Synohet zvogëlimi i vdekjeve të grave nga kanceri i qafës së mitrës

  • 20 June 2018 - 17:21
Synohet zvogëlimi i vdekjeve të grave nga kanceri i qafës së mitrës

LANSOHET PROGRAMI I SKRININGUT NË KOMUNËN E PRIZRENIT
Në Prizren është lansuar programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës, program ky që po bëhet i mundur si rrjedhojë e suksesit të programit në Prishtinë."Ky program është njëkohësisht hapi i radhës drejt zgjerimit të programit të skriningut në nivel nacional", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" dr. Visare MujkoNimani, nga UNFPA. Ky program do të mundësojë ofrimin e papatestit për rreth 400 gra nga Komuna e Prizrenit, gjatë fazës së parë të implementimit, gjegjësisht në vitin 2018. "Po ashtu, do të ndërtohen kapacitetet për skrining brenda Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSH) në Prizren, si dhe do të ndërtohet algoritmi procedural që rregullon sistemin e bashkëpunimit në mes të KPSH dhe Kujdesit Dytësor Shëndetësor- Laboratorit të Patologjisë. Përpos ofrimit të këtij shërbimi të ri në kuadër të kujdesit parësor, palët synojnë po ashtu që të iniciojnë diskutime në mes të institucioneve dhe grupeve të interesit, me qëllim të hartimit dhe implementimit të politikave shëndetësore që ndërtojnë një sistem cilësor të skriningut të kancerit të qafës së mitrës, si e drejtë shëndetësore, e paraparë me Ligjin për Shëndet Riprodhues, si dhe e planifikuar në Programin Nacional për Kontrollin e Kancerit. 

Zbulimi i hershëm

Nimani theksoi se ky program, përmes paptesteve për gratë dhe vajzat nga komuna e Prizrenit, do të mundësojë zbulimin e hershëm të qelizave jonormale të qafës së mitrës dhe trajtimin e tyre me sukses për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës. Dr. Nimani tregon se projekti në fjalë për Kosovën ka koston prej një milion euro. Drejtori i spitalit Rajonal në Prizren, dr. Afrim Avdaj, për "Kosova Sot" pohon se janë duke insistuar që spitalin ta bëjmë spital konkurrues."Ajo që vlen sot ta përmend është fakti se bashkë me ambasadorin shqiptar, Mingjozi, kemi filluar iniciativë që ne dhe veriu i Shqipërisë të bëjnë skrining të qafës së mitrës dhe gjirit. Kjo për të ndihmuar popullsinë tonë edhe veriun e Shqipërisë", theksoi ai. 

Mbrojtja e shëndetit të gruas

Avdaj ka veçuar edhe një vistër organizimesh që po i bën spitali, kurse ai është i vetëdijshëm se numri i qytetarëve të kësaj komune dhe atyre të veriut të Shqipërisë tashmë kanë nevojë edhe për një Qendër invazive të kardiologjisë, tashmë edhe nevojë permanente e këtij spitali me synim konkurrues. Mytaher Haskuka, kryetar i Komunës së Prizrenit, thotë se do të mundohen që këtë çështje ta avancojnë që secila femër të shkojë me kohë të bëjë analiza që të hetohet më herët sëmundja dhe të luftohet me më sukses kanceri i qafës së mitrës. Drejtoresha e Shëndetësisë në Prizren, dr. Flaka Siçeca, thotë se do ta paraqesin këtë fushatë për mbrojtjen e shëndetit të gruas. Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit në mes të Drejtorisë Komunale për Shëndetësi të Komunës së Prizrenit, Bordit Nacional për Kontrollin e KanceritMinistria e Shëndetësisë, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, Spitalit të Përgjithshëm në Prizren dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë dhe mbështetet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara UNFPA, zyra në Kosovë. Nezir Gashi e Abedin Berisha janë shprehur se ndihet nevoja e madhe që Prizreni ta ketë një Qendër të dytë Universitare të Shëndetësisë, sepse pacientët shpesh derisa po shkojnë në Prishtinë edhe po vdesin.

 

(Kosova Sot)