Tahiri: Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve do të siguron integritetin në sektorin publik dhe atë privat

  • 21 June 2018 - 12:13
Tahiri: Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve do të siguron integritetin në sektorin publik dhe atë privat

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka shprehur edhe njëherë përkushtimin e tij që si Ministër të rris integritetin e institucioneve publike.

Kësaj radhe, Tahiri ka thënë se janë kujdesur që të mbrojnë sinjalizuesit, që në vend të heshtjes, zgjedhin të ekspozojnë abuzimet dhe keqpërdorimin e parasë publike apo cenimin e interesit publik.

“Institucionet publike me integritet dhe përgjegjësi, janë parakusht për besimin e qytetarëve në to dhe në shërbimet që marrin prej tyre. Infrastrukturës ligjore që siguron integritetin në sektorin publik dhe atë privat, tashmë ia kemi shtuar edhe Projektligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Ky projektligj që është miratuar në qeveri dhe pret miratimin në Kuvend, është përkushtim i imi si ministër i Drejtësisë për të siguruar mbrojtjen efektive për të gjithë sinjalizuesit që në vend të heshtjes, zgjedhin të ekspozojnë abuzimet dhe keqpërdorimin e parasë publike apo cenimin e interesit publik. Me këtë projektligj, kemi hapur një kapitull të ri në imazhin që duam ta kemi si shoqëri dhe si institucione, ku sundimi i ligjit merr tiparin e tij të mirëfilltë, duke krijuar siguri të plotë për ata që sinjalizojnë mbi abuzimin e autorizimeve që i janë besuar institucioneve” ka shkruar Tahiri.

Për më shumë, Tahiri ka theksuar se normat e reja do të mundesojnë ndergjesim të punëtorëve shtetëror kundër keqpërdorimeve.

Për këtë arsye, ai ka kërkuar mbështetjen në miratimin e këtij projektligji nga deputetët e Kuvendit.

“Projektligji ka definuar qartë procedurat e sinjalizimit, mbrojtjes së sinjalizuesve, si dhe detyrimeve të institucioneve publike dhe sektorit privat, për të krijuar kushte që mundësojnë një ndërgjegjësim personal kundër keqpërdorimeve. Fryma e këtij projektligji, është brenda standardeve më të avancuara jo vetëm në rajon dhe Bashkimin Evropian por edhe në rang të perspektivës globale. Jam i bindur se deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, do ta mbështesin në mënyrë të plotë këtë nismë legjislative” ka përfunduar Tahiri.

(Kosova Sot)