Thaçi provon ta arsyetojë mungesën e përkrahjes për dialog, ia lë fajin opozitës

  • 20 June 2018 - 11:26
Thaçi provon ta arsyetojë mungesën e përkrahjes për dialog, ia lë fajin opozitës

Presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për media ka provuar ta arsyetojë mungesën e përkrahjes nga spektri politik për të udhëhequr dialogun. Sipas tij, kjo çështje nuk duhet të personalizohet, ndërsa opozitës i vë faj se po e vonojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Presidenti Thaçi të dielën shkon në Bruksel për t’u takuar me Vuçiqin. Sot ai foli në një konferencë për media, ndërsa u përgjigj edhe për mungesën e përkrahjes që ai ka si kryenegociator.

Ai thotë se nuk duhet të personalizohet çështja e dialogut, ndërsa, sipas tij, është logjikë ballkanase që opozita të refuzojë çdo gjë që propozon Qeveria.

“Duhet ta depersonalizojmë këtë proces. Bota nuk na pret derisa të merremi vesh, në kuptimin e një sjellje fisnore. Kosova është shtet dhe duhet të sjellemi sipas përgjegjësive shtetërore”, ka thënë Thaci.

Presidenti thotë se “është në interes nacional dhe do të duhej të japim në bazë të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore që i kemi dhe legjitimitetit qytetar”

E ai i vë faj opozitës se me qëndrimet e tyre po e vonojnë integrimin evropian të Kosovës.

“Askush nuk ka të drejtë të vonojë apo të sfidojë anëtarësimin e Kosovës në OKB për shkak të gabimeve politike” , ka thënë Presidenti Thaci.

Në mungesë të përkrahjes nga spektri politik të cilin Thaci nuk e arrin assesi, ai arsyetohet se ka përkrahje të diplomatëve.

“Jam takuar dje me ambasadorët. Të gjithë njëzëri janë pro dialogut me Serbinë. Sa më shumë përfshihet Kosova, aq më mirë do të jetë. Po flas për përfshirje të gjerë”, tha ai. 

(Kosova Sot)