Vuçiq: S’ka asi dajaku që do të më detyronte të dëgjoj budallallëqet e Thaçit

  • 21 June 2018 - 11:56
Vuçiq: S’ka asi dajaku që do të më detyronte të dëgjoj budallallëqet e Thaçit

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i pyetur që të komentojë deklaratat e politikanëve kosovarë para raundit të ri të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës të dielën në Bruksel, tha se “s’ka asi dajaku” që do ta detyronte t’i dëgjojë ato budallallëqe.

Duke përcjellë këtë deklaratë të Vuçiqit, mediat serbe përkujtojnë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dje deklaroi se takimi i ardhshëm i tij me kolegun serb në Bruksel paraqet fillimin e fazës finale të zgjidhjes së marrëdhënieve mes dy vendeve dhe se në rend dite do të jetë çështja e kufirit me Serbinë, ndërsa ai s’do të lejojë që Kosova të humbë asnjë centimetër.

Gjithashtu, përkujtohet edhe deklarata e nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hotit (për të cilin mediat serbe vazhdojnë të këmbëngulin se është këshilltar i Thaçit) se ndarja e Kosovës nuk është në rend dite, ndërsa sikur të ndodhte një gjë e tillë atëherë Kosova do ta merrte Sanxhakun dhe Luginën e Preshevës.

Duke i komentuar deklaratat e tilla nga Prishtina, Vuçiq tha se i ka thirrur njerëzit Brukselin dhe u ka thënë se “nëse janë këto qëndrimet e shqiptarëve, atëherë të mos humbim kohë dhe unë të mos vij. Më thanë të lutemi të vish dhe të bisedojmë”.

“Nëse mendoni se ka asi dajaku që do të më detyrojnë të dëgjoj budallallëqet e Thaçit, Hotit dhe të tjera të tilla, as mos më thirrni. As nuk jam i fascinuar me idetë ingjenioze, e as që frikohem. Serbia, të shprehem ashtu, nuk do të ngulisë, por nëse mendoni që mund të bisedoni në atë mënyrë me ne, atëherë do të shkojmë dhe do t’u themi, faleminderit shumë, le t’i plotësojnë së pari ata marrëveshjet e Brukselit dhe atëherë ne do të vazhdojmë të bisedojmë”, deklaroi para gazetarëve presidenti serb në Pançevë, ku mori pjesë në vënien e gur-themelit të një fabrike gjermane.

(Kosova Sot)