Studenti që ka përjetuar gjashtë transplantime të mëlçisë

  • 20 June 2018 - 18:19
Studenti që ka përjetuar gjashtë transplantime të mëlçisë

VUAN NGA NJË SËMUNDJE E RRALLË, E QUAJTUR ATREZIA BILIARE

Një i ri 23-vjeçar, i cili ka pasur gjashtë transplantime të mëlçisë, për shkak se vuan nga një sëmundje e rrallë, pritet që sivjet t'i fillojë studimet universitare, pas një lufte të ashpër që ta bëjë një jetë normale. Steven Featley, nga Stouk Ash në Safolk, ka lindur me atrezi biliare, një sëmundje e rrallë, ku një a më shumë kanale biliare janë të ngushtë, të bllokuar, apo mungojnë. Ai ishte diagnostikuar me këtë sëmundje vetëm gjashtë javë pas lindjes dhe transplantimin e parë të mëlçisë e kishte bërë kur kishte vetëm 14 muaj dhe, të fundit deri më tani, në nëntor të vitit të kaluar. 

Do t'i fillojë studimet e kontabilitetit në Universitetin e Safolkut

Featley ka bërë 15 operime gjatë jetës, duke përfshirë edhe heqjen e shpretkës. Për shkak të këtyre peripecive, ai ka vuajtur edhe nga PTSD, apo thënë shqip, nga çrregullimi i stresit post traumatik. Por, tani ai thotë se mezi pret që ta bëjë një jetë normale dhe ndihet me të vërtetë me fat që ende është gjallë. Kirurgu i njohur i mëlçisë, profesori Nigel Heaton, i ka bërë që të gjashtë transplantimet e mëlçisë te ky pacient. Featley do t'i fillojë studimet e kontabilitetit në Universitetin e Safolkut, pasi që ta marrë veten nga transplantimi më i fundit i mëlçisë, në nëntor, transmeton "Kosova Sot Online".

Periudha e lumtur

Nuk dihet a do të jetë ky transplantimi i fundit i mëlçisë për të, meqë pritet të shihet a do të zhvillohen komplikime, sikur që ishte rasti me transplantimet e tjera. Sido që të jetë, njerëzit që bëjnë transplantim të organeve, duhet që vazhdimisht të jenë nën kontroll, si dhe të marrin ilaçe që pengojnë organizmin e tyre që ta refuzojë organin e transplantuar. Featley tregon sesi studimet duhej t'i fillonte dy vjet më parë, por në këtë drejtim e kishte penguar shëndeti i keq. Pas transplantimit të tij të dytë të mëlçisë, Featley kishte pasur një periudhë të lumtur 10 vjeçare pa ndonjë transplantim. Sëmundja e tij është e rrallë dhe prek vetëm një në çdo 15,000 deri 20,000 bebe. Trajtimi varet nga serioziteti i sëmundjes. Featley thotë se, një ditë, kur do të vdesë, ka vendosur që të dhurojë të gjitha organet që mund t'i nevojiten ndokujt. 

 

(Kosova Sot)