Drejtësia mbetet levë e mafio-politikës

  • 22 June 2018 - 07:38
Drejtësia mbetet levë e mafio-politikës

KOSOVA, VEND I PADREJTËSIVE DHE SHKELJES SË QYTETARËVE 

Sipas vlerësimit të analistëve politikë dhe njohësve të fushës së drejtësisë në Kosovë, ky sistem, në vend se të zhvillohet dhe të forcohet sipas ligjeve pozitive dhe Kushtetutës, është duke u deformuar në vazhdimësi, duke u degraduar dhe kapur ashpër nga politika, pasi që përbën një rrjet të organizuar nga prokurorët, gjyqtarët dhe policët hetues në Kosovë, të cilët janë nën ndikimin e plotë nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale, nga të cilët nuk përfillet paanshmëria dhe besnikëria ndaj ligjit dhe Kushtetutës, si dhe aplikimi i barabartë i ligjit, sepse ato janë vetëm koncepte abstrakte, prandaj ata në vend se të kontribuojnë në ndërtim, e bëjnë të kundërtën, po kontribuojnë në shkatërrimin e shtetit ligjor e demokratik të Kosovës, duke mos lejuar kështu që në këtë shtet të ketë sundim të mirëfilltë të ligjit, e jo të "Maliqit". Sipas analistëve, prokurorët dhe gjyqtarët nuk po i përfillin edhe as vërejtjet herëpashershme të ndërkombëtarëve, por as ato të qytetarëve, dhe injorojnë faktin se përparimi në sistemin e sundimit të ligjit do ta përkufizojë suksesin e këtij vendi, por njëkohësisht injorojnë edhe faktin se dy milionë qytetarë të vendit vazhdojnë të llogarisin në ta, për ta kthyer një ditë sundimin e ligjit në këtë shtet të kapur nga mafio-politika dhe mafio-oligarkia kriminale. Krejt kjo gjendje, sipas analistëve, bën që të humbet shpresa nga qytetarët, sepse me këta prokurorë dhe gjyqtarë aktualë, të kontrolluar strikt nga politika dhe mafio-oligarkia e nëntokës, nuk ka shanse që të luftohet as krimi i organizuar dhe as korrupsioni në Kosovë. Sipas analistëve, këta prokurorë është fituar bindja e plotë se nuk mund t`a marrin me mend që të sjellin në bankën e të akuzuarve politikanë të kalibrit të lartë, qofshin ata kryeministra, kryetarë komunash, kryetarë partish, kryetarë kuvendi, president apo mafio-oligarkë të tej inkriminuar, për të cilët ka prova e fakte të bollshme.

ZEQA: NË KOSOVË EKZISTON NJË NGUFATJE EKSTREME E SISTEMIT TË DREJTËSISË!

Analisti politik Florim Zeqa thotë se ku më shumë e ku tjetër më pak, pothuajse në të gjitha vendet e rajonit, ka ndikim të politikës në punën e gjyqësorit, mirëpo në Kosovë ekziston një ngufatje ekstreme e sistemit të drejtësisë, ku prokurorët, gjyqtarët dhe policët hetues janë vënë nën ndikimin e plotë të politikës së inkriminuar dhe nëntokës kriminale. "Të verbuar nga paraja e pistë dhe dëshira për pasurim brenda natës, prokurorët dhe gjyqtarët jo vetëm që nuk përfillin shqetësimet e qytetarëve, analistëve dhe gazetarëve të pavarur, por nuk përfillin as vërejtjet herëpashershme të ndërkombëtarëve,...duke injoruar faktin se dy milionë qytetarë të vendit vazhdojnë të llogarisin në ta, për ta kthyer një ditë sundimin e ligjit në këtë shtet të kapur nga mafio-politika dhe mafiooligarkia kriminale", u shpreh ai."Do të ishte iluzive të pritet luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit nga këta prokurorë dhe gjyqtarë të pangopshëm, servilë dhe në shërbim mafio-politikanëve dhe mafiooligarkia e nëntokës të nëntokës kriminale. Ani pse kanë prova e fakte të bollshme, prokurorët e shantazhuar as që mund ta marrin me mend sjelljen në bankën e të akuzuarve të politikanëve të kalibrit të lartë, qofshin ata kryeministra, kryetar komunash, kryetar partish, kryetarë kuvendi, presidentë apo mafio-oligarkë që ua 'lagin fytin' në këmbim të aktakuzave për vepra të rënda dhe kriminale. Paanshmëria dhe besnikëria ndaj ligjit dhe Kushtetutës, si dhe aplikimi i barabartë i ligjit janë koncepte abstrakte, pasi politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale nuk lejojnë të ketë shtet demokratik duke e aplikuar ligjin e 'Maliqit' në vend të sundimit të mirëfilltë të ligjit.", tha Zeqa për "Kosova Sot".

KAPITI: DEMOKRACIA NUK FUNKSIONON ATY KU POLITIKA ËSHTË BARAS DHE IDENTIFIKOHET ME KORRUPSIONIN

Sipas analistit politik Skënder Kapiti, nuk funksionon demokracia aty ku politika është baras dhe identifikohet me korrupsionin."Gjatë këtij tranzicioni, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë kemi parë vetëm ndërrim pushtetesh apo më saktë ndërrim pronarësh politikë të korrupsionit, pasi korrupsioni as nuk u luftua dhe as nuk u ndëshkua, por vetëm sa u rrit dhe u perfeksionua nga elita politike, pavarësisht alternimeve në pushtet të krahëve të saj, si të majtë dhe të djathtë, dhe pavarësisht premtimeve të elitës politike për luftë kundër tij. Kjo vijoi kështu, sepse të gjitha partitë politike shqiptare kanë si të përbashkët të tyre faktin se kryetarët dhe shpura e ngushtë servile rreth tyre, pra establishmenti politik, janë të pasfidueshëm nga partia, nga shteti, nga ligji dhe nga demokracia. Prej këtij realiteti, prandaj dhe vjen problemi më i madh sot si në Shqipëri dhe në Kosovë, i cili është korrupsioni i jashtëzakonshëm dhe mosefikasiteti i luftës kundër tij dhe as kundër krimit të organizuar, problem i cili buron prej kësaj klase politike", vlerësoi ai."Si pasojë e këtij realiteti, politika e sotme, si ajo në Shqipëri dhe ajo në Kosovë, nuk ka dhe nuk ofron asnjë zgjidhje, pasi nuk ka dhe nuk prodhojnë alternativa zgjidhjeje politika e tillë e korrupsionit dhe e kriminalizuar, si dhe ajo as nuk ka vullnet dhe as dëshirë për luftë kundër krimit dhe as kundër korrupsionit", tha Kapiti për "Kosova Sot". Ai po ashtu thotë se elita politike shqiptare korrupsionin e ka biznesin kryesor, sepse me korrupsion politika dhe politikanët shqiptarë janë bërë të pasur dhe pronarë të politikës, të shtetit, të drejtësisë, të parasë publike dhe të posteve e të detyrave shtetërore dhe të ligjit."Elita politike e korruptuar shqiptare, establishmenti i sotëm politik, kudo shqiptarë, ua kanë mbyllur rrugën njerëzve të rinj dhe të aftë dhe potencialë për politikë dhe për integrimin e tyre në politikë dhe në punët shtetërore, sepse edhe zgjedhja e tyre, e të rinjve, bëhet sipas preferencës korruptive, injorante, servile dhe nepotike nga establishmenti politik aktual i çdo partie politike. Jo vetëm elita politike shqiptare, por në një gjendje të paralizuar nga korrupsioni janë edhe organizatat joqeveritare, shoqëria civile e mediet, të cilat duhet të kërkojnë dhe të jenë shumë hapa më përpara se pushteti dhe opozita politike në luftë kundër krimit dhe korrupsionit, në emër të lirisë dhe të moralit e ligjit.", vijoi më tej analisti Skënder Kapiti.

Zotimet e papërmbushura

Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi thotë se është fakt i pamohueshëm se kemi një realitet shumë të hidhur në institucionet e drejtësisë, realitet ky që edhe 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë nuk po ndryshon për të mirë në fuqizimin e shtetit të së drejtës."E kemi thënë sa herë se në një shtet ku institucionet e saj keqpërdoren, kapen dhe ndikohen, politika dhe nga zyrtarët e saj në vazhdimësi dhe kur ky keqpërdorin ngel i pandëshkuar, sidomos institucionet e drejtësisë, as që mund të flitet për një shtet ligjor, që ndan drejtësi të pavarur dhe respekton të drejtat e qytetarit para ligjit. Pavarësisht deklaratave politike pompoze se askush nuk do të jetë mbi ligjin, se do të luftohet pa mëshirshëm dhe kudo krimi e korrupsioni, ky zotim ka mbetur frazë deri më tani nuk ka ndodhur ajo që është premtuar", u shpreh ai."Të gjitha deklaratat e krerëve shtetërorë, sikurse ato të sistemit të drejtësisë, kupolës drejtuese, deri më tani kanë mbetur vetëm fjalë që i ka marrë era. Qytetari i Kosovës është lodhur me deklarata të tilla, sepse realisht zotimet dhe angazhimet po mungojnë si praktikë veprimi konkret në terren. E kemi thënë sa herë, si analistë e opinionistë, vazhdues dhe konstatues të kësaj gjendje, se ndryshimi për të mirë në këtë fushë nuk ka për të ndodhur përderisa në pushtet ndodhen politikanë të cilët vetë e kanë sjellë këtë gjendje me ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, edhe prokurorët tanë, të cilët janë të thirrur për të hetuar shkelësit e ligjit, që paguhen me paga të majme nga buxheti i Kosovës, e madje paguhen në mënyrë tepër meritore, nuk duan as nuk e bëjnë si duhet punën e tyre.

 

(Kosova Sot)