Thaçi: E kemi demarkacionin me Serbinë, të jemi bashkë për këtë çështje

  • 20 June 2018 - 11:25
Thaçi: E kemi demarkacionin me Serbinë, të jemi bashkë për këtë çështje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur konferencë për media, lidhur me takimin që do të mbahet të dielën në Bruksel

Thaçi ka thënë se beteja me Serbinë nuk zhvillohet duke i bojkotuar negociatat, por duke paraqitur argumente, të cilat thekson se janë në anën e Kosovës. 

Gjithashtu ai ka thënë se beteja e kufirit me Serbinë do të jetë në tavolinë, jo jashtë saj, dhe se nuk do të lejojë të cenohet asnjë centimetër i territorit të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova nuk ka kohë për të humbur, dhe se pala që refuzon dialogun dhe marrëveshjet në mes dy shteteve, do të jetë palë stagnuese, ndërsa pala që është gjeneroze në dhënien e ideve do të ecë përpara.

“Beteja me Serbinë nuk zhvillohet duke bojkotuar negociatat por në tavolinë me argumente të cilat janë në anën tonë. Prandaj kemi përgjegjësi të gjithë”, ka thënë ai.

Ai është shprehur gjithashtu se Kosova do të jetë anëtare e OKB’së dhe do të ketë njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne besojmë se Kosova do të jetë edhe anëtare e OKB’së edhe njohje reciproke Kosove-Serbi. Do të hapet rruga europiane dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO”, ka thënë ai.

Gjithashtu Presidenti ka folur për demarkacionin me Serbinë, për rreth 400 km tokë. Ka thënë se Kosova duhet të jetë e bashkuar për këtë çështje.

“Ne do të kemi çështjen me demarkacionin me Serbinë rreth 400 km, ju e dini se çfarë situate kemi kaluar me Malin e Zi, tri vite pritje. Prandaj, ne duhet të bëjmë të gjithë se bashku ekipin që do të punojë për demarkacion me Serbinë. Nuk lejojmë të cenohet asnjë centimetër i territorit të Kosovës”, është shprehur ai.


(Kosova Sot)