ZEQA: PUSHTETARËT E PASLUFTËS JANË FOKUSUAR NË PRODHIMIN E "KUADROVE" ME DIPLOMA TË FABRIKUARA!

  • 19 June 2018 - 16:24
ZEQA: PUSHTETARËT E PASLUFTËS JANË FOKUSUAR NË PRODHIMIN E

 Analisti politik Florim Zeqa thotë se sidomos pushtetarët e pasluftës, e në veçanti pas 17 shkurtit 2008 janë fokusuar në prodhimin e "kuadrove" me diploma të fabrikuara, të gjysmë analfabetëve e jo profesionistëve! "Një pjesë e madhe e prokurorëve dhe gjyqtarëve kanë probleme të mëdha, duke filluar nga drejtshkrimi, përdorimi i gjuhës shqipe, mosnjohja e ligjeve, sidomos në pjesën administrative dhe civile, por edhe në atë penale, si dhe të shumë mangësive të tjera profesionale. Kontrolli i drejtësisë nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale vjen edhe si produkt i injorancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, e ardhur si pasojë e sistemit të deformuar dhe degraduar të arsimit kosovar që po vazhdon të nxjerrë në "tregun e punës" juristë të "diplomuar" dhe jo vetëm, por me deficite të mëdha të njohurive profesionale", vlerësoi ai për "Kosova Sot".

"Me këto gjenerata të prodhuara nga një sistem i dështuar dhe i inkriminuar i arsimit nëpër universitetet publike (politike) dhe private të nëntokës politike, drejtësia kosovare nuk ka shanse të arrijë as standardet mesatare të një sistemi modern të vendosjes së drejtësisë, si në vendet e zhvilluara dhe demokratike", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)