Haziri:Kosova nuk mund të anashkalojë kriteret e Bashkimit Evropian

  • 22 June 2018 - 12:59
Haziri:Kosova nuk mund të anashkalojë kriteret e Bashkimit Evropian

Analisti politik Arsim Haziri, për " Kosova Sot", tha se përcaktimi i afateve për liberalizimin e vizave nga ana e liderëve tanë në vazhdimësi është bërë për të përfituar politikisht. "Edhe ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi fatkeqësisht e patën kushtëzuar me atë çështje, që edhe mjerisht filloi të jetësohej në opinion kjo çështje. Politika aktuale përmes mjeteve që i ka në dispozicion ka arritur gjithnjë e më shumë për të manipuluar trupin publik, kjo logjikë në vete ka përfshirë punësim në shifra rekorde ( diçka çka mungon në Kosovë), kalimin në zonën e lirë-liberalizimi i vizave, si dhe disa ndryshime që do të shkojnë në favor të konsolidimit shtetëror. Pra, shoqëria jonë u gjet e papërgatitur në kuptimin e besimit racional dhe kësisoj dhe duke qenë e tillë po vazhdon të ndëshkohen nga kjo klikë, e cila qysh atë kohë ka anashkaluar obligimin e përgjithshëm qytetar", shpjegoi ai. Haziri thotë se Kosova njëmend përfaqëson gjendje alarmante dhe nuk është vend i premtueshëm për ndryshime pozitive dhe me efekt kolektiv."Mjerisht kontribuues i kësaj mendësie negative është kah i shkon edhe vazhdimësia e subjektit të "ri" politik, që më shumë konsideroj se do ta mirëmban sistemin sesa që do ta ndryshon atë", ka vlerësuar ai. Sipas Hazirit, Kosova nuk mund të anashkalojë kriteret e Bashkimit Evropian për liberalizim vizash, por duhet të angazhohet në përmbushjen e tyre."Aktualisht, për liberalizmin e vizave për Kosovën kanë mbetur disa kritere të fundit, përkatësisht kriteri për luftimin e korrupsionit, i cili thuajse është i pashfletuar për shoqërinë kosovare, sepse në të gjitha dikasteret e shtetit është instaluar nga vetë njerëzit e subjekteve politike kjo anomali që po e degradon shoqërinë kosovare", potencoi ai.

 

 

(Kosova Sot)