Cilat veprime mund t'ju çojnë në burg, derisa jeni në pushime

  • 19 June 2018 - 18:35
Cilat veprime mund t'ju çojnë në burg, derisa jeni në pushime

Në Majorka, nëse pini alkool në rrugë, mund të dënoheni deri në 3,000 euro

Para se të nisen për në pushime, pjesa më e madhe e britanikëve interesohen vetëm për motin, por Shoqata e udhëtarëve, "ABTA", ua tërheqë vërejtjen atyre se duhet të interesohen edhe rreth ligjeve të vendeve ku kanë vendosur të shkojnë, meqë thyerja e atyre ligjeve mund të bëjë që ata të përfundojnë në burg. 

Në Tajlandë ndalohet pirja e duhanit në plazh

Kjo informatë vjen pasi shumë destinacione turistike kanë 'freskuar' ligjet këtë vit. Për shembull, në janar të këtij viti, autoritetet në Tajlandë kanë futur ndalesën e pirjes së duhanit në plazh në shumë destinacione të njohura turistike, sikur psh Phuket, Koh Samui dhe Krabi. Nëse e shkelni këtë ligj, atëherë mund të dënoheni deri në 100,000 baht (rreth 2800 euro), apo me burg deri në një vit. Në ndërkohë, në ishullin e njohur Majorka, si dhe në vendet tjera turistike të Spanjës, konsumimi i alkoolit në rrugë tash është ndaluar, me gjoba deri në 3000 euro. Gjobat në pushimoren e Majorkës, "Magaluf", sivjet janë katër herë më të larta sesa vitin e kaluar. Në Kroaci, nëse dilni në qytet lakuriq shokë e përpjetë, apo me kostum të plazhit, dijeni se ju pret gjoba. Ata që vizitojnë Holandën, mund të mendojnë se ky vend është tolerant sa i përket konsumimit të të ashtuquajturave 'droga të buta'. Por, një gjë e tillë është e ndaluar në shumicën e vendit. Përjashtim bëjnë vetëm vendet e caktuara në qytete të mëdha, transmeton "Kosova Sot Online".

Gjobat mbesin gjithherë të padëshirueshme

Në anën tjetër, nëse gjatë pushimeve në Turqi, keni gjetur ndonjë monedhë të vjetër, apo ndonjë 'thesar' tjetër, atë nuk ju lejohet që ta merrni me vete, kur të vendosni të ktheheni në shtëpi. Nëse tentoni që të nxirrni antikitetet jashtë vendit, mund të dënoheni me 5 deri 12 vjet burg, si dhe me një gjobë të majme. Pra, kjo nuk vlen vetëm për britanikët, por edhe për të tjerët, kështu që edhe nëse shkoni në ndonjë vend ku keni qenë në të kaluarën, nuk është e tepërt t'i dini disa gjëra, meqë ligjet ndryshojnë e, gjobat mbesin gjithherë të padëshirueshme. 

(Kosova Sot)