Beqiri: Prishtina mbeti në qeverisjen e atyre që realisht nuk e duan Prishtinën

  • 20 June 2018 - 17:07
Beqiri: Prishtina mbeti në qeverisjen e atyre që realisht nuk e duan Prishtinën

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, njëherësh ish- kryetar i komunës së Prishtinës, në mandatin e të cilit u projektua dhe u ndërtua sheshi qendror, që nga Kuvendi e deri te hoteli 'Grand', por edhe shumë projekte të tjera, thotë se është mëkat i madh se si Prishtina mbeti në qeverisjen e atyre që realisht nuk e duan Prishtinën shpirtërisht për ta zhvilluar e ndërtuar, duke shikuar interesin e qytetarit, por punojnë vetëm për ta zhvatur, në interes të partisë dhe grupeve të tyre klienteliste, sikur që po bën tani edhe Shpend Ahmeti, nga mandati i parë edhe në këtë të dytin."Fatkeqësisht për katër vitet e mandatit të kaluar Shpend Ahmeti me qeverisjen e Prishtinës nuk ka lënë gjurmë të mirëqeverisjes, të fillimit, as finalizimit të ndonjë projekti të madh për interes të qytetarit e të qytetarëve, por do të doja me shumë dëshirë që të kishte ndodhur e kundërta, sepse është interesi i të gjithë neve që qyteti të rritet, të ndryshohet e të zhvillohet. Ky është interesi dhe nevoja për të gjithë ne, derisa kryetarët njëri pas tjetrit do të shkojnë e vijnë, edhe partitë që drejtojnë me shumicë shkojnë e vijnë, kushtimisht po e them, por qytetari dhe ndryshimet në interesin e përgjithshëm janë ato që mbeten, çmohen dhe vlerësohen për të kaluarën e secilit", theksoi ai."Fatkeqësisht, deri më tani nuk kemi parë që ka ndonjë rezultat, përkundër që një kohë kishte vetëm një propagande jashtëzakonisht të madhe si parti dhe si VV, e me këtë edhe vetë z. Shpend Ahmeti si kryetar, kështu që unë tani do të dëshiroja që ai të jetë shkëputur nga ajo e kaluar, që në këtë mandat së paku të bëjë diçka, por është e vështirë dhe fare pak e besueshme që derisa në një mandat, deri tash prej 5 vjetësh, katër të kaluar dhe tani gati po shkon edhe një vit në të dytin, e mos të lësh asnjë gjurmë të dukshme pozitive është fare pak e besueshme që kjo mund dhe do të bëhet tash e tutje në këto tri vitet që i kanë mbetur, që ai të lërë gjurmë të mira, edhe përkundër dëshirës pozitive që ne e kemi si qytetarë", tha Beqiri për "Kosova Sot". Ai ka pohuar se për dallim nga mandati i tij në kohën e UNMIK-ut, kur gjithçka ka qenë e kontrolluar dhe kufizuar nga të tjetër, tani ekziston pavarësia e plotë e menaxhimit të resurseve, e planifikimit të projekteve dhe të buxhetit, por fati i keq është që tash, kur janë kompetencat, nuk janë njerëzit e duhur par ta bërë e ndërtuar si duhet Prishtinën për prishtinasit.

 

(Kosova Sot)