VETTING-u do t'i boshatiste GJYKATAT DHE PROKURORITË

  • 21 June 2018 - 12:00
VETTING-u do t'i boshatiste GJYKATAT DHE PROKURORITË

VERIFIKIMI I ZYRTARËVE NUK PO BËHET QËLLIMSHËM

Preteni: Prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës nuk do të kalonin Vetting-un as 10%, shumica do të dështonin në vërtetimin e pasurisë, kurse pjesa tjetër tek performansa e dobët

"Arsyeja pse nuk po bëhet VETTING-u edhe në Kosovë është se, për të mos thënë aspak, ka fare pak njerëz të pastër brenda sistemit të drejtësisë dhe institucioneve shtetërore në përgjithësi. VETTING-u, përveçse do t'i verifikonte pasuritë e të gjithëve, do t'i nxirrte në shesh zyrtarët e drejtësisë, pra do të dihej se kush ka vjedhur e trafikuar drejtësinë e kush është i pastër", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot" 

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë theksojnë se, derisa politika e ka kapur shtetin me njerëz të instaluar dhe të kontrolluar në drejtësinë e korruptuar, Kosova nuk do të mund të ketë një proces VETTING-u, derisa këtë nuk e imponon faktori ndërkombëtar. Sipas analistëve, po t`i nënshtrohen një procesi të tillë edhe gjyqtarët e prokurorët tanë, filtrit të Vetting-ut në drejtësi, në prokurori dhe gjykata do të mbesin fare pak njerëz të drejtësisë aktuale të painkriminuar, prandaj edhe nuk po bëhet VETTING-u në Kosovë, ku përmes verifikimit të pasurisë së të gjithë zyrtarëve të drejtësisë të dihet se kush ka vjedhur e trafikuar drejtësinë e kush është i pastër. Ky mosveprim nga politika dhe institucionet përkatëse, sipas analistëve, tregon më së miri sa është korrupsioni aktual në përmasa shkatërruese për Kosovën. Sipas analistëve, askush nuk mund ta paramendojë dhe të shpresojë se si do ta luftojë i korruptuari të korruptuarin, kur shumica e prokurorëve e gjyqtarëve janë vetë të përfshirë në aferat korruptive me mafio-politikanët dhe mafio-oligarkët financiarë, para e gjatë ardhjes dhe avancimit të tyre në pozita kyçe në drejtësi.

ZEQA: KORRUPSIONI I LARTË NË INSTITUCIONET E SHTETIT DHE SISTEMIN E DREJTËSISË NË VEÇANTI E KA SJELL SHTETIN BUZË GREMINËS

Analisti politik Florim Zeqa thotë se korrupsioni i lartë në institucionet e shtetit dhe sistemin e drejtësisë në veçanti e ka sjell shtetin buzë greminës,prandaj vetëm një VETTING edhe në drejtësi do të mundësonte shpëtimin e shpresës qytetare dhe ribërjen e vetë sistemit."Aq i lartë është korrupsioni brenda sistemit të drejtësisë,saqë,sikur t'i nënshtroheshin gjyqtarët e prokurorët kosovarë filtrit të Vetting-ut,do të mbesin fare pak njerëz të drejtësisë aktuale të pa inkriminuar.Prandaj,procesi i VETTING-ut,përveçse i domosdoshëm dhe nevojë urgjente,është e vetmja mundësi për pastrimin dhe nxjerrjen e sistemit të drejtësisë nga kapësit dhe uzurpatorët,...është e vetmja mundësi për pastrimin e skenës së inkriminuar politike në përgjithësi",u shpreh ai."Arsyeja pse nuk po bëhet VETTING-u edhe në Kosovë është se,për të mos thënë aspak,ka fare pak njerëz të pastër brenda sistemit të drejtësisë dhe institucioneve shtetërore në përgjithësi.VETTING-u,përveçse do t'i verifikonte pasuritë e të gjithëve,do t'i nxirrte në shesh zyrtarët e drejtësisë,pra do të dihej se kush ka vjedhur e trafikuar drejtësinë,e kush është i pastër",vijoi më tutje Zeqa."Kësisoj, shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do të kenë mundësi të justifikojnë pasuritë e paligjshme të fituara nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, përkatësisht nga trafikimi i drejtësisë në favor të mafio-politikanëve dhe oligarkëve të inkriminuar ekonomikë",tha analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot".

PRETENI: ZYRTARËT E "DREJTËSISË" JANË TË NJOHUR VETËM PËR SKANDALE, FALSIFIKIME...

Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni, është më se i sigurt që në Kosovë nuk do të ndodhë një proces VETTING-u derisa atë me këmbëngulje nuk e kërkojnë ndërkombëtarët. "Vetting-u në Shqipëri po bën tërmetrevolucion. Shumica nuk po e kalojnë edhe atë duke mos e justifikuar pasurinë. Ka edhe të atillë që i dinë të metat e tyre dhe nuk aplikojnë fare. Në Kosovë nisja e Vetting-ut duhet të ishte lajm po aq i mirë sa edhe liberalizimi i vizave. Se do fillojnë vendorët me një proces të tillë ky është vetëm një iluzion. Këta merren me "ndryshimet kozmetike të ligjeve", ndryshime pa analiza dhe pa ekspertizë të mirëfilltë", u shpreh ai. "Prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës nuk do të kalonin Vetting-un as 10%, shumica do të dështonin në vërtetimin e pasurisë, kurse pjesa tjetër tek performansa e dobët. Qytetari i Kosovës nuk i di emrat e prokurorëve dhe gjyqtarëve, nëse nuk i kanë familjarë, sepse akoma nuk e kemi emrin e atij që dihet ta njoh opinioni, sepse tani shtrohet pyetja cili prej atyre u bë i famshëm me ndonjë rast, me ndonjë aktakuzë të fuqishme apo aktgjykim fuqiplotë. Pra tek ne zyrtarët e "drejtësisë" janë të njohur vetëm për skandale, falsifikime, familjarizim, janë të njohur edhe për studentë të kolegjeve private dhe gjëra tjera joetike dhe joligjore", theksoi Preteni për "Kosova Sot". 

MIFTARI: DONALD LU DO TË MBAHET MEND SHUMË KOHË SI HERO DHE SHPËTIMTAR I DREJTËSISË SHQIPTARE

Ndërsa njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë për 'Kosova Sot' se Vetting-u në Shqipëri po jep rezultate vetëm pse ambasadori amerikan, Donald Lu, e ka shtyrë përpara këtë proces, pavarësisht rezistencës së madhe të politikës së atjeshme. "Donald Lu do të mbahet mend shumë kohë si hero dhe shpëtimtar i drejtësisë shqiptare, sepse Vetting-u po e pastron atje dalëngadalë drejtësinë e kapur nga mafia politike e Shqipërisë, e kam fjalën si për PS-në po ashtu për PD-në dhe për LSI-në që i kanë futur sekserët e tyre për t'i mbrojtur nga ligji dhe drejtësia, por që tani ky vetting po ndjek të gjithë njerëzit e korruptuar, madje edhe liderët politikë dhe të instaluarit ë tyre në gjyqësi dhe polici. Fatkeqësisht më duhet të them se Vetting-u në Kosovë është akoma i pamundur pasi edhe ambasadorin amerikan këtu nuk e kemi të angazhuar , e shumë po merret me do tema të tjera. Pra, është duke u treguar shumë më i lig sesa Donald Lu, sepse ky këtu nuk është i vendosur e serioz, që t'ia kërkon kësaj klase politike një Vetting të llojit që po zbatohet edhe në Shqipëri", theksoi ai. Sipas tij, i vetmi sot për sot që po flet hapur pa anime politike është ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë dhe deri diku edhe ambasadori gjerman. "Sidoqoftë është shumica e spektrit politik kundër fillimit dhe zbatimit të VETTING-ut në Kosovë, sidomos presidenti është kundër një Vetting-u në Kosovë, pasi me të do të goditeshin partitë kryesore që janë sot në pushtet", vlerësoi Miftari për "Kosova Sot". 

Sistemi i kapur nga mafio-oligarkët

Analisti dhe njohësi i kësaj fushe, Hidajet Ahmeti, thotë se korrupsioni në një shtet është kancer për shoqërinë dhe vrasje e të ardhmes së asaj shoqërie, prandaj edhe luftohet me ngulm kudo që ka shtet të fuqishëm ligjor, por kjo nuk ndodh në shtetin akoma të brishtë të Kosovës, pasi i kemi në krye të vendit janë njerëzit e korruptuar. "Mbijetesa e njerëzve të korruptuar e të kriminalizuar në një shoqëri tranzicionale është falë kapjes së sistemit nga mafio-oligarkët dhe strukturat kriminale të nëntokës. Është fakt i pamohueshëm se korrupsioni e krimi nuk luftohen nga të korruptuarit e të kriminalizuarit, është shumë logjikë e thjeshtë, pasi ata nuk e luftojnë veten. Për të luftuar krimin e korrupsionin duhen të plotësohen disa parakushte të cilat e determinojnë rrjedhën e proceseve të pastra drejt pastrimit e verifikimit të zyrtarëve publikë, të cilët janë të përfshirë në krim e korrupsion", vlerësoi ai."Në situatën aktuale në Kosovë, gjithherë duke marrë për bazë konstelacionin politik qeverisës, shtetit të Kosovës i duhet një presion nga jashtë për të futur drejtësinë në binarë të duhur e të domosdoshëm, pasi konstelacioni qeverisës nuk ka vullnetin minimal për t'i shtyrë këto procese përpara. Ligji për Vetting-un është imperativ i kohës që të iniciohet, qoftë nga pozita, opozita, por se jo edhe nga shoqëria civile, pasi është shpresa dhe mundësia më e mirë që sistemi i drejtësisë të pastrohet nga njerëz të korruptuar e kriminalizuar dhe njëkohësisht të largohet sistemi i drejtësisë nga kthetrat e politikës", potencoi Ahmeti. Sipas tij, çlirimi dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë nga politika është shpëtimi më i nevojshëm që duhet t'i ndodhë shtetit të Kosovës.

(Kosova Sot)