Aliu: 2-3 vitet e fundit të qeverisjes, Shpend Ahmeti ka degraduar totalisht

  • 20 June 2018 - 17:05
Aliu: 2-3 vitet e fundit të qeverisjes, Shpend Ahmeti ka degraduar totalisht

Analisti Bislim Aliu thotë se që nga fillimi, kur ka ardhur kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti dalëngadalë ka filluar degradimi i Prishtinës."Bile në këto 2-3 vitet e fundit të qeverisjes së tij ka degraduar totalisht dhe ka ardhur në një mat pozicion, që lirisht mund ta quajmë edhe si një kryetar plotësisht dështak. Ai fare nuk e ka idenë pozitive se si duhet menaxhuar administratën komunale dhe t'ia vërë fondet publike në dispozicion të nevojave të qytetarëve, por vetëm se si të përfitojë materialisht dhe personalisht nga mafio-oligarkët nëpër jahtet, aeroplanët privatë dhe xhipat e shtrenjtë. Për këtë, raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm ka konstatuar se vitin e kaluar Komuna e Prishtinës mezi ka shpenzuar gjysmën e investimeve kapitale, që në total kapin shifrën 33 milionë euro. Pra, gjysma e investimeve dështuan!", theksoi ai."Ky sigurisht është një debakël shtesë për të parin e kryeqytetit, por edhe një fatkeqësi e madhe për njerëzit që jetojnë në Prishtinë. Shpend Ahmeti për qytetarët e Prishtinës do të mbahet në mend vetëm për dembelizëm, demagogji dhe gënjeshtrat e tij të pafundme?!!! ", ka thënë Aliu për "Kosova Sot". Sipas tij, e vetmja punë që bën Shpend Ahmeti me klanin e tij është vetëm mbushja e gushës për vete dhe klientelen e tij, duke ua rënduar jetën jo vetëm qytetarëve, por edhe bizneseve që kushtëzohen, shantazhohen, dëmtohen e bllokohen nga kjo keqqeverisje komunale. 

 

(Kosova Sot)