Grapci: Paratë nga diaspora, mbajnë gjallë qytetarët për të mbijetuar në shtetin e mafio-oligarkëve

  • 19 June 2018 - 15:23
Grapci: Paratë nga diaspora, mbajnë gjallë qytetarët për të mbijetuar në shtetin e mafio-oligarkëve

Ndërsa, analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot" thotë se nuk ka asnjë dyshim se paratë që u dërgohen kosovarëve nga diaspora realisht janë ato që po i mbajnë gjallë qytetarët për të mbijetuar në shtetin ku sundojnë nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve që mbajnë monopole kriminale dhe janë mbi ligjin dhe ku nuk ka zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës.

"Por, veç saj, është edhe një e vërtetë shtesë që diaspora e ka mbajtur ekonominë e Kosovës jo vetëm nga paslufta, por edhe para viteve 98- 99", u shpreh ai."Shteti duhet t'ua lehtësojë kushtet qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Gjermani dhe Zvicër, e më gjerë, duke u mundësuar atyre që më lehtë të investojnë në biznes apo ta hapin ata një biznes të tyre. Kontributi i emigrantëve nuk kufizohet vetëm me zhvillimin e vendeve ku ata kanë vendosur të jetojnë e të punojnë, pasi ndihma e emigrantëve shkon edhe në drejtim të vendit nga ku janë nisur", ka potencuar Grapci.

"Me gjithë faktin se vëmendja ndaj faktorit pozitiv të diasporës është monopolizuar shpeshherë nga remitencat financiare, roli i saj shkon përtej parave që ata u dërgojnë familjeve në atdhe. Kosova fatkeqësisht nuk e ka çmuar asnjëherë vlerën dhe kontributin e diasporës, të cilët kanë kontribuar në çdo periudhë të vendit, në veçanti gjatë luftës si me ardhjen e shqiptarëve nga bota për të votuar ashtu edhe me të holla dhe armatim", ka thënë ai. Sipas Grapcit, diaspora jonë është një potencial i madh, jo vetëm në aspektin ekonomik dhe të bizneseve, por edhe në aspektin intelektual dhe të resurseve njerëzore, andaj pa diasporën Kosova s'do të ishte kjo që është.

(Kosova Sot)