Hekurudha i ndan shqiptarët

  • 21 June 2018 - 08:05
Hekurudha i ndan shqiptarët

Integrimi ekonomik, një propagandë mashtruese e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare

"Për aq sa ka faj pala e Shqipërisë, po aq fajtore është edhe pala kosovare, pa dallim. Por, përderisa në anën kosovare ka vullnet e gatishmëri, mirëpo ka pasur mungesë të mjeteve, në anën shqiptare nuk kemi parë një interesim për këtë çështje. Unë nuk i di arsyet pse po ndodh kjo, por nuk kemi parë një interesim të palës së Shqipërisë", thotë ish-deputeti Blerim Grainca për gazetën "Kosova Sot". Sipas tij, pjesa e palës shqiptare, ku duhet të ndërtohet hekurudha, duhet të fillojë që nga Miloti e deri në Prizren, në një gjatësi 100 km, ndërsa pala kosovare duhet të ndërtojë 30 km hekurudhë  

Për momentin mbetet një enigmë e madhe se përse Qeveria e Shqipërisë po e anashkalon Kosovën në ndërtimin e rrjetit hekurudhor, ku në planet e kësaj qeverie është ndërtimi i rrjetit hekurudhor që e lidh me Malin e Zi, me Greqinë, si dhe me Maqedoninë, por jo edhe me Kosovën. Nga njohësit e kësaj fushe është shtruar në diskutim çështja se si mund të flitet për integrim ekonomik mes këtyre dy vendeve, ku Kosova nuk është në orbitën e Shqipërisë në fushën e hekurudhave. Analistët pyesin se përse Qeveria e Shqipërisë po i favorizon këto tri shtete, duke e lënë anash Kosovën, për ndërtimin e hekurudhës që do të lidhte këto dy vende. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të MZHE-së dhe Qeverisë së Kosovës lidhur me këtë çështje, zyrtarët e tyre nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën. Ndërsa, një përgjigje për gazetën "Kosova Sot", të Ministrisë së Infrastrukturës, që e ka dhënë zyrtari Argjend Zejnaj, shef i kabinetit të ministrit Pal Lekaj, thuhet se si Kosovë jemi të gatshëm të fillojmë investimet në ketë segment."Në fakt, diçka edhe ka filluar në rehabilitimin dhe modernizimin e rrjetit hekurudhor (përmes kredisë së BERZH-it) thuajse në të gjitha drejtimet me shtetet fqinje, vetëm se do të jetë investim në etapa, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi (së shpejti) dhe Serbinë. Për sa i përket nëse e ka prioritet ose jo Shqipëria lidhjen me Kosovën, përmes hekurudhave, atëherë për ketë duhet të pyesni ata, institucionet përgjegjëse për këtë lëmi", vijon përgjigjja e MI-së.

Mungon vullneti politik

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Blerim Grainca , për gazetën "Kosova Sot" tha se hekurudhat dhe linjat e transportit kanë një rëndësi të madhe në zhvillimin ekonomik të të gjitha vendeve, përfshirë këtu Kosovën e Shqipërinë."Më kujtohet në mandatin e kaluar, ne kemi pasur disa herë takime me drejtues të Ministrisë së Transportit të Shqipërisë dhe me Komisionin Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë, që e mbulon këtë çështje dhe disa herë e kemi ngritur në diskutim çështjen se Kosova përveç autostradës "Ibrahim Rugova" duhet të ketë mundësi të lidhjes me Shqipërinë edhe përmes hekurudhës, sepse kjo do ta ulte koston e transportit, por edhe do të ishte hapje se një dritare të madhe për transport mallrash edhe për tërë rajonin për në Portin e Durrësit e gjetiu", u shpreh ai."Benefitet do të ishin reciproke, por nuk është bërë asgjë në këtë drejtim dhe të gjitha kanë ngelur vetëm në nivel fjalësh dhe fatkeqësisht jo vetëm nga pala e Shqipërisë, por as edhe nga pala e Kosovës në këtë drejtim nuk është bërë asgjë. Sepse paraprakisht duhet të bëhet një studim i fizibilitetit për të parë koston e saj, por edhe koston e kthimit të mjeteve për investim, që është rentabile", vijoi më tej Grainca. "Për aq sa ka faj pala e Shqipërisë, po aq fajtore është edhe pala kosovare, pa dallim. Por, përderisa në anën kosovare ka vullnet e gatishmëri, mirëpo ka pasur mungesë të mjeteve, në anën shqiptare nuk kemi parë një interesim për këtë çështje, unë nuk i di arsyet pse po ndodh kjo, por nuk kemi parë një interesim të palës së Shqipërisë",potencoi ai. Sipas tij, pjesa e palës shqiptare, ku duhet të ndërtohet hekurudha, duhet të fillojë që nga Miloti e deri në Prizren, në një gjatësi 100 km, ndërsa pala kosovare duhet që të ndërtojë 30 km hekurudhë.

Më shumë pengesa se partneritet

Ish-deputeti Xhevdet Neziraj thotë për "Kosova Sot" se qeveritë shqiptare shumë pak kanë bërë në integrimin ekonomik me Republikën e Kosovës."Jo rrallëherë kemi pasur edhe pengesa të shumta në aspektin e bashkëpunimit ekonomik të dy vendeve herë pas here ka pasur edhe bllokada që është dashur të intervenojë Qeveria e Republikës së Kosovës. Edhe pse ka shumë faktorë, përveç atij patriotik, që me Shqipërinë të mos jetë asnjë barrierë tregtare dhe ekonomike për një bashkëpunim të sinqertë dhe vëllazëror, është bërë shumë pak e për këtë fajtor kryesor është Qeveria Shqiptare", u shpreh ai."Shpeshherë ka ndodhur që të ketë ndërhyrje të ambasadorëve të të dyja vendeve tona, që të rregullohen disa raporte ekonomiko-tregtare në mes të dy vendeve, siç ishin rasti i patateve, çimentos etj.", vijoi më tutje Neziraj."Edhe takimet që janë bërë në mes të dy qeverive dhe pas nënshkrimeve të shumë marrëveshjeve, nuk po shoh ndonjë rezultat konkret që ishte dashur të mburremi si komb. Sipas statistikave dhe bilanceve tregtare, të dy vendet tona më shumë kanë raporte tregtare me disa vende të tjera të rajonit, si Serbia, Maqedonia dhe Mali Zi, se sa dy vendet tona në mes veti, e që kjo është shumë shqetësuese për të ardhmen ekonomike të vendeve tona. Edhe rasti i infrastrukturës hekurudhore tregon se nuk i është dhënë shumë prioritet Kosovës nga ana e Shqipërisë, gjë që nuk është një sinjal i mirë për dy qeveritë e vendeve tona", vlerësoi Neziraj.

Bashkimi ekonomik, peng i politikanëve

Eksperti i fushës së integrimeve evropiane në sektorin e ekonomisë, Nëntor Shaqiri, për gazetën "Kosova Sot" thotë se ndërtimi i hekurudhës me Kosovën paraqet një kosto të madhe për Shqipërinë, që mund ta ketë ky projekt dhe ekziston një vullnet i vogël për shkak të shkëmbimit të dobët tregtar që ka me vendin tonë, edhe pse turistët kosovar paraqesin 34 për qind të shumës së përgjithshme të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë. "Ndërtimin e hekurudhës me Greqinë Shqipëria e sheh më të arsyeshme, për shkak të shkëmbimit të mirë tregtar që ka me këtë shtet, si dhe ekziston një gatishmëri nga të dyja palët për ta realizuar këtë projekt në kuadër të përfitimit nga fondet e BE-së, IPA II dhe projektit 'Interreg', që mbulon shumicën e kostos për realizmin e këtij projekti", tha ai. Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën "Kosova Sot" thotë se bashkimi ekonomik i shqiptarëve është obligim për politikëbërësit e të gjitha trojeve ku banojnë dhe jetojnë shqiptarët. "Pse Qeveria e Shqipërisë po e anashkalon Kosovën në ndërtimin e rrjetit hekurudhor, nuk mund të kuptoj përderisa Republika e Shqipërisë ka në plan ndërtimin e rrjetit hekurudhor me Malin e Zi, me Greqinë si dhe me Maqedoninë, por jo edhe me Kosovën, nuk do të duhej të ndodhte", theksoi ai.

Biznesit vendor t'i jepet përparësi

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot" tha se Kosova tani e tutje duhet që të largohet nga ngarkesat klasike kombëtare dhe t'u japë përparësi biznesit vendor dhe perspektivës së vet ekonomike drejt Bashkimit Evropian dhe duke ngritur perspektivën ekonomike do të bëjë që shtetet e rajonit të kthejnë interesimin nga Kosova."Duke u bazuar në bashkëpunimin tregtar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, çdo ditë e më shumë takimet në mes të dy qeverive po e humbin kuptimin e tyre, sepse deri më tani të gjitha ato marrëveshje i ka mbuluar pluhuri, për të qenë korrekt Kosova ka treguar bashkëpunim për dallim nga Shqipëria", u shpreh ai. Më i ashpër në vlerësimin e tij ka qenë eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, që për gazetën "Kosova Sot" tha se kryeministri Edi Rama po ndjek politikë kundër Kosovës."Bashkimi Evropian para 2-3 vjetësh e ka bërë një projekt dhe hekurudha që e lidh Evropën me Greqinë duhet të kalojë edhe nëpër Kosovë dhe nga Kosova në vende të tjera. Ndaj nëse me të vërtetë Shqipëria e anashkalon Kosovën nga ky projekt, e them lirisht që Shqipëria më nuk do të ketë vizitorë nga Kosova, për shkak se nëse Shqipëria nuk e rregullon këtë çështje, atëherë jam i bindur që Mali i Zi do ta rregullojë një projekt KosovëMal i Zi, për një linjë të re hekurudhore, duke e lidhur Kosovën me Malin e Zi", vlerësoi ai. 

(Kosova Sot)