e tij për ta diskutuar çështjen sa më shpejt, por kampionati botëror i futbollit mund ta detyrojë që ta lërë njoftimin për një datë më të vonë.

“Përshtypja e kreut të shtetit, me shumë gjasë është se, askush nuk dëshiron të dëgjojë të flitet për Kosovën gjatë zhvillimit të Botërorit”, është komenti i të përditshmes serbe.

Ndërkohë, autoritetet në Bruksel konfirmuan se të dielën, Vuçiç do të takohet në kryeqytetin belg me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
 

Deklarata ka dalë nga zyra e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, të kthyer në ndërmjetësuesen e procesit të dialogut mes dy vendeve.

Mogherini sqaroi se, presidentët do të vazhdojnë punën e tyre për normalizimin e marrëdhënieve, do të shqyrtojnë marrëveshjet ekzistuese dhe do të diskutojnë hapat në vazhdim drejt një faze intensive bisedimesh.

(Kosova Sot)