Presidenti Thaçi flet për finalen e madhe me shtetin serb: Kosova nuk do të humbas

  • 20 June 2018 - 10:59
Presidenti Thaçi flet për finalen e madhe me shtetin serb: Kosova nuk do të humbas

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë të thirrur për media ka folur për takimin që do ta zhvilloi  me presidentin  serb Aleksandër Vuçiq.

Ai ka deklaruar se ky takim do të jetë i pari i fazës finale me shtetin serb.

“Më lejoni që të theksoj edhe një herë, se ky është takimi i parë i fazës finale me shtetin serb, kjo konfirmohet edhe nga letra zyrtare e dërguar nga ndërmjetësuesja Federica Mogherini. Qëllimi ynë në fazën përfundimtare është arritja e marrëveshjes legjitime mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të normalizojë marrëdhëniet mes popujve tanë. Jam i bindur që tash është koha që pas bisedimeve të cilat po zgjasin me vite të nënshkruhet marrëveshja historike mes dy shteteve”, tha Thaçi.

Tutje presidenti deklaroi se nga ky dialog shteti i Kosovës nuk ka pse të frikësohet.

“Kosova nuk ka se çka t’i frikësohet dialogut dhe as epilogut të tij, ne si shoqëri kemi pasur dijeni, guxim, dhe organizim të duhur si në  konferencën e Rambujës, dhe që përmes negociatave dhe luftës së drejtë kemi shpallur pavarësinë e Kosovës, ne do të jemi fitues në këtë dialog”, tha ai.

Presidenti Thaçi, theksoi, se Kosova ka mbështetjen nga SHBA që të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

“Kosova si gjithmonë edhe në fazën finale do ta ketë mbështetjen e SHBA-së,  të cilat janë thellësisht të përkushtuara që të arrihet marrëveshja përfundimtare, po ashtu edhe BE po e mbështet këtë fazë finale”.

Në fund të konferencës, presidenti Thaçi tha se do ta përfaqësoj Kosovën denjësisht dhe do t’i mbrojë interesat e shtetit ashtu siç ka bërë deri tash.

(Kosova Sot)