Zyra e Kryeministrit kërkon sqarim nga Prokuroria për lirimin e të dyshuarve për rrëmbimin e një femre në Prishtinë

  • 22 June 2018 - 11:21
Zyra e Kryeministrit kërkon sqarim nga Prokuroria për lirimin e të dyshuarve për rrëmbimin e një femre në Prishtinë

Agjencia për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit ka dënuar rastin e kidnapimit të një femre më datën 18 qershor të këtij viti, me ç’rast janë arrestuar dy persona të dyshuar të cilët më pas janë liruar me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

“Incizimi i rastit i postuar ne mediat on – line nga ana e dëshmitarëve të rastësishëm,  dëshmon për një nivel sigurie jo adekuat, ku çdo vajzë apo grua mund të përballet me një rrezik të tillë në rrugët e kryeqytetit. Ky është një akt  i cili duhet të dënohet nga shoqëria dhe nga institucionet, derisa nga Prokuroria e Shtetit  kërkohet sqarime lidhur me rastin dhe deklaratën për  lirimin e kidnapuesve. Aktet e tilla janë të papranueshme për shoqërinë tonë dhe si te tilla shkaktojnë pasiguri të qytetaret e në veçanti tek gratë dhe vajzat, dhe nëse nuk ofrohen informacione shtesë për zbardhjen e rastit do të shkaktojnë mosbesim dhe frikë për sigurinë e grave dhe vajzave, dhe e dëmtojnë imazhin e policisë si një organ tek i cili qytetarët e RKS kanë besim të dëshmuar “.

“ABGJ  vlerëson se pa ndërhyrë në kompetencat e prokurorisë për zbardhjen e rastit qytetarët e RKS meritojnë sqarim për vënien e drejtësisë në vend për rastin në fjalë . Java 18 -22. 06/2018 me një epilog të tmerrshëm ku një grua është vrarë në Kolovicë, rasti i kidnapimit në kryeqytet, rasti i rrahjes së gruas në Pejë, tregon mbi  domosdoshmërinë e reagimit të përbashkët si shoqëri për ta dënuar dhunën në baza gjinore”.

Kjo agjenci ka kërkuar që rastet e tilla të zbardhen sa më shpejtë,  derisa kanë kërkuar një vëmendje e shtuar nga institucionet përkatëse të sigurisë qe të ngritët niveli i sigurisë në nivel vendi,  rastet e tilla të mos përsëriten dhe te dënohen ashpër me ligji.

 

(Kosova Sot)