Gjykatat dështuan, bizneset

  • 20 June 2018 - 07:55
Gjykatat dështuan, bizneset

AKB-ja i kërkon Qeverisë riaktivizimin e BPRAB-së

"Mungesën e këtij organi si shkallë e dytë më së vështiri po e përjetojnë bizneset që po pësojnë padrejtësisht me vonesat e vendimeve të Divizionit Fiskal e aq më tepër kur aktgjykimet e këtij Divizioni Fiskal nuk janë të ekzekutueshme dhe për aq shumë vite do t'u duhet që të presin sa të realizohet kjo e drejtë", thotë për "Kosova Sot" kryetari i dikurshëm i Bordit të Pavarur për Ankesa të Bizneseve, Skënder Kolgeci 

Me gjithë insistimet e AKB-së, por edhe të Odave Ekonomike që janë prezente në Kosovë, për momentin mbetet një enigmë se a do ta riaktivizojë Qeveria e Kosovës Bordin e Pavarur për Rishqyrtime të Ankesave të Bizneseve (BPRAB), që vlerësohet të jetë si një e drejtë e humbur kushtetuese për të drejtat e bizneseve në shkallën e dytë të animimit. Siç dihet, aktualisht me mungesën e këtij bordi bizneset nuk kanë se ku të ankohen aq më tepër kur dihet se sa neglizhente dhe joefikase janë gjykatat e Kosovës, të cilat injorojnë në tërësi qytetarët dhe bizneset, të cilat nuk janë të lidhura me nëntokën kriminale dhe pushtetarët e inkriminuar. Me gjithë pyetjen e dërguar në adresën elektronike, si dhe telefonatat e bëra me zyrtarët e Zyrës për Informim të Ministrisë së Financave, për fat të keq, zyrtarët e kësaj ministrie, lidhur me këtë çështje, nuk kanë kthyer përgjigje. Ndërsa kryetari i dikurshëm i Bordit të Pavarur për Ankesa të Bizneseve, Skënder Kolgeci, vlerëson se riaktivizimi i këtij bordi tashmë është bërë imperativ i kohës. Ai për gazetën "Kosova Sot" tha se mungesën e këtij organi si shkallë e dytë më së vështiri po e përjetojnë bizneset që po pësojnë padrejtësisht me vonesat e vendimeve të Divizionit Fiskal, e aq më tepër kur aktgjykimet e këtij Divizioni Fiskal nuk janë të ekzekutueshme dhe për aq shumë vite do t'u duhet që të presin sa të realizohet kjo e drejtë.

Institucionet e neglizhuan kërkesën e bizneseve

Sipas Kolgecit, aktvendimi i formës së prerë i Bordit të Pavarur të Ankesave ka qenë një vendim detyrues dhe shumë më i favorshëm për tatimpaguesin nga vendimet e drejta."Pra, normalisht kjo është një kërkesë legjitime e komunitetit të biznesit që nga 2015 për riaktivizimin e këtij Bordi të Ankesave që të kthehet ky organi i shkallës së dytë që garantohet edhe me Kushtetutë edhe me ligje", vijoi më tutje ai. Kolgeci thotë se rithemelimi i këtij bordi ka qenë një kërkesë e vjetër edhe e AKB-së, por edhe e Odave ekonomike, asaj amerikane dhe të Kosovës."Por kjo ka qenë një neglizhencë e institucioneve tona me mosaktivizimin e këtij bordi, duke u arsyetuar se kundër këtij bordi është kundër Komisioni Evropian", ka potencuar ai. "Një organ administrativ nuk mund të zëvendësohet me një organ gjyqësor, sepse edhe para shuarjes së bordit të ankesave, tatimpaguesit kosovarë i kanë pasur dy shkallë. ngase në procedurë gjyqësore kanë qenë shkalla e parë dhe shkalla e dytë e Gjykatës Supreme", shpjegon Kolgeci. Ndërkaq, drejtuesit e Aleancës Kosovare të Bizneseve për gazetën "Kosova Sot" kanë njoftuar e ditën e mërkurë, më 20 qershor 2018, do të mbahet një konferencë për mediat me temën "AKB-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës rithemelimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime të Ankesave". Zyrtarja e AKB-së, Lumnije Ajdini, ndërkaq, në ftesën e bërë për media, ka njoftuar se në këtë konferencë që do mbahet në zyrat e AKB-së, në mes tjerash, do të flitet se sa janë dëmet e bizneseve të Kosovës dhe a është kjo edhe një pengesë e vazhdueshme e investitorëve vendorë dhe të huaj për mosefikasitet të sistemit gjyqësor në Kosovë.

"Realisht tatimpaguesit kosovarë asnjëherë nuk janë ftuar në gjykata me shkurtimin e një procedure dhe me hapjen e procedurës administrative", tha Skënder Kolgeci për "Kosova Sot"

"Lulëzimin e bizneseve po e shohin vetëm politikanët, të cilët i kanë hapur bizneseve të tyre korridore marramendëse fitimprurëse, qoftë import nga jashtë e sidomos nga Serbia, qoftë përmes dominimit dhe shantazhit", tha Lulzim Beqiri për "Kosova Sot"

"Për shkak të mosefikasitetit të gjykatave tona edhe shoqata jonë e naftëtarëve e ka përkrahur kërkesën e AKB-së për riaktivizimin e këtij bordi.Andaj, nga Qeveria 'Haradinaj' kërkojnë riaktivizimin e këtij bordi, sepse koha ka dëshmuar se shuarja e tij ka qenë një vendim i gabuar i Qeverisë", tha Ramadan Maloku për "Kosova Sot"

Bizneset nuk kanë ku të mbrohen 

Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën "Kosova Sot" tha se si duket qeveria nuk po ka interes të riaktivizojë Bordin e Pavarur për Rishqyrtime të Ankesave të Bizneseve, që është edhe e drejtë e humbur kushtetuese për të drejtat e bizneseve në shkallën e dyte të ankimimit. "Ky është skandal në vete, pasi që kjo qeveri më shumë shquhet për skandale sesa për diçka pozitive për vendin, andaj përfaqësuesit e bizneseve duhet të jenë më këmbëngulës lidhur me të drejtat e tyre, siç është bërë praktikë kjo Qeveri, e njeh vetëm gjuhën e bojkoteve ose kërcënimeve për të ndërmarrë diçka", theksoi ai."Aktualisht me mungesën e këtij bordi bizneset nuk kanë ku të ankohen, aq më tepër kur dihet se sa neglizhuese dhe joefikase janë gjykatat e Kosovës, të cilat injorojnë në tërësi qytetarët dhe bizneset dhe kjo jo rastësisht", ka thënë Beqiri. Ndërsa anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, afaristi Ramadan Maloku, për gazetën "Kosova Sot" tha se vendimi për shuarjen e këtij bordi ka qenë një vendim i gabuar i qeverisë së atëhershme që bëri me shuarjen e tij."Sepse me shuarjen e Bordi të Pavarur për Ankesa të Bizneseve që në start bizneseve tona u është shkelur një e drejtë e garantuar Kushtetuese, që është e drejta për ankimim ", potencoi ai. Sipas Malokut, kanë qenë të drejta kërkesat e AKB-së, por edhe ato të Odave ekonomike në Kosovë, që kanë kërkuar riaktivizimin e këtij bordi të ankesave.

Korrupsioni dyfishon pagesat

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën "Kosova Sot" tha se me neglizhencën dhe abuzimin që bëjnë në punë zyrtarët në Kosovë aq janë të zhgënjyer qytetari dhe biznesi në Kosovë saqë nuk kanë shpresë tek këto institucione. "Këto institucione dhe borde janë vetëm sa për t'i hedhur hi syve Bashkimit Evropian, që gjoja po i plotësoj standardet, por në praktikë kanë dështuar", theksoi ai."Së pari për të qenë anëtar bordi kriter kryesor dhe i vetëm është me qenë militant i dëshmuar i partisë së caktuar, kështu që anëtarët e bordeve nuk bëjnë asnjë hap pa i dhënë dritën e gjelbër partia që i ka emëruar kështu që këta nuk janë të pavarur në vendime. Pra, nëse ankesa e biznesit apo qytetarit të caktuar prek interesin e partisë në pushtet, është më se normale që të refuzohet dhe t'i kthehet përgjigje negative", shpjegoi Kadriaj."Qytetari dhe biznesi në Kosovë dhunohet dyfish nga njerëzit e pushtetit në Kosovë, së pari padrejtësitë që i bëhen çdo ditë qytetarit dhe biznesit në Kosovë nga zyrtarët e pushtetit dhe njëherësh mundësia për t'u ankuar është zero, kështu që me këtë trajtim nën çdo nivel Kosova çdo ditë e më shumë po bëhet vend jo i përshtatshëm për një jetë normale dhe për të zhvilluar biznes", vlerësoi ai. "Qytetari për një shërbim që merr paguan dy herë pjesën legale dhe mitën për të marrë shërbimin e caktuar", ka thënë më tej Kadriaj.

Efikasiteti i premtuar, një dështim i madh

Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për "Kosova Sot" tha se në kohën kur janë bërë ndryshimet që nga Bordi i Pavarur për rishqyrtimin e ankesave të bizneseve të merren me këtë çështje gjykatat, është thënë si arsyetim nga qeveria e atëhershme se kjo po bëhet për me qenë më efikas dhe që bizneset më lehtë dhe me shpejt të realizojnë të drejtën e tyre që e kanë të garantuar me ligj. "Atëherë ka qenë e paraparë që për një afat të shkurtër të kryhen të gjitha ankesat nga bordi dhe mandej gjykatat të fillojnë nga një periudhë e caktuar që të merren me këto lëndë", theksoi Neziraj. "Kjo çështje u tregua se jo vetëm se nuk ishte më efikase, por u ndërlikua edhe më shumë dhe duke marrë parasysh se gjykatat tona nuk janë aspak azhure, atëherë ky proces vetëm që ka vështirësuar zgjedhjen e lëndëve për bizneset e caktuara", u shpreh ai."Tani pasi po shihet se bizneset e caktuara po kanë vështirësi në realizimin e të drejtave të tyre për ankesa për shkaqe të ndryshme, si mosazhuriteti i lëndëve në gjykata, apo edhe forma të tjera që e kanë bërë më të vështirë realizimin e të drejtës së bizneseve atëherë qeveria mundet në çdo kohë të kthejë që shqyrtimin e lëndëve të bëhet si më parë nga Bordi i Pavarur për shqyrtim të ankesave apo të gjendet ndonjë formë tjetër më efikase për shqyrtimin e këtyre ankesave që po e godasin biznesin e ndershëm", ka thënë Neziraj. Sipas tij, edhe pse është quajtur Bordi i Pavarur kryesisht në këto borde kanë qenë anëtarë të partive politike, që jo rrallë kanë përkrahur biznese të caktuara që kanë qenë të lidhura me subjektet e tyre.

(Kosova Sot)